Erald Xhejo, nxënësi që mbeti viktimë e sulmit
Vdekja e parakohshme e të miturit pasi u godit me thikë në zemër nga bashkëmoshatari i tij në lokalin e fshatit Pirg ditën e djeshme, në një konflikt të nisur më parë dhe të përfunduar tragjikisht, ka prekur jo vetëm familjarët, por edhe shokët dhe shoqet e shkollës.
Shkolla e Mesme e Bashkuar "Tafil Rexhepi" në Pirg, në Maliq, ku Erald Xhejo ndiqte mësimet si nxënës, ka reaguar me një postim ngushëllues ditën e sotme në Facebook.
Ata shprehin dhimbjen e tyre, duke theksuar se nuk humbën vetëm një nxënës, por edhe një “djalë të mrekullueshëm, plot ëndrra, buzëqeshje dhe mirësjellje”.
Një shembull të shpirtit të pastër, dashurisë dhe dijes e cilësuan ata Eraldin.
Postimi i shkollës së mesme të Pirgut:
“Lamtumirë, ylli ynë i ndritur Erald!
Sot zemrat tona janë më të rënda se kurrë. Humbëm jo thjesht një nxënës, por një djalë të mrekullueshëm, plot ëndrra, buzëqeshje dhe mirësjellje. Ti ishe shembull i përkushtimit, i dashurisë për dijen dhe i shpirtit të pastër.
Shkolla nuk do të jetë më e njëjta pa ty. Banka ku uleshe do të mbetet bosh, por kujtimet tona do të jenë gjithmonë plot me dritën që ti fale.
Fjalët nuk mjaftojnë për të shprehur dhimbjen, por ti do të mbetesh përjetësisht në zemrat tona.
U prehsh në paqe! Ti nuk u largove, por u bëre engjëlli më i bukur i Parajsës!
Ngushëllime familjarëve! Jemi bashkë me ju në këtë dhimbje të madhe!”
Postimi i shkollës ku mësonte Erald Xhejo
Lajmi kryesor:
‘Pse më shikon’, zbardhet dinamika e vrasjes së 14-vjeçarit në Maliq! Arrestohet autori i mitur, babai, xhaxhai i tij dhe 5 të tjerë! Goditja në zemër rezultoi fatale
A.Q/ReportTv.al