Shkrimtarët flasin për situatën politike në vend, Primo Shllaku dhe Lazër Stani: Të reagojnë intelektualët

5 Prill 2019, 13:49| Përditesimi: 5 Prill 2019, 17:09

  • Share

Shkrimtarët Primo Shllaku dhe Lazër Stani analizojnë situatën politike ku gjendet vendi ynë sot. Për ta situata është alarmante, sepse politika që opozita bën nga rruga nuk është një zgjidhje, por vetëm paralizon dhe bllokon jetën sociale të shqiptarëve. Prandaj, për “ReportTV” ata shprehen se duhet që të ketë një reflektim nga partitë politike edhe nga intelektualët e këtij vendi, përpara se të jetë vonë.

“Situata vetëm dramatike. Kjo histori ka paralizuar zemrën e shoqërisë shqiptare, e cila po shuhet, po fiket, sepse asnjë nga gjymtyrët e saj nuk po funksion më. Politika ka bllokuar jetën sociale në të gjitha pikëpamjet. Ne në pozicionet që jetojmë edhe marrim frymë nuk dimë shumë nga politika, por thithim edhe interpretojmë atmosferën sociale; shoqërisë shqiptare i është ngjitur sëmundja e politikës. Nëse shoqëria shqiptare ka qenë gjithmonë e sëmurë nga kontradikta, që ka interesi vetjak në politik, si biznesi më fitimprurës. Edhe interesi publik, i cili nuk ka fitim material, por ka vetëm fitim moral, atëherë dalim në konkluzionin se shoqëria shqiptare nuk është vetëm e korruptuar, por edhe e korruptueshme. Madje, sëmundja ka shkuar aq thellë, sa ajo është bërë edhe korruptuese. Për shembull, unë nuk kam nevojë që të shkojë në një zyrë shteti që të korruptohem, por korruptohem kudo, në çdo hap timin më kërkojnë që të korruptohem, që të mos bëj atë që thotë ligji. Kjo është fatkeqësia më e madhe, sepse sot tek ne sendet nuk quhen më me emrin e tyre. Ne jetojmë brenda një metonimie, ku tjetër gjë thuhet edhe tjetër gjë është në fakt. U kemi ndërruar emrat sendeve, për të mos u mbyllur shtigjet për të shpëtuar. Nëse sendet thuhen me emrin e vet, edhe shtigjet ndoshta janë të ngushta. Ata që flasin troç demonizohen nga politika dhe janë kthyer në një krakavitje bretkosash. Nuk e kuptojnë se nuk duhet që të flasin më. Ose ka ardhur koha që të heshtësh, ose duhet që të vdesësh në heshtje. Nuk ka hapësirë sociale më, sepse politika luan lojën e pistë të metonimisë. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë, që ne Otellon, që e dimë si arapin e Venedikut, një zezak nga Gana, e quajmë bardhosh. Në vend që t’i themi Otello i themi bardhosh. Të vazhdojmë me insistim ta quajmë të bardhë, që ai të imponohet tek mendjet, që kanë keoficent të ultë gjykimi”, shprehet shkrimtari edhe poeti Primo Shllaku.

Sipas Shllakut, shoqëria shqiptare është një shoqëri fshatare, që ka nofulla të fuqishme se ha bukë misri, por ha edhe gënjeshtra.

“Shoqëria shqiptare është një ripërtypëse gënjeshtrash. Unë mendoj se kjo paralizë nuk ka arritur në kulmin e vet. Kjo paralizë mund ta çojë shoqërinë shqiptare në fazat e fundit të kolapsit, por mund ta çojë edhe në një përplasje, prej së cilës ajo nuk do të ketë asnjë lloj përfitimi, por përfitimin do ta ketë vetëm politika. Kolapsin e kemi në derë edhe përplasjen e kemi tek dera e oborrit. Pra po jetojmë ardhjen e agonisë nga dera e oborrit, tek dera e shtëpisë”, vijon Shllaku.

