Një sasi prej 1723 bimë narkotike kanabis sativa janë zbuluar nga policia në 6 njësi administrative të Shkodrës.
Në lidhje me këto kontrolle të policisë, të koduara “Koordinata”, u arrestuan babë e bir dhe janë vendosur nën hetim 6 kryetarë fshatrash.
Kështu, nën hetim janë vënë kryetarët e fshatrave Plan, Kir, Palaj, Pecaj, Nenmavriq dhe Gimaj.
Ndërsa babë e bir, P. D. 64 vjeç, dhe B. D. 32 vjeç, u arrestuan pasi në fshatin Hot, në kufi me tokën që kishin në përdorim, u gjetën 165 bimë kanabisi që dyshohet se janë kultivuar prej tyre.
Njoftimi i Policisë së Shkodrës:
Qarku Shkodër/Vijon operacioni policor i koduar “Koordinata”, kundër kultivimit të bimëve narkotike.
Gjatë kontrolleve në territoret e 6 njësive administrative, u gjetën dhe u asgjësuan 1723 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.
Kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas (babë e bir), të dyshuar për kultivimin e 165 bimëve narkotike, në fshatin Vukpalaj.
Procedohen penalisht 6 kryetarë fshatrash, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi, në bashkëpunim me Njësinë e Sigurisë Publike Shkodër vijojnë me intensitet kontrollet në të gjithë territorin e qarkut, në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinata”, me qëllim goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike. Si rezultat i kontrolleve:
-në territoret e njësive administrative Shosh, Pult, Postribë dhe Shalë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën dhe asgjësuan 1060 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryetarin e fshatit Plan, shtetasin N. Sh.; për kryetarin e fshatit Kir, shtetasin D. V.; për kryetarin e fshatit Palaj, shtetasin K. K.; për kryetarin e fshatit Pecaj, shtetasin D. V.; për kryetarin e fshatit Nenmavriq, shtetasin L. L.; për kryetarin e fshatit Gimaj, shtetasin P. Sh..
-në territorin e njësisë administrative Kastrat, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe gjetën dhe asgjësuan 521 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Në vijim të veprimeve u arrestuan shtetasit P. D., 64 vjeç, dhe B. D., 32 vjeç (babë e bir), banues në fshatin Hot, pasi dyshohet se kanë kultivuar 165 bimë narkotike që u gjetën në fshatin Vukpalaj, në një ambient të hapur, në kufi me tokën që ata kishin në përdorim;
-në territorin e njësisë administrative Temal, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës gjetën dhe asgjësuan 142 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.
Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të autorëve të kultivimit të bimëve narkotike.
Operacioni antikanabis i koduar “Koordinata” vijon në të gjithë territorin e qarkut Shkodër.
Komente
