Te Teuta kanë qenë shumë të lumtur pas fitimit të titullit kampion. Trajneri Edi Martini thotë se në këtë mënyrë u shpërblye ai që ka dhënë më shumë mund në Superligë.
"Haku shkoi te i zoti. Në ndeshjet direkte kemi dominuar përveç asaj me Partizanin. E vetmja që mund të ishte kampion përveç nesh është Vllaznia që ka bërë një kampionat të jashtëzakonshëm,”-u shpreh Edi Martini.
Ndërkohë Emiliano Vila e cilëson këtë titull si më të bukurin në karrierë.
“Kam dalë kampion me Dinamon, Skënderbeun, por ky është një titull i veçantë sepse vjen pas 27 viteve. Është më i veçanti sepse jam rritur këtu, kam dalë nga akademia e kësaj skuadre. Që në ndeshjen me Partizanin na kanë kërkuar shumë titullin. Janë 27 vite nuk janë pak.
Është një titull deri në sekondat e fundit. Para 1 viti, unë humba babain tim, kisha dëshirë të ishte këtu. Ma ka kërkuar për një vit që ta merrja me ekipin e Teutës, ai më shikon nga lart dhe jam i lumtur që e arrita këtë sukses. Oreksi vjen duke ngrënë. Teutas dhe Hasanbelliut i kishte munguar ky trofe. Ka kontribuar shumë për këtë klub,”- tha Vila.
Në Shkodër sponsori i Vllaznisë aludon për vertetësinë e fitores 6-1 të Teutës me Apoloninë, pasi skuadra e tij e humbi kampionatin vetëm për shkak të golavarazhit.
“Nuk e di, unë flas për ndeshjen këtu që mund ta fitonim edhe më thellë. Në Durrës nuk e kam parë ndeshjen, por më vjen çudi si dy lojtarë të Apolonisë dalin me të kuq, më vjen çudi. Mendoj se këtu ishte një ndeshje e bukur,”-u shpreh Alban Xhaferri, sponsor i Vllaznisë.