20 viktima me COVID-19/ Sot 28 të prekur, mes tyre një fëmijë (361 në total) vatër e re në Durrës! 104 të shëruar

5 Prill 2020, 11:31| Përditesimi: 5 Prill 2020, 14:25

  • Share

TIRANE-Në 24 orët e fundit në Shqipëri janë regjistruar 28 raste të reja me koronavirus nga 149 teste (2396 në total) që janë bërë, duke e çuar në total numrin e të infektuarve në 361. Mes 28 personave që kanë rezultuar të prekur me COVID-19 është edhe një fëmijë. Krahasuar me ditën e djeshme, ku ishin 29, sot është regjistruar një i infektuar më pak.

Një lajm i mirë përsa i përket të shëruarve, pasi numri është rritur me 5 në 24 orët e fundit duke e dërguar në 104 në total. Aktualisht në dy spitalet COVID ndodhen 71 pacientë, prej të cilëve 64 te infektivi nga të cilët 5 në terapi intensive dhe një i intubuar, ndërsa të tjerët e Sanatoriumi.  Ndërkohë që numri i viktimave arriti në 20 me 3 rastet që u shënuan në 24 orët e fundit. Dje ndërruan jetë dy persona në Tiranë dhe një në Shkodër duke rënduar akoma më shumë bilancin. 

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik Albana Fico referuar rastit të së moshuarës që ndërroi jetë në Shkodër sqaroi se "Gjatë mbrëmjes së djeshme afër mesnatës se një 80-vjeçarja nga Shkodra ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Shkodrës. E moshuara ishte paraqitur mëngjesin e datës 4 Prill në spital. 80-vjeçarja u izolua si e dyshuar me COVID dhe i janë bërë të gjitha ekzaminimet e duhura. E moshuara ishte vendosur menjëherë në terapi intensive. Në mbrëmje ka dalë përgjigjia e analizave, pozitive me COVID-19. Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore transporti ka qenë i pamundur dhe afër mesnatës e moshuara ka ndërruar jetë".

Të dhënat e 24 orëve të fundit në Shqipëri
28 raste të reja me COVID-19, shkon në 361 numri i të prekurve
5 të shëruar në 24 orë, shkon në 104 numri i të shëruarve
71 pacientë në dy spitalet COVID

Te spitali infektiv
64 të shtruar
5 prej tyre terapi intensive
Një është i intubuar

Te spitali “Shefqet Ndroqi”
7 pacientë të shtruar
6 prej tyre në terapi intensive, prej të cilëve 2 janë të intubuar, një në pavion

Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Shkodër
- Tiranë         174 raste
- Durrës          36 raste
- Lushnje        5 raste
- Elbasan        10 raste
- Fier               25 raste
- Kavajë          8 raste
- Rrogozhinë 4 raste
- Korçë            16 raste
- Vlorë              5 raste
- Shkodër        38 raste
- Lezhë            14 raste
- Berat             1 rast
- Has                9 raste
- Krujë              5 raste
-Tropojë           4 raste
- Pukë              4 raste
- Mirditë           3 raste

Kjo rritje e numrit të rasteve në Shkodër dhe Tiranë sipas Ficos tregon edhe njëherë mos respektimin e distancimit social dhe masave të kontrollit të infeksionit që Ministria e Shëndetësisë vijon të rekomandojë çdo ditë ne komunikimet publike. "Aktualisht po kryhet hetimi epidemiologjik në terren edhe me një ekip të Institutit të Shëndetit Publik. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Është po kaq e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye për të parandaluar transmetimin e COVID-19. Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40" mbyllet deklarata e Albana Ficos.

Ora 13:52
Rezultuan pozitiv me COVID-19, dezinfektohet pallati i çiftit të moshuarve në Fier

Mëngjesin e sotëm është dezinfektuar pallati i bashkëshortëve që rezultuan pozitiv me COVID-19 dhe që mbrëmjen e djeshme u dërguan në Tiranë pasi gjendja e tyre po përkeqësohej. Çifti i të moshuarve jetonin në lagjen 15 tetori të Fierit. Ndërkohë ISHP ka marrë tamponet edhe për familjarët e çiftit të moshuarve dhe fatmirësisht kanë rezultuar negativ dhe nuk janë infektuar nga COVID-19.

Ora 13:51
Zgjerohet harta në Elbasan, kasapi infektoi edhe gruan me koronavirus

Ka rezultuar e prekur me koronavirus edhe gruaja e kasapit që u konstatua dje. 62-vjecari punonte në një dyqan mishi. Pas tij rezultoi pozitive edhe gruaja e kasapit. Nga 5 analiza që u morën në Elbasan, kontakte të 62-vjeçarit, vetëm gruaja e tij ishte e infektuar. Çifti i bashkëshortëve është në vetëkarantinim në banesën e tyre në Elbasan.

Ora 12:34
Katër raste të reja në Shkodër, në total u kryen 15 teste, rastet e sotme lidhje me të mëparshmit

Në Shkodër ditën e sotme janë konfirmuar katër raste të reja me koronavirus duke e çuar në 38 numrin total të personave pozitiv në këtë qark. Mësohet se ditën e djeshme në Shkodër janë bërë gjithsej 15 testime, nga të cilat katër rezultuan pozitiv.

Të katër rastet kanë të bëjnë me familjet e atyre që rezultuan pozitiv para tre ditëve. Sakaq fatmirësisht raportohet se katër të infektuarit e ditës së sotme janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Ora 12:19
Tre të prekur në 24 orët e fundit! Vatër e re koronavirusi në Durrës

Në 24 orët e fundit në Durrës u regjistruan 3 raste të reja me koronavirus. Një rast është një 73-vjeçar që kishte lidhje me 78-vjeçarin që humbi jetën para 3 ditëve, rasti i dytë është një 69-vjeçare. Kjo e fundit është vatër e re. Ndërsa rasti i tretë ka lidhje me rastet e shkuara dhe nuk ka kaluar nga spitali i Durrësit por ja ka marrë tamponin ISHP-ja.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?