Shkodra i ka thënë sot lamtumirë 'Mjeshtrit të Madh', kompozitorit Kujtim Alija. Me kortezhin e bandës së qytetit të Shkodrës, aty ku ai punoi dhe jetoi, i jepet lamtumira Mjeshtrit Kujtim Alija, ndërsa sot Shkodra është në zi. Homazhet në nderim të 'Mjeshtrit të Madh' u zhvilluan në teatrin 'Migjeni', ku familjarë, miq e bashkëpunëtorë i dhanë atij lamtumirën e fundit.
Alija u nda nga jeta ditën e djeshme pas 1 viti betejë me sëmundjen, duke lënë një boshllëk të madh në jetën artistike të qytetit të Shkodrës, por jo vetëm, edhe të shqiptarëve që janë rritur me imazhin e tij teksa drejtonte artistikisht fëmijët, talentet e reja. Ai u nda nga jeta në moshën 60-vjeçare, pasi nuk ia doli që të mposhte sëmundjen që po e mundonte prej muajsh.
Dalja e tij e fundit për media, ishte pikërisht nga Festivali i Fëmijëve në Shkodër që u mbajt më 4 korrik, ku u pa se sëmundja kishte lënë gjurmë në pamjen e tij, por jo në shpirt. Përtej saj, ai vijoi deri në momentet e fundit të jetës misionin e tij, për të zbuluar talentet e reja e që nga Shkodra tha se përtej skepticizmit të krijuar sot për artin, ka ende talente që premtojnë për të ardhmen. Për lajmin e trishtë ka reaguar edhe kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi.
Kush ishte Kujtim Alija?
Kujtim Alija është një prej emrave me një kontribut të madh në muzikën shqiptare. Vinte nga një familje shkodrane intelektualësh, të cilët e donin arsimin dhe artin. Mbaroi Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, nën drejtimin e dirigjentit, Artistit të Popullit, Rifat Teqja, mbas shkollës së muzikës “Prenkë Jakova” të Shkodrës. Pas diplomimit filloi punën në qytetin e Shkodrës ku ka organizuar dhe drejtuar koncerte e veprimtari të ndryshme artistike si brenda, ashtu edhe jashtë Shqipërisë, me Filarmoninë e Shkodrës, Orkestrën frymore si dhe formacionin e harqeve.
Mes dhimbjes e trishtimit, kolegët i kanë dhënë sot lamtumirën 'Mjeshtrit të Madh', kompozitorit Kujtim Alija, i cili tashmë ka lënë vendin bosh në jetën artistike jo vetëm të Shkodrës, por të gjithë vendit. 'Një artist që nuk harrohet kurrë, që i dha Shkodrs Shpirtin', me këto fjalë e përcjellë 'Mjeshtrin e Madh' këngëtari Bujar Qamili.
"Një humbje e madhe jo vetëm për Shkodrën, por për të gjithë Shqipërinë. Një artis i madh i rrallë, një muzikant që i dha Shkodrës gjithçka, shpirtin, sakrificën. Kujtim Alija ishte nga ata që nuk harrohen kurrë. Atë që ka bërë ai për Shkodrën, rrallë se mund të bëjë një muzikant tjetër, ishte i jashtëzakonshëm", thotë ai.
Kompozitori dhe orkestruesi Alfred Kaçinari, thotë se nuk e kishte menduar kurrë se do të ishte i pranishëm në ceremoninë e lamtumirës së Kujtim Alijas.
"Nuk e kishim menduar kurrë se do vinim për të përcjellë Kujtimin. Një njeri i jashtëzakonshëm, një artist i madh, një personalitet që i ka bërë nder qytetit ët Shkodrës, është i pazëvendësueshëm", shprehet Kaçinari.
Kompozitori dhe mjeshtri i korit shqiptar Zef Çoba thotë se kjo e shtunë, 28 gusht, është një ditë e dhimbshme për të gjithë popullin që ka duartrokitur pafund 'Mjeshtrin e Madh'. Ai shprehet se mungesa e Kujtim Alijas do të ndjehet në organizimin e koncerteve për fëmijë.
"Është një ditë e dhimbshme për të gjithë popullin që e ka duartrokitur në këtë karrierë të gjatë Kujtim Aliajn. Është një ditë e trishtë, humbëm një koleg, një mik, një shok, Kujtimi ka një kontribut shumë të gjatë në disa fusha të rëndësishme në jetën artistike. Do të jetë i mangët vendi i Kujtim Alisë në podin e dirigjimit të festivalit të Këngës për Fëmijë. Do ndihet mungesa e tij në organizimin e koncerteve për bilbilat vegjël, ku u identifikuan sa e sa talente. Kujtimi ishte një njeri i përkushtuar që punoi me pasion, një njeri që dha kontributin e tij në lidhje me zhvillimin e artit dhe muzikës në Shkodër. Një pjesë e këtyre viteve nuk ishin të lehta. Përulem me respekt për kontributin që dha Kujtm Alija për artin", thotë ai me trishtim.
Emer i skalitur ne memorjen e cdo femije Shkodran nder breza. Pushofsh ne paqe!
Përgjigju