Kronikë

Shkodër/ Ish-polici ekzekutohet në Vaun e Dejës, u gjet i vdekur në rrugë! I dënuar më parë për vrasjen e kushëririt, motiv dyshohet hakmarrja (VIDEO)

4 Gusht, 21:34| Përditesimi: 4 Gusht, 23:08

  • Share

Vau i Dejës- Një vrasje me armë zjarri ka ndodhur orët e vona të mbrëmjes së sotme, në Vaun e Dejës në Shkodër.

Ngjarja e rëndë u raportua rreth orës 21:00, në fshatin Paçram dhe policia e konfirmoi gjetjen e një trupi të pajetë, i cili dyshohej se ishte qëlluar me armë zjarri pistoletë, shumë pranë banesës së tij.

Viktima është identifikuar si Frrok Lleshaj, 65 vjeç, ish-efektiv i Policisë deri në vitin 1994. Forca të shumta policie shkuan në vendngjarje. Lleshaj mësohet se ka qenë më parë i dënuar për krimin e vrasjes së kushëririt të tij Dodë Lleshaj tre dekada më parë, ndaj edhe pista kryesore e hetimit mbetet ajo e një gjakmarrjeje të mundshme.

Gjykata e Shkodrës e kishte dënuar me 25 vite burgim në vitin 2006, izolim që e kishte përfunduar dy vite më parë, kur ishte liruar nga qelia.

“Në Vau i Dejës, në rrugë është gjetur pa shenja jete shtetasi F. Ll., 65 vjeç, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri. Shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje”, tha policia vendore.

Pas daljes nga burgu, 65-vjeçari ishte braktisur nga familja e tij, gruaja dhe fëmijët. Lleshaj jetonte i vetëm dhe merrej me blegtori.

Paraprakisht bëhet me dije se 65-vjeçari ka qenë duke ecur në rrugët e fshatit Paçram mbrëmjen e sotme kur është qëlluar me armë zjarri dhe shkak dyshohet hakmarrja. Trupi i tij u gjet nga një kalimtar i rastësishëm, që informoi menjëherë policinë.

Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili nën drejtimin e Prokurorisë Shkodër, po punon për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit apo autorëve. Po verifikohet edhe aktiviteti i viktimës pas daljes nga burgu dy vite më parë.

1754339911_frroklleshaj.jpg

 

Viktima Frrok Lleshaj

Ora 22:32
Report Tv siguron FOTO-n e viktimës! Ish-polic tre dekada më parë, u largua më 1994! S’e pranoi asnjëherë vrasjen e kushëririt, hetohet në disa pista

1754339911_frroklleshaj.jpg

Frrok Lleshaj, i vrarë sot në Vaun e Dejës

Report Tv ka siguruar foton e 65-vjeçarit të vrarë sot në Vaun e Dejës, ndërkohë që mësohen detaje të reja nga e shkuara e Frrok Lleshajt.

Viktima mësohet se tre dekada më parë ka ushtruar edhe detyrën e efektivit të Policisë së Shtetit, nga radhët e të cilës ka dalë në vitin 1994.

Më pas ka kryer një vrasje për të cilën u arrestua më 1995, por u arratis në vitin 1997 nga burgu gjatë trazirave.

Sipas të dhënave, mësohet se Lleshaj, u arrestua më vonë, ku vuajti dënimin e Gjykatës së Shkodrës të vitit 2006 dhe u lirua më 2023.

Nuk ka pranuar asnjëherë se ka qenë autor i vrasjes se kushëririt, por pavarësisht deklaratave në Gjykatë, ai është dënuar.

Pista kryesore mbetet ajo e hakmarrjes, por Policia po heton në të gjitha drejtimet e mundshme rreth dinamikës dhe shkaqeve. Hetohet edhe aktiviteti i tij pas lirimit nga burgu më 2023.

Ora 22:07
U ekzekutua sot në Vaun e Dejës, 65-vjeçari kishte vrarë kushëririn! Më 2006 u dënua me 25 vite burg, u lirua dy vite më parë

1754339600_Screenshot7.jpg

Policia e Shkodrës në vendngjarje

Frrok Lleshaj, 65 vjeç, sipas dosjes hetimore dhe vendimit të gjykatës, rezulton se ka vrarë kushëririn e tij Dodë Lleshaj më shumë se dy dekada më parë.

Për këtë krim ai ishte dënuar me 25 vite burgim, të cilin e kishte përfunduar vetëm dy vite më parë, duke u liruar në mesin e muajit prill 2023.

“Me vendim nr.37, datë 17.03.2006, të Gjykatës Shkodër, dënuar 25 vite burgim për vrasje me dashje dhe është liruar më datën 16.03.2023 nga IEVP Shkodër”, thuhet në dosje.

Lleshaj u gjet sot në mbrëmje i pajetë në rrugën e fshatit, teksa po ecte. Policia po vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Çfarë mendoni për ndryshimet e propozuara me draftin për Kodin e ri Penal?