Foto ilustruese

Shkollat dhe kopshtet mbyllen për 3 ditë prej temperaturave të ulëta, del vendimi i qeverisë: Pushim për njëri nga prindërit me fëmijë të mitur

24 Janar 2022, 17:49| Përditesimi: 24 Janar 2022, 18:00

  • Share

Njëri nga prindërit i punësuar në administratën publike, që ka fëmijë të mitur, mund të qëndrojë dhe të kujdeset për ta këto tre ditë që shkollat do të jenë të mbyllura për shkak të temperaturave të ulëta. Vendimi u miratua ditën e sotme nga Këshilli i Ministrave, ku janë caktuar datat 24, 25 dhe 26 ditë pushimi për njërin nga prindërit kujdestarë të fëmijëve që shkojnë në çerdhe, arsimin parashkollor dhe arsimin bazë.

Po ashtu qeveria iu bënë thirrje të gjithë punëdhënësve privatë që të gjejnë mundësitë për t'i dhënë pushim punonjësve të tyre, që kanë fëmijë të mitur.

Për shkak temperaturave të ulëta deri që -17 gradë celsius në zona të thella, Ministria e Arsimit ka bërë me dije se do të mbyllen shkollat në të gjithë vendin për 3 ditë. Bëhet fjalë nga data 24-26 janar, nga e hëna në të mërkurë, duke sqaruar se orët e humbura do të zëvendësohen. Report Tv e ka sjellë në vëmendje herë pas herë mungesën e sistemit të ngrohjes në shkolla. Vetëm pak ditë më parë në vëzhgimin e bërë në terren nga gazetarët, nxënësit ka rrëfyer se janë detyruar që të blejnë vetë rezistenca pasi e kanë të pamundur të mësojnë në temperatura. Këtë fakt e pranoi edhe vetë ministrja e Arsimit, Evis Kushi në studion e Report Tv, ku tha se po punohet për të rregulluar këtë problem. Nga ana tjetër, ia vlen të theksohet se ky muaj është shoqëruar edhe me një fluks fëmijësh në pediatri me temperaturë, kollë, këputje trupi, për shkak të gripit të stinës, por edhe Omicron, variant i COVID.

Ditën e sotme, nëpërmjet një reagimi, Ministria e Arsimit theksoi se shkollat nuk po mbyllen për shkak të problemit me sistemin e ngrohjes, por për shkak të rrezikut që haste nxënësi nga shtëpia në shkollë

Vendimi:

CAKTIMIN E DATAVE 24, 25 DHE 26 JANAR 2022 DITË PUSHIMI PËR PRINDIN KUJDESTAR TË FËMIJËVE TË MITUR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Caktimin e datave 24, 25 dhe 26 janar 2022 ditë pushimi për njërin nga prindërit kujdestarë të fëmijëve, që frekuentojnë/ndjekin ose jo çerdhet, arsimin parashkollor dhe arsimin bazë, që janë nëpunës civilë dhe punonjës të tjerë të administratës publike, të nivelit qendror e vendor, si dhe në institucionet e tjera shtetërore.

Nëpunësit civilë dhe punonjësit e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, gjatë kësaj periudhe, për aq sa është e mundur, përjashtimisht, me kërkesë të eprorit të drejtpërdrejtë ose titullarit të institucionit, mund të kryejnë detyrat më të domosdoshme funksionale të cilat përmbushen në kushtet e banesës, nëpërmjet telepunës.

Për shkak të mbylljes së çerdheve dhe të institucioneve arsimore, si pasojë e motit të ftohtë të këtyre ditëve, jo të zakonshëm në vend, dhe përshkallëzimit të përhapjes së infeksionit nga COVID-19, iu bëjmë thirrje të gjithë punëdhënësve privatë që të gjejnë mundësitë për trajtimin me pushim të punëmarrësve të tyre, sipas pikës 1, të këtij vendimi.

Ngarkohen institucionet e administratës shtetërore për zbatimin e këtij vendimi, duke garantuar funksionalitetin e domosdoshëm të çdo institucioni.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?