Ndërsa, për shkrimtarin edhe përkthyesin Lazër Stani mjafton që të lexosh lajmin, ku 62 për qind e shqiptarëve nëse do të kishin mundësi do të largoheshin nga Shqipëria, për të kuptuar se realiteti shqiptar është jashtëzakonisht alarmant.

“Mjafton të lexosh lajmin e sapobotuar, se 62 për qind e shqiptarëve po të kishin mundësi ikin nga Shqipëria, për të kuptuar se një gjendje jashtëzakonisht alarmante në realitetin shqiptar. Kjo gjendje nuk është krijuar thjesht nga opozita, por nga standardet e qeverisjes për të kryer disa detyrime ndaj qytetareve. Një qeveri punon për sigurinë, mirëqenien edhe edukimin e qytetarëve. Siç duket qeveritë tona asnjëherë nuk ja kanë dalë që ta bëjnë Shqipërinë një vend të jetueshëm. Më habit qëndrimi i politikanëve të sotëm, gjendja është jashtëzakonisht anormale, me një opozitë, që ka braktisur parlamentin dhe institucionet politike të vendit dhe që politikën e saj e zhvillon nga rruga. Kjo tregon se deri ku ka shkuar anormaliteti. Është momenti që të reflektojnë të gjitha palët. Qeveria duhet që të reflektojë se, unë nuk mundet që ta konceptoj se si mund të zhvillohen zgjedhjet pa opozitën, pavarësisht se i kujt është faji. E zëmë se u bënë edhe i fituan zgjedhjet në 30 qershor në 60 bashkitë e vendit. Atëherë ku po shkojmë? Po shkojmë drejt një sistemi njëpartiak, i kontrolluar nga një njëri që është kryeministri i Shqipërisë. Kam pritur se disa gjëra do t’i bënte më mirë, duke qenë se vinte nga bota e artit. Për këtë ka një heshtje nga ana e intelektuale edhe mua më vjen keq”, shprehet shkrimtari Lazër Stani.

Me tej Stani kujton se kur diskutohej prishja e Piramidës pati një reagim të gjithanshëm, ndërsa tani në këtë situatë ka një lloj heshtje të intelektualëve, për shkak të përjashtimit edhe të mospërfilljes.

“Në vitet ‘90 deri ’96-2000 intelektualit kanë qenë shumë aktivë në politikë, por pas vitit 2000 intelektualët nuk u duheshin më partive, sepse u duheshin njerëz me lekë, që të blinin zgjedhjet. Kjo është arsyeja nëse shihni listat për deputet edhe këshilla bashkiak në disa qytete, si Korça, Shkodra, Tirana, Durrësi, ku nuk ka asnjë njeri të kulturës. Zëri i tyre është i mënjanuar totalisht, se kësaj politike njerëzit me mendje nuk i duhen më. Tani u duhen njerëz që mund që të investojnë për të marrë vota. Kjo është fatkeqësia që sot shqiptarët janë pa besim te klasa politike”, thotë përkthyesi Stani.

Megjithatë të dy intelektualët mendojnë se ka rrugëdalje për situatën e krijuar.

“Patjetër që ka rrugëdalje. Rrugëdaljet legale janë të mbyllura të gjitha, sepse nuk ka parti të reja që të dalin me alternativa. Sa herë që kanë dalë partitë e reja me alternativa janë mbytur, u është përdredhë qafa, pavarësisht nëse kanë pasur apo jo vizione, me atë që thuhet atje edhe atë që thuhet këtu, flasim për botën që na ka marrë në patronazh. Por ata janë parë jo si alternativa politike, që mund të përmirësojnë klimën dhe hapësirën sociale, por janë parë si njerëz që duan të bëhen pjesë të lakrorit. Kanë kënduar vetëm dy partitë e mëdha, të cilat tani nuk po këndojnë më, sepse ka një presion për një pastrim total. Unë mendoj se vetëm një pastrim total, një përmbysje e establishmentit politik, një ikje nga politike, siç ka ndodhur në vitet ’90 në Itali, mund ta shpëtojë këtë vend. Nëse mbetet qoftë edhe një element i kësaj politike, që është në krye të vendit sëmundja do të shumëfishohet”, thotë Shllaku.

