Kjo godinë që deri para pak kohësh shërbente si lokal ku viheshin edhe baste është kthyer në një vend ku nxënësit e fshatit Goriçan në Dimal të Beratit, të kryejnë procesin mësimor.
Godina e shkollës “Meleq Gjozi” është jashtë funksionit që prej tërmetit të 26 nëntorit, ndaj mosndërhyrja për rikonstruksionin e saj ka bërë që bashkia të marrë me qira ambientet e këtij lokali që shihni në pamje.
Nxënësit thonë se ambientet e kësaj godine janë të vogla për të përballuar 300 nxënës, ndaj kërkojnë rindërtimin e shkollës së tyre.
“Duam një shkollë të re pasi kjo është shumë e vogël për të gjitha klasat. Shkollë të re, nuk dua të bëj me te ky lokali këtu, ka qenë lokal. Është bërë shkollë, është ndarë në katër pjesë, dua të bëhet shkolla jonë sepse është vend i vogël. Duam shkollë të re sepse këtu është vend i vogël e nuk na nxë të gjithëve. Neve duam shkollë të re, jo këtu tek ky lokali”, shprehen nxënësit.
Të shqetësuar për situatën janë edhe prindërit të cilët nuk kanë marrë asnjë përgjigje për rindërtimin e shkollës. Problem për ta janë edhe kilometrat që duhet të përshkojnë nxënësit e ciklit të lartë, të cilët udhëtojnë në shkollën e Samaticës.
“Dy vjet që është dëmtuar, e kanë nxjerr inxhinierët e bashkisë të pabanueshme. Fëmijët po bëjnë mësim në një klasë në një objekt të lidhur në tre klasa, pjesa tjetër në Samaticë, me turne. Kemi bërë kërkesë në ministri për fonde, nuk janë laboruar fondet. Vijmë këtu ne rrimë nëpër shi. Shkolla është prishur nga tërmeti, fëmijët ikin në Samaticë”, thonë prindërit.
Banorët e zonës tregojnë se rruga deri në shkollën e Samaticës është e rrezikshme dhe shpesh është bërë burim aksidentesh.
“Një kushërira ime dhe një kalama i vogël bënë aksident aty. Kemi marrë lemerinë, po vijmë që nga liqeni që të marrim këtu. Të venë një fugon të marrin fëmijët. Të ndërtohet shkolla se gjynah fëmija”, përfundojnë prindërit.
Apelit të nxënësve dhe prindërve i bashkohet edhe një mësues i shkollës, i cili kërkon nga autoritetet ndërhyrje të menjëhershme për zgjidhjen e problemit.
“I kërkojmë sa më parë instancave shtetërore, bashkisë, që të ndërhyjnë që ne të na e zgjidhin këtë problem. Sepse tek ky problem është prishur qetësia e të gjithëve. As ne nuk po punojmë tamam, as komuniteti nuk është mirë që t’i shikoj fëmijët rrugëve dhe nxënësit duhet të shoqërohen nga stacioni deri në shkollën Samaticë. Ajo rruga është me trafik, mësuesit kanë pasur raste që janë përballur edhe me aksidente të rënda”, deklaron mësuesi.
Report Tv kërkoi informacion nga kryetarja e Bashkisë së Dimalit Juliana Memaj, e cila sqaroi se bashkia ka aplikuar pranë sekretariatit teknik për sigurimin e fondeve për ndërtimin e shkollës së re. Ndërkohë, Memaj shoi se prindërit nuk kanë paraqitur asnjë ankesë për mungesën e kushteve, por kushti i tyre i vetëm është ndërtimi i shkollës. Ajo shpreh gatishmërinë se nëse do të ketë një ankesë për kushtet, fëmijët do të zhvendosen në shkollën e fshatit Samticë.
“Jemi në pritje të fondeve, një të pjesë të të cilave kemi shprehur gatishmëri t’i mbulojë bashkia. Me çeljen e fondeve, do të fillojmë menjëherë procedurat për zbatimin”, thotë Memaj për Report Tv.
Pak kohë më parë një situatë e ngjashme ndodhi në Babicë të Vlorës, ku për shkak të vonesave në rikonstruksionin e shkollës, nxënësit e fshatit e kanë zhvilluar mësimin në lokal.
Reagimi i plotë i kryetares së Bashkisë së Dimalit Juliana Memaj për Report Tv
Pas tërmetit të 26 nëntorit, shkolla 'Gorican' doli jashtë funksionit, kjo referuar akit të ekspertizës të lëshuar nga Instituti i Ndërtimit me nr 106/1 date 25.02.2020. Duke u berë pjesë e shqetësimit të prindërve, referuar ligjit për pushtetin vendor dhe njëkohësisht në funksion të përmbushjes së një prej fushave tona të përgjegjësisë, vepruam menjëherë për sigurimin e ambienteve për zhvillimin mësimor. Pas tërmetit, një pjesë e nxënëseve, nxënësit e fillores e zhvillojnë mësimin në ambientet e marra me qira (me vendim këshilli bashkiak), në fshatin Gorican, ndërsa nxënësit e 9-vjecares në shkollën 'Azbi Shehu', të fshatit Samaticë, një shkollë e rikonstruktuar edhe me kushte bashkëkohore, që ndodhet 3 km larg fshatit Gorican. Sipas akteve ligjore e nënligjore morëm masat për sigurimin e transportit për nxënësit që do të udhëtonin në drejtim të Samaticës për të zhvilluar mësimin. Paralelisht hartuam projektin për ndërtimin e shkollës se re. Kemi aplikuar pranë sekretariatit teknik te Ministrisë se Arsimit për sigurimin e fondeve, për ndërtimin e shkollës. Në kërkesat tona kemi shprehur gatishmërinë që një pjesë të financimit ta mbulojë bashkia. Jemi në pritje të financimit nga Ministria. Me çeljen e fondeve do të fillojmë menjëherë procedurat përkatëse për zbatimin.
Për ambientin me qira është marrë dakordësia e prindërve. Prindërit kanë ngritur shqetësimin, për sigurimin e ambienteve në Gorican, për shkak të moshës së vogël të fëmijëve, këta të fundit nuk kanë qenë dakord që zhvillimi i mësimit edhe për ta të behej në Samaticë. Pranë bashkisë nuk ka asnjë ankesë as nga prindërit, as nga zyra vendore arsimore për mungesën e kushteve në ambientet e siguruara në Gorican. Nëse paraqitet një ankesë e vetme, jemi të gatshëm që menjëherë të marrim masat për transportin edhe të këtyre fëmijëve në shkollën Samaticë, shkollë me kushte bashkëkohore. I vetmi shqetësim i adresuar tek ne ka qenë, ndërtimi i shkollës së re.