Shkolla 9-vjeçare 'Rilindja' e Kavajës, fituese e konkursit kombëtar të Gjuhës Shqipe

1 Maj, 22:46| Përditesimi: 1 Maj, 22:49

  • Share

Shkolla 9-vjeçare “Rilindja” e Kavajës u shpall fituese e konkursit të Gjuhës Shqipe, një nismë e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Në një aktivitet plot emocione dhe konkurrencë të fortë, u zhvillua Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe, me një finale që mblodhi së bashku nxënës, mësues, prindër, përfaqësues të institucioneve arsimore si dhe përfaqësues nga partnerët e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Në finale shkolla “Rilindja” u përball me shkollën 9-vjeçare “Jeronim de Rada” të Tiranës. Të dyja shkollat finaliste gjatë fazës gjysmëfinale kishin grumbulluar më shumë pikë.

Nxënësit nga të dyja shkollat dëshmuan aftësitë e tyre të larta në gjuhën shqipe, duke u përballur me njëri-tjetrin në një konkurrencë tepër të ngushtë deri në fund duke e mbajtur publikun në ankth.

Juria shpalli fituese shkollën “Rilindja” me vetëm 1 pikë diferencë, në vend të dytë u rendit shkolla “Jeronim de Rada”.

Për vendet e para u ndanë kupa, tableta, medalje dhe certifikata nderi, ndërsa 14 ekipet e tjera gjysmëfinaliste u nderuan me medalje dhe certifikata.

Gjatë gjithë procesit, përfshirë ndeshjet gjysmëfinale dhe finale, shkollat u vlerësuan nga një juri profesioniste që përfshinte figura të njohura të gjuhësisë dhe medias: Linda Mëniku, pedagoge e gjuhësisë në Universitetin e Tiranës; Aleksandër Çipa, gazetar dhe themelues i Unionit të Gazetarëve dhe Oriana Osmani, mësuese e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë.

Tema e konkursit për këtë vit ishte “Gjuha shqipe si identitet kombëtar, kulturor dhe mjet komunikimi në epokën e teknologjisë”.

Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe për klasat e 9-ta organizohet nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, në kuadër të Vitit të Gjuhës Shqipe 2024. Gjithashtu ky vit shënon dhe një ngjarje me rëndësi historike, 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë.

Të dyja këto ngjarje kanë qenë në fokus të Konkursit të Gjuhës Shqipe. Konkursi u mbështet nga partnerët e MAS: Këshilli i Europës, British Council, UNICEF, Save the Children dhe World Vision, në bashkëpunim me RTSH.

Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe do të kthehet në një traditë të përvitshme, me synim ruajtjen, nxitjen dhe promovimin e gjuhës sonë të bukur shqipe ndër breza.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?