Tkurrja e popullsisë së vendit është përshpejtuar gjatë tri viteve të fundit. Me përjashtim të Tiranës, e cila vijon të jetë qendra e gravitetit të emigrimit të brendshëm, në të gjitha qarqet e tjera popullsia ka rënë.
Censi i vitit 2023 regjistroi 2,4 milionë banorë. Një vit më pas më 2024 popullsia ra në 2,39 milionë persona, ndërsa parashikimi për 2025-n zbret në 2,36 milionë persona.
Humbja kumulative nga Censi 2023 në 2025 është rreth 38,800 banorë. Rënia nuk duket drastike në shifra absolute, por ritmi i tkurrjes është përshpejtuar me 1.2% më 2025, gati tre herë më shumë sesa në 2024 me -0.5%.
Nga 12 qarqet e vendit, Tirana është i vetmi qark me rritje të lehtë. Popullsia e saj nga 758 513 banorë në Cens 2023 arriti në 759,981 në 2025, një shtesë modeste prej rreth 1500 personash.
Kjo rritje simbolike mjafton për të konsoliduar kryeqytetin si strehë demografike, pasi e gjithë pjesa tjetër e vendit është në rënie.
Popullsia e Tiranës po rritet nga braktisja e zonave rurale dhe migrimi i brendshëm drejt Tiranës, që balancon edhe humbjen që vetë kryeqyteti ka nga emigracioni ndërkombëtar.
Në Veri, Shkodra u tkurr me gati 5000 banorë në dy vite, duke pësuar rënien relative më të madhe me mbi 3%.
Një panoramë e ngjashme shfaqet në Kukës, Dibër dhe Lezhë, ku reduktimi i popullsisë varion nga 2,4% në 3%.
Veriu i vendit po përjeton një cikël më të vonë emigracioni si rrjedhojë edhe e zhvillimit të pabarabartë rajonal.
Gjirokastra, Korça dhe Fieri pësuan rënie krahasueshme me 2,5-3%, të ndikuara nga emigracioni tradicional dhe plakja e popullsisë vendase.
Në qarqet si Elbasani dhe Vlora, ritmi i tkurrjes është disi më i butë, por sërish i pandalshëm.
Të dhënat tregojnë se në Tiranë rriten më tej presionet për shërbime publike dhe infrastrukturë, ndërsa qarqet po përballen me mbyllje shkollash dhe rritje të pabarazive.
Nëse nuk ndërmerren masa për të shpërndarë investimet jashtë kryeqytetit do të thellohet më tej hendeku social dhe ekonomik, duke bërë që shifrat e sotme të duken vetëm si faqja e parë e një cikli të zgjatur plakjeje dhe emigracioni./Monitor
Komente
