Shkrihen Albtelecom-One? Opozita: Kufizon konkurrencën! Kreu i AKEP: Do monitorojmë nëse do ketë ndikim të konsumatori

18 Maj 2022, 20:20| Përditesimi: 18 Maj 2022, 20:45

  • Share

TIRANË- Shitja e dy kompanive të telekomunikacionit ONE dhe Albtelecom, tek e njëjta kompani hungareze 4iG, mund të sjellë ulje të numrit të operatorëve në treg, pasi ekziston mundësia që këto kompani të bashkohen në një.

Kjo mundësi e konfirmuar në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese nga Kreu i AKEP Tomi Frashëri, për opozitën kufizon konkurrencën.

"Nëse nuk ka një autorizim nga AKEP, nuk ndodh, e them që të kuptojmë që nuk ka mërxhi për momentin, jo se nuk mund të ndodh, ne nuk paragjykojmë këtë proces", tha Frashëri.

"Nëse One dhe Albtelecom bashkohen, ky bashkim ka dyfishin e frekuencave, sjell një barrierë teknologjike dhe ekonomike për hyrjen potenciale të një konkurrenti të tretë në treg", tha deputeti demokrat, Helidon Bushati.

Të dyja kompanitë u shitën tek hungarezët në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa kreu i AKEP, thekson se do të monitorohet tregu vazhdimisht edhe nëse ndodh shkrirja në një të vetme, për të shmangur dëmtimin e qytetarëve.

"Do të monitorojmë bazuar edhe në vendimin e Autoritetit të Konkurrencës, që nëse do ketë impakt te konsumatori dhe çmimet, por kjo kërkon kohë", tha Kreu i AKEP Tomi Frashëri.

Ndërsa sa i takon rrjetit 5G, Frashëri tha se në qershor do të kalojë nën administrimin e AKEP brezi i frekuencave 700 MHZ, ku edhe bazohet rrjeti, dhe më pas do të nisin konsultimet me operatorët për të parë nëse kanë interes.

5G është gjenerata që premton shpejtësi më të madhe se rrjetet e tjera dhe ka më pak vonesa, edhe nëse shumë pajisje e përdorin atë në të njëjtën kohë.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?