Elvis Zoto

Kronikë

Shkoi me varkë në Angli dhe u përfshi në trafikun e kokainës, Daily Mail zbërthen historinë e Elvis Zotos: Kërkonte azil, por u arratis nga hoteli

16 Gusht, 10:59| Përditesimi: 16 Gusht, 11:02

  • Share

Një emigrant shqiptar, i cili kishte mbërritur në Britani me një varkë të vogël, filloi të merrej me tregtimin e kokainës pas largimit nga hoteli i tij luksoz i azilit.

Është fjala për Elvis Zoton 22 vjeç, historia e të cilit është botuar nga tabloidi britanik “Daily Mail”. Ai kishte publikuar në rrjetet sociale hyrjen e paligjshme në Britani të Madhe, duke treguar mbërritjen e tij në Dover në vitin 2022.

Pak kohë pas kësaj, ai u intervistua nga Daily Mail, i cili u paraqit si emigrant ende në Francë. Ai tregoi se udhëtimi drejt Britanisë kishte qenë i lehtë dhe rrëfeu se kishte ikur nga hoteli i azilit duke u ngjitur në një dritare.

Të dhëna të reja tronditëse për rastin e tij janë bërë të ditura pas një vendimi të Gjykatës së Lartë, që dha dritën jeshile për deportimin e tij, pas tre vjetësh që ai kishte mbërritur në Britani.

Zoto udhëtoi nga Shqipëria për në Belgjikë, më pas udhëtoi me tren drejt Francës, dhe pagoi një kontrabandist njerëzish për të mbërritur me një varkë të vogël në Britani, ku u arrestua nga Forcat e Kufirit në Dover më 29 qershor 2022.

Në vitin 2022, mbi 12,600 shqiptarë arritën në Britani me varka të vogla.

Si shumica e emigrantëve të tjerë shqiptarë që mbërritën në atë kohë me varka të vogla, Zoto kërkoi azil dhe u vendos në një hotel.

Në intervistën e tij të parë, Zoto pretendoi se kishte lënë Shqipërinë pasi ishte detyruar të merrej me tregtimin e drogës. Më pas, ai shpalli se ishte viktimë e trafikut të qenieve njerëzore.

Megjithatë, ai qëndroi vetëm dy ditë në hotel, përpara se të largohej më 2 korrik si pjesë e një arratisjeje të planifikuar.

Ministria e Brendshme britanike hartoi një letër për Elvis Zoton, duke theksuar se largimi i tij nga hoteli do të nënkuptonte tërheqjen e kërkesës për azil, por kjo letër nuk u dërgua, pasi autoritetet nuk dinin ku ndodhej.

Dokumentet e gjykatës tregojnë se nuk ka prova që autoritetet të jenë përpjekur të kontaktojnë me të në mënyrë tjetër, pavarësisht se kishin numrin e tij të telefonit nga Shqipëria.

Duket se Zoto u lidh shpejt me një bandë droge dhe më 1 nëntor 2023 u arrestua nga Policia e Essexit.

Në prill të vitit të ardhshëm, ai u dënua për trafikimin e kokainës me 2.9 vite burg.

Kriminelët që marrin dënime burgimi më të gjatë se një vit automatikisht përballen me deportim, por Zoto fitoi të drejtën për të sfiduar këtë vendim me pretendimin se kishte ende një kërkesë azili të hapur, dhe se një seancë gjyqësore do të zhvillohej në korrik 2025.

Por ankesa e tij u refuzua në një vendim të shpallur të mërkurën nga gjyqtarja e Gjykatës së Lartë, Claire Padley, e cila mbështeti pretendimin e Ministrisë së Brendshme se Zoto kishte humbur të drejtën për të kërkuar azil pasi ishte larguar nga hoteli intij.

“Daily Mail” ka pyetur Ministrinë e Brendshme britanike për vendndodhjen e tij aktuale dhe për datën e deportimit, por nuk ka marrë përgjigje.

V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e zgjidh emergjencën e zjarreve në Shqipëri blerja e avionëve zjarrfikës?