Shkodër- Trafikonte emigrantë nga vende të treta për t’i dërguar ilegalisht kundrejt përfitimit në ato të BE-së, arrestohet 28-vjeçari i dyshuar.
Policia e Shkodrës njoftoi sot finalizimin e operacionit të koduar “Itinerari”. Në pranga ka rënë Stiven Muça, banues në qytetin verior, që u kap në flagrancë duke ndihmuar 5 klandestinë që i transportonte me makinë drejt Malit të Zi.
“Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt pagesës, për kalim të paligjshëm të kufirit, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Itinerari”. Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi S. M., 28 vjeç, banues në Shkodër”, njoftoi policia vendore.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se i riu ndihmonte emigrantë nga vendet e treta, që të kalonin ilegalisht kufirin tokësor, duke i transportuar nga kufiri jeshil me Greqinë në drejtim të Malit të Zi, kundrejt pagesës 600 euro për person.
"Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë”, sqaroi policia.
Kurse hetimet e mëtejshme i kaluan prokurorisë vendore.
Komente
