14 shtatori për nisjen e vitit të ri shkollor po afron por ende nxënës dhe prindër nuk dinë sesi do të zhvillohet mësimi në kuadër të masave anti covid ndërsa vijojmë të kushtëzojmë të gjitha aktivitetet nën ethet e pandemisë Covid-19.
Eksperti i Arsimit, Ndriçim Mehmeti tha për "Report Tv" se mësimi duhet të rinisë patjetër në shkolla, por me kujdes të shtuar.
“Në shkolla, patjetër në shkolla, e kanë thënë edhe ekspertët që është më i pakët përhapja atje, me kujdes të shtuar por të fillojmë në shkolla, qoftë edhe duke pilotuar. Le të fillojmë në rrethet më të vogla, që kanë më pak, dhe le ta përhapim dalëngadalë dhe në Tiranë, duke marrë dhe ambiente me qira, duke shfrytëzuar dhe ambiente të tjera, të cilat do të na nevojiten për mësimdhënien”,- u shpreh eksperti.
Eksperti thotë se ministria duhet të rekrutojë një trupë të re mësimore prej 5-6 mijë punonjës administrate, në mënyrë që mësimi në klasa të bëhet me numër më të vogël nxënësish, duke respektuar distancimi fizik.
“Duhet të ishte menduar për të rekrutuar të paktën një trupë mësimore 5-6 mijë veta. Plus që ne kemi dhe një mundësi tjetër shumë të mirë, të artë do thosha unë, cila është mundësia e artë? Që ne kemi 1200-1500 mësues që bëjnë praktikën profesionale, pra që të marrin stazhin sepse do të hyjnë në provimet e shtetit. Ne mund ti përdorim dhe këta kundrejt një pagese dinjitoze prej 70%”,- tha Ndricim Mehmeti.
Me vijimin e mësimit online eksperti tregon 3 problemet kryesore.
“Kam frikë që do të humbasim shumë nga aftësitë tona të nxënësve duke bërë mësimin online. Do të desocializohen nxënësit, ky është problemi më i madhë, do të kemi nxënës më pak të formuar dhe më pak të konkurueshëm në tregun tonë të brendshëm dhe atë të jashtëm”,- tregoi eksperti i arsimit.
Për ekspertin duhet që ministria të ketë një plan mësimor edhe për fëmijët me aftësi të kufizuara si dhe një plan për zëvendësimin e orëve të humbura në shtator.