Shkodra dhe Lezha janë dy rajonet që ende nuk i kanë zhvilluar asambletë zgjedhore në futboll, por kjo nuk e ka penguar federatën shqiptare të futbollit që në emër të Armand Dukës t’i shtie në dorë. Më 8 shkurt në program janë zgjedhjet në Shkodër, por edhe pse kanë mbetur më pak se 24 orë nuk dihen ende kandidatët për kryetar.
Për këtë pozicion kandidon Kujtim Shaba, i cili për Report TV ditë më parë ka treguar se edhe pse është propozuar nga 3 anëtarë nuk konfirmohet as nga shoqata e Shkodrës dhe as nga FSHF. Ai është kundërshtari i federatës dhe për këtë arsye pretendon se listat e votuesve nuk i vendosen në dispozicion.
"Me datë 22 dhjetor kam dërguar një shkresë te shoqata e Shkodrës ku i pyes nëse jam kandidat? Dhe nëse jam më vendosni në diospozicion listën e votuesve. I kërkova me qëllim për të bërë fushatën. Nuk di sa anëtarë janë, nga 17 po më dalin 27. Po kush i lejon 27?! Janë si Enver Hoxha,”-u shpreh Kujtim Shaba, trajner dhe ish-drejtues futbolli.
Një ditë më pas, më 9 shkurt, do jetë rradha e shoqatës së Lezhës për të kryer zgjedhjet. Edhe në këtë rajon nuk ka asnjë informacion për kandidatët, ndërsa mungon edhe lista e anëtarëve, me qëllim që federata në fund t’i manipulojë, njëjtë siç ndodhi në Tirana, Durrës, Elbasan, Fier, Korçë dhe Gjirokastër.
Si Shkodra edhe Lezha dërgojnë nga 3 delegatë në zgjedhjet për presidentin e ri të FSHF-së që zgjidhet më 2 mars. Kjo do të thotë se janë 6 vota të tjera plus për Armand Dukën, që deri më tani ka siguarua edhe 25 të tjera falë manipulimeve me zgjedhjet në shoqatat rajonale të futbollit.