Distancë 1.5 m dhe 15 veta në klasë! Shkollat profesionale hapen 3 javë vetëm për maturantët, provimet mbahen nga 8 -18 qershor

30 Prill 2020, 16:02| Përditesimi: 30 Prill 2020, 17:50

  • Share

35 shkolla profesionale do të hapin dyert e tyre për 3 javë vetëm për maturantët, pra për klasat e 13-ta, për periudhën 18 maj deri më deri më 5 qershor. 4200 maturantë të këtyre shkollave do i rikthehen bankave me rregulla të reja duke respektuar distancën 1.5 metër dhe se në klasa do të ketë 10-12 nxënës ose 15 maksimumi në bazë të hapësirave që ofrojnë klasa të caktuara.

Maturantët do të studiojnë temat për t'u përgatitur për provimet që do të mbahen në periudhën 8 – 18 qershor 2020.

Ndërsa klasat 10-12 do të vijojnë mësimin nga shtëpia deri në fund të majit, ndërsa dy javët e qershorit do u shërbejnë mësuesve për të kalkuluar notat përfundimtare.

Sqarimi për  funksionimin e këtyre shkollave u bën nga zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Dajna Sorensen, e cila tha se viti shkollor do të mbyllet në qershor 2020 për të gjithë nxënësit, ndërsa sqaroi dhe si do të mbahen disa nga provimet për këto shkolla.

Provimi i Praktikës Profesionale të Integruar i Nivelit nuk do të zhvillohet në vitin shkollor 2019. Për të gjithë nxënësit (përfshirë dhe nxënësit maturantë), nota e këtij provimi praktik do të llogaritet si mesatare e thjeshtë, e rrumbullakosur, e notave të moduleve praktike që nxënësi ka përmbushur në nivelin përkatës.

Ndërsa provimi i Teorisë Profesionale të Integruar i Nivelit, për vitin shkollor në vijim, do të zhvillohet online. Nota përfundimtare e këtij provimi  do të llogaritet duke marrë në konsideratë jo vetëm rezultatet e provimit të teorisë profesionale online, por edhe mesataren e notave në lëndët profesionale të përfshira në Programin Orientues përkatës.

Deklarata e Plotë e zëvendësministres se Financave dhe Ekonomisë, Dajna Sorensen

Shkollat profesionale do të hapen në datën 18 maj vetëm për maturantët, provimet e maturës në periudhën 8 – 18 qershor 2020

35 shkollat profesionale në vendi do të hapen për maturantët nga data 18 maj deri në datën 5 qershor, në bazë të vendimit të marrë nga Ministria e Arsimit, duke u nisur nga vendimet e Task Forcës për përballimin e situatës së pandemisë së COVID-19 në Shqipëri dhe mbështetur në vlerësimin e modeleve të vendeve të tjera që kanë filluar hapjen graduale të shkollave.

Procedurat që do të ndiqen për mbylljen e vitit shkollor 2019-2020, vënë theksin në katër elementë të rëndësishëm:

Së pari, viti shkollor do të mbyllet në qershor 2020 për të gjithë nxënësit, sipas planifikimit në udhëzimet e deritanishme;

Së dyti, provimet e Maturës Shtetërore do të mbahen, sipas planifikimit, mes datave 8 dhe 18 qershor 2020, gjë që jep mjaftueshëm kohë që të përgatiten edhe diplomat për të gjithë maturantët që planifikojnë të studiojnë jashtë vendit dhe i duhen ato në korrik;

Së treti, në mënyrë që provimi i maturës të jetë sa më i drejtë për maturantët dhe ata të kenë mundësinë për t’u përgatitur, është vendosur hapja e shkollave vetëm për nxënësit e klasave e 13-ta, pra për maturantët, në periudhën 18 qershor deri në 5 maj, gjatë së cilës do të punohet vetëm për lëndët e Maturës Shtetërore dhe me plan-programet e reja që nuk përmbajnë temat e zhvilluara në kushte shtëpie.

