Shkrirja e SHÇBA-së në Agjenci të Mbikëqyrjes Policore nuk është e largët. Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi prezantoi tek ‘Ligjet’ risitë e këtij ndryshimi. Në dallim nga SHÇBA, drejtuesi i së cilës emërohet dhe shkarkohet direkt nga ministri i Brendshëm, drejtuesi i AMP bëhet direkt nga Kryeministri i vendit, dhe propozohet nga ministri. Kështu parashikon projektligji i ri i përgatitur nga Ministria e Brendshme të cilin e ministri Bledi Çuçi e prezantoi në Komisionin e Ligjeve. Agjencia merr, grumbullon, përpunon dhe dokumenton informacion dhe të dhëna për Policinë e Shtetit, Gardës së Republikës dhe Zjarrëfikëses, njëlloj siç i janë dhënë policisë kompetenca.
‘Do jetë një Agjenci Inteligjente për të luftuar korrupsionin dhe për të parandaluar veprimtarinë e paligjshme në radhët e subjekteve të Agjencisë. Transformimin e Agjencisë drejt një modeli më demokratik dhe institucional. Sa i takon risive të projekt/ligjit, në radhë të parë është zgjeruar fusha e përgjegjësisë. Tashmë sot ajo që quhet SHÇBA dhe pas miratimit të ligjit do të quhet Agjenci në fushën e përgjegjësisë do të shtohen dhe subjekte të tjera si Garda e Republikës apo Shërbimi Zjarrfikës përveç Policisë së Shtetit që është deri më tani. Edhe ndryshimi i emrit ka kuptimin e vet.’- tha Çuçi.
Një nga detyrat e reja që do të ketë Agjencia janë edhe vettingu dhe certifikatat e sigurisë. Ky projektligji sipas ministrit, do të shmangë konfliktet e interesit për të bërë karrierë.
‘Risi tjetër është kalimi në një strukturë civile, zhveshja nga gradat dhe krijimi i strukturës civile në një qëllim të qartë karriere dhe duke shmangut konfliktin e interesit me subjektin që mbikqyr. Unifikon të gjithë punonjësit në të drejta dhe detyrime që në legjislacionin aktual nuk e gjen një të tillë pasi disa nga të drejtat dhe përfitimet suplementare i gëzojnë vetëm punonjësit me grada. Kemi synuar ti unifikojë këto të drejta dhe benefite. Risi tjetër është se ky legjislacion përcakton detyrimet që rrjedhin nga aktet ligjore, të miratuara ndërkohë, si ai për vlerësimin kalimtar dhe periodik të subjekteve mbikqyrëse. Risi tjetër është veprimtaria verifikuese për pajisjen me certifikatën e sigurimit të personelit të subjekteve. Ky detyrim ka lindur dhe pas miratimit në 2015 të vendimit të qeverisë për miratimin e rregullave të sigurimit të personelit, i cili i jep të drejtën Agjencisë si autoritet verifikues për pajisjen me certifikatë sigurie të subjekteve që për shkak të detyrës duhet të njihen me informacion të klasifikuar. Aktualisht veprimtaria e pajisjes me certifikatë ndiqet nga policia dhe SHÇBA. Ndjekja në këtë mënyrë e këtij procesi ka ndikuar në krijimin e hapësirave abuzuese. Nga inspektimet e SHÇBA në polici janë identifikuar një sërë problemesh.’- tha Çuçi.
Nga ana tjetër deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj kërkoi që prezent në takimin e radhës të jetë edhe drejtuesi i Policisë së Shtetit.
'Po ashtu do të doja ministri të jetë edhe në seancën e radhës dhe gjithashtu përveç tij të jetë prezent edhe drejtorit i Përgjithshëm i Policisë sepse ky ligj ka dy aktorë kryesore atë ekzekutive dhe të drejtën i kontrolluari të shprehë brenda parlamentit të gjitha sensibilitetet lidhur me këtë projektligj', tha Alibeaj.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore do të ketë dukshëm më shumë kompetenca se sa SHÇBA. Në objektiv të saj do të jetë parandalimi, zbulimi dhe hetimi i shkeljeve administrative dhe veprave penale në Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës dhe Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi.
Agjencia do të ketë rol në inspektimin, shqyrtimin dhe trajtimin e ankesave, procesin e Vetingut në polici si dhe verifikimin e punonjësve mbi plotësimin e kushteve për pajisjen me certifikatë sigurie. AMP-ja do të ketë në bazë të saj edhe përdorimin e testit të poligrafit, i cili në vendin tonë është përdorur për kandidatët për drejtues dhe hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Njësia e ekzaminimit të testit të poligrafit kryen procesin e ekzaminimit poligrafik për subjekte të saj si dhe të çdo subjekti tjetër, sipas kërkesave të institucioneve të tjera në përputhje me legjislacionin e tyre organik. SHÇBA, në organikën e saj nuk e ka patur testin e poligrafit.