Shkoder- Një 35 vjeçar i shpallur në kërkim për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë është arrestuar nga policia e Shkodrës.
Më 25 prill të këtij viti në Vau i Dejës, Vitor Kola ka qëlluar me pistoletë drejt një makine me qëllim që të vriste drejtuesin e mjetit
Më datë 25.04.2024, në Vaun e Dejës, shtetasi Vitor Kola dyshohet se për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë shtetasin Gj. N., 39 vjeç, duke qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte ky shtetas. Nga të shtënat pat vetëm dëme materiale.
Vetë 39 vjeçari Gjek Nika banues në Koman kishte bërë denoncimin në polici për ngjarjen e ndodhur në orën 08:00 të 25 prillit. Fatmirësisht plumbat drejt automjetit të tij nuk kanë shkaktuar dëmtime në njerëz.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim kombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.