Së katërti, mësimi nga shtëpia do të vazhdojë për të gjithë nxënësit e klasave 10-12 deri në fund të majit, duke planifikuar të mbyllet dy javë më herët se sa parashikimet në mënyrë që të krijohet mundësia që mësuesit të shkojnë nëpër shkolla dhe të bëjnë të gjithë punën administrative të hedhjes së notave dhe kalkulimit të vlerësimeve përfundimtare.

Hapja e pjesshme e shkollave do të realizohet duke zbatuar rigorozisht të gjitha rregullat e distancimit social dhe kushtet higjieno-sanitare nëpër shkolla, për 4200 maturantë në 35 shkolla. Do të sigurohet minimumi 1.5 m largësi mes nxënësve, ashtu siç parashihet nga rregullat e institucioneve shtetërore, dhe numri i nxënësve për klasë të mos jetë më shumë se 10-12 nxënës (apo maksimumi 15 nxënës për klasë, në rastet kur klasa ofron hapësirë të mjaftueshme).

Duke konsideruar situatën e krijuar nga pandemia e shkaktuar nga COVID-19, për të mbështetur proçesin e vijimit të mësimit online dhe realizimin e Provimeve të Maturës Shtetërore Profesionale dhe të Provimeve të Niveleve në shkollat profesionale, udhëzimet janë si më poshtë:

- Mësimi në kushtet e shtëpisë do të vazhdojë në përputhje me udhëzimet e mëparshme duke synuar një pjesemarrje sa më të madhe dhe sa më aktive të nxënësve. Nga data 4 maj, duke filluar me mësim nga shtëpia dhe pastaj në shkollë me datë 18 maj, puna me maturantët do të fokusohet në provimet e Maturës Shtetërore.

- Për nxënësit Maturantë, parapërgatitja, për vitin shkollor në vijim, nuk do të përfshijë temat mësimore të trajtuara gjatë mësimit në kushtet e shtëpisë.

- Për periudhën e mbetur deri në datat e provimeve të Maturës Shtetërore Profesionale do të synohet përfshirja dhe mbështetja sa më e madhe e nxënësve maturantë që kanë patur vështirësi dhe pamundësi për tu angazhuar në mësimin në kushtet e shtëpisë.

- Modalitetet e realizimit të provimeve të Maturës Shtetërore Profesionale do të jenë sipas udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit, Sporteve dhe Rinisë.

- Provimi i Praktikës Profesionale të Integruar i Nivelit nuk do të zhvillohet në vitin shkollor 2019. Për të gjithë nxënësit (përfshirë dhe nxënësit maturantë), nota e këtij provimi praktik do të llogaritet si mesatare e thjeshtë, e rrumbullakosur, e notave të moduleve praktike që nxënësi ka përmbushur në nivelin përkatës.

- Provimi i Teorisë Profesionale të Integruar i Nivelit, për vitin shkollor në vijim, do të zhvillohet online. Përgatitja e testeve teorike, realizimi i provimit, korigjimi dhe nxjerrja e rezultateve do të kryhen nga vetë shkollat, bazuar në Programet Orientuese përkatëse dhe sipas udhëzimeve të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe të Agjencisë Kombëtare të AFP dhe Kualifikimeve.

- Nota përfundimtare e Provimit të Teorisë Profesionale të Integruar të Nivelit për çdo nxënës do të llogaritet duke marrë në konsideratë jo vetëm rezultatet e provimit të teorisë profesionale online, por edhe mesataren e notave në lëndët profesionale të përfshira në Programin Orientues përkatës.

- Për nxënësit që do ta kenë të pamundur të marrin pjesë në provimin e teorisë profesionale online, në përshtatje me rrethanat dhe kushtet që do të krijohen në vijim, do të jepen udhëzime të mëtejshme për të mundësuar edhe realizimin e këtij provimi dhe nxjerrjen e notës përfundimtare përkatëse.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Te gjithe: 30/04/2020 16:25

    Skemi mare asgje fare

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?