Edhe për shkrimtarin Lazër Stani ka rrugëdalje, e cila fillimisht gjendet tek shtresa e pakorruptuar.

“Sigurisht që ka rrugëdalje, për fat të keq kemi një përsëritje të së shkuarës, një sistem jopartiak. Një shkrimtar thotë, se ‘historia nuk thotë kurrë mirupafshim, por thotë shihemi më vonë’. Mendoj se është një moment dramatik që duhet që të reagojnë të gjithë. Ka zëra edhe brenda maxhorancës, që thonë se situata nuk është normale dhe kërkohet një zgjidhje, që besoj se do të arrihet. Por mendoj se nga ana tjetër duhet që të rritur presioni nga shtresat e pakorruptuara, duhet rrit presioni drejt politikës, që të bëjë zgjedhje të arsyeshme, që i shërbejnë këtij vendi”, shton Stani. 

 Sa i përket ndikimit të kësaj situate në art edhe kulturë, fusha të cilat Stani dhe Shllaku kanë dhënë një kontribut jo të pakët, shprehen se: “Ne jemi pjesa më e varfër e intelektualëve. Edhe e keqja e madhe është që kjo situatë nuk po na lë as për të shijuar as varfërinë tonë. Varfëria nuk është gjithmonë joproduktive, është edhe produktive. Këtu ka një situatë të helmatisur, që ka vrarë kritikën dhe horizontin e pritjes. Ne jemi njerëz që pjellim shkretëtirë, nuk pjellim maternitet. Shoqëria shqiptare me këtë kolaps që është, e ka mendjen tek xhepat, që mos t’i fusin dorën në xhep, që t’i vjedhin edhe monedhën e fundit. Në botën e librit kanë hyrë disa rregulla të reja financiare, siç është rritja e TVSH-së së librit (me 6 %). Libri po rrudhet! Edhe logjika e shtetit është kjo, që përderisa shqiptarët i mbajnë të mbushura kafet kanë lekë, por nëse ka shenjë dëshpërimi më të madhe është jeta që bën rinia shqiptare nëpër kafe. Këtë e bëjnë se janë të përjashtuar nga të gjitha hallkat e këtij vendi. Nëse ka shumë njerëz që rrinë në kafe, kjo nuk tregon pasurinë tonë, por mjerimin tonë. Kjo tregon jo vetëm që nuk kemi lekë, por nuk kemi as perspektivë edhe as punë. Të gjitha këto fenomene nuk kanë zë. Qeveria dhe shoqëria nuk merren me këto statistika”, thotë Shllaku.

Stani për të ndalur më shumë tek kriza në të cilën gjendet aktualisht shoqëria jonë, sjell një shembull konkret nga fusha e librit.

“Po marrë vetëm një aspekt që është i lidhur drejtpërdrejtë me kulturën. Para disa ditësh vizitova një librari, që pronari më tha, se brenda pesë viteve shitja e librit ka qenë me 40 për qind. Ku po shkojmë në një vend që nuk lexohet më, edhe që nuk ka fuqi blerëse për ushqime, e aq më pak për një vend që nuk ka mundësi për edukimin e fëmijëve. Një popull pa libra dihet ku shkon, nuk shkon drejt qytetërimit, por shkon drejt barbarisë”, përfundon Lazër Stani.

Dy intelektualët përfundojnë se partitë politike duhet që të bien dakord, për zgjidhje të cilat i shërbejnë këtij vendi, edhe jo interesit vetjak.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?