Kontrabanda e parave nuk ka të ndalur, teksa janë rritur rastet e sekuestrimeve në pikat kufitare, kryesisht ato tokësore, ku sasi të mëdha në valutë fshihen nëpër mjete transporti apo vetura.
Që nga 15 nëntori i këtij viti, vetëm në zonën kufitare të Shkodrës, kufiri Shqipëri-Mali i Zi, janë sekuestruar rreth 2 mln euro cash që transportoheshin kryesisht me kamionë nga drejtuesit e mjeteve. Kjo shumë është kapur brenda katër ditëve, në tre aksione të ndryshme. Kurse dje, në Kapshticë u kap një shtetas turk me një shumë prej 30 mijë eurosh cash në kamion, e padeklaruar.
Kjo valutë ka qenë e ndarë pothuajse në mënyrë të barabartë, gjysma e kapur në tokën malazeze dhe gjysma tjetër në atë shqiptare.
Operacioni më i fundit u zhvillua dje në afërsi të Hanit të Hotit, ku policia malazeze ndaloi një kamion që transportonte mallra për kontroll dhe fillimisht gjeti 135 mijë euro cash tek shoferi i mjetit dhe më tej të fshehura 815 mijë euro të tjera. Në total 950 mijë euro, që dyshohet se janë produkt i aktiviteteve të paligjshme. Në pranga ra shoferi shqiptar me inicialet M.T., që i është nënshtruar hetimeve.
Kurse më 15 Nëntor Policia e Shkodrës njoftoi ndalimin në Doganën e Muriqanit të një personi që transportonte 680 mijë euro dhe bëri të mundur arrestimin e shtetasit me iniciale L.N., 51 vjeç.
Më 18 nëntor, po në Muriqan, policia arrestoi shtetasi F.H., 36 vjeç pasi në makinën e tij u gjeten 331000 euro. Pra në total 1,1 mln euro.
Ndërsa dje (20 Nëntor), në Kapshticë, u arrestua një shtetas turk që transportonte me kamion mallrash 30 mijë euro të padeklaruara, teksa u vu nën procedim nga Policia e Korçës.