Diella

Bota

BBC shkrim për Diellën: Kryeministri i Shqipërisë thotë se ministrja e parë në botë nga AI do të eliminojë korrupsionin

12 Shtator, 22:29| Përditesimi: 12 Shtator, 22:51

  • Share

Për zyrtarët e qeverisë, të të quajturit “pa zemër” është një rrezik i zakonshëm i profesionit. Por Shqipëria ka zgjedhur ta kthejë në një cilësi pozitive, duke emëruar një ministre të krijuar nga inteligjenca artificiale.

Jo një ministre për inteligjencën artificiale. Por një anëtare kabineti, e cila është, në kuptimin e plotë të fjalës, produkt i AI. Njihet vetëm me një emër të vetëm: Diella.

Kryeministri Edi Rama e prezantoi atë si pjesë të kabinetit të tij të ri të enjten, katër muaj pas sigurimit të mandatit të katërt në zgjedhjet e majit.

Megjithatë, ky hap ishte më shumë simbolik sesa zyrtar, pasi kushtetuta e Shqipërisë kërkon që ministrat të jenë qytetarë të aftë mendërisht dhe të paktën 18 vjeç.

Avantazhet janë të dukshme. Diella, emri i së cilës do të thotë “diell” në shqip, nuk do të jetë burim korrupsioni për qeverinë. Ajo do të ketë “uri për pushtet” vetëm në kuptimin e energjisë elektrike që konsumon. 

Në fakt, korrupsioni ishte kryefjala në mendjen e Ramës kur e bëri Diellën pjesë të ekipit të tij si ministre për prokurimin publik.

Roli i saj do të jetë të sigurojë që Shqipëria të bëhet “një vend ku tenderat publikë janë 100% të lirë nga korrupsioni”.

“Ne po punojmë me një ekip brilant, jo vetëm shqiptar, por edhe ndërkombëtar, për të dalë me modelin e parë të plotë të AI në prokurimin publik,” tha kryeministri për BBC.

“Jo vetëm që do të fshijmë çdo ndikim të mundshëm në tendera – por gjithashtu do ta bëjmë procesin shumë më të shpejtë, shumë më efikas dhe plotësisht të llogaritshëm.”

Diella kishte filluar punën në Shqipëri edhe përpara se të “emërohej” nga qeveria. Shfaqja e saj e parë ishte si asistente virtuale e fuqizuar nga AI, që udhëhiqte aplikantët në procesin e marrjes së dokumenteve zyrtare.

Rama krenohet se Diella ka “ndihmuar mbi një milion aplikime” në platformën e-Albania. Por vizioni i tij për rolin e AI në qeverisje është shumë më i madh sesa një chatbot.

Ai flet për një “kërcim përpara” ndaj vendeve më të mëdha e më të avancuara, të cilat ende janë të lidhura me “mënyrat tradicionale të punës”.

Reagimet e para: skeptikë dhe optimistë

Reagimet ndaj rolit të ri të Diellës janë, siç pritej. Partia Demokratike e opozitës e ka cilësuar këtë nismë si “qesharake” dhe “jokushtetuese”.

Por të tjerë janë më optimistë, megjithëse me kujdes. Aneida Bajraktari Bicja, themeluese e kompanisë financiare Balkans Capital, vëren se Edi Rama “shpesh i përzien reformat me teatrin, ndaj është e natyrshme që njerëzit pyesin nëse kjo është thjesht simbolikë”. Por sipas saj, një “ministre e AI” mund të jetë ndërtuese nëse zhvillohet në sisteme reale që rrisin transparencën dhe besimin në prokurimin publik.

Edhe ekspertët kundër korrupsionit e shohin AI si mjet me potencial për të minimizuar abuzimet.

“AI është ende një mjet i ri – por nëse programohet saktë, kur dorëzon një ofertë online, mund të shohësh qartë e nga afër nëse një kompani plotëson kushtet dhe kriteret,” thotë Dr. Andi Hoxhaj nga King’s College London, specialist për Ballkanin Perëndimor, korrupsionin dhe sundimin e ligjit.

Ai beson se progresi i shpejtë i Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit në BE, dhe inkurajimi nga Brukseli për t’i përfunduar ato deri në vitin 2027, i japin vendit një nxitje të fuqishme për të luftuar korrupsionin.

“Shumë gjëra janë në lojë,” thotë ai. “Kushti kryesor nga BE ka qenë adresimi i korrupsionit. Nëse [Diella] është një mjet që mund të përdoret për këtë qëllim, ia vlen të eksplorohet.”

Shfaqje apo realitet?

Edi Rama nuk e mohon se nisma ka edhe element të një truku mediatik. Por këmbëngul se ka një synim serioz.

“Kjo vendos presion mbi anëtarët e tjerë të kabinetit dhe agjencitë kombëtare që të punojnë dhe të mendojnë ndryshe. Ky është përparësia më e madhe që pres nga kjo ministre,” thotë ai. Me fjalë të tjera, ministrat duhet të kenë kujdes: AI mund të vijë edhe për punët e tyre./BBC

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni ndryshimet që bëri Rama në kabinetin qeverisës?