Hyrja e Shkodrës po ndryshon dukshëm, falë një investimi strategjik të Qeverisë prej 10 milionë eurosh që po zbatohet në segmentin rrugor nga Harku i Bërdicës deri te Ura e Bahçallëkut.
Aktualisht, puna është përqendruar në tre fronte: njëra anë e rrugës është në fazën e shtrimit të shtresës asfaltike, ndërsa në dy segmentet e tjera po zhvillohen punimet nëntokësore. Ndërkohë, ka nisur edhe faza e realizimit të pilotave për ndërtimin e urës së re.
Për shkak të fluksit të shtuar të automjeteve gjatë sezonit turistik, puna është organizuar në mënyrë që të shmanget sa më shumë bllokimi i trafikut, duke garantuar qarkullim të vazhdueshëm për banorët dhe vizitorët.
Ky projekt është pjesë e një strategjie më të gjerë për modernizimin e infrastrukturës rrugore në Shkodër, duke përmirësuar aksesin, sigurinë dhe cilësinë e jetës për banorët dhe vizitorët. Përmes këtij transformimi, Shkodra bën një hap të rëndësishëm drejt një zhvillimi urban të qëndrueshëm dhe bashkëkohor. Punimet pritet të përfundojnë në dhjetor të këtij viti.
Komente
