Shkrimtarin Agim Gjakova këto ditë e takojmë në Tiranë. Ai na rrëfen për romanin e tij më të fundit, “E dashura e katër djemve”, që ka në qendër dinjitetin njerëzor, atë të gruas shqiptare, që shpeshherë i duhet të përballet dhe me peripeci të ndryshme për të ruajtur personalitetin e saj
““E dashura e katër djemve” i kushtohet dinjitetit njerëzor, kryesisht vajzave, në kushtet ekonomike dhe sociale në një sistem demokratik, që sakrifikojnë për të ruajtur personalitetin. Këto ngjarje nënkuptohet që ndodhin në botën shqiptare, por nuk përcaktohen se ku mund të jetë në Korccë, Vlorë apo Prishtinë”, thotë shkrimtari Agim Gjakova.
Jetën si shkrimtar mes dy kufijve shqipfolës e ka përballuar jo vetëm në këto 30 vite tranzicion, por edhe gjatë regjimit komunist ku duhej që të përgjigjej për subjektet e veprave të tij në një nga plenumet e Lidhjes së Shkrimtarëve. Megjithatë, Gjakova thotë se në të dy vendet është ndier njësojë.
“Më pyesin, si e ndiej vetën në Kosovë, si në Shqipëri? Unë e ndiej veten njësoj, pasi dhe këtu edhe atje kam shoqërinë time. Nuk e ndiej veten ngushtë në asnjë vend. Si shkrimtar gati-gati njëlloj, siç kam qenë këtu gjysmë i injoruar këtu dhe atje, pasi kur punova në shtyp se kam kursyer klasën pseudo-intelektuale të Kosovës. Prej kësaj ka pas përpjekje që të veprën time ta bojkotojnë, por s’kanë mundur. Kjo është e vërteta”, rrëfen shkrimtari.
Ndërsa, ndalet dhe tek komunikimi i letërsisë shqipe me lexuesin, shprehet se interesi që kanë institucionet tona për ta zhvilluar më tej atë është i vaktë
“Më duket sikur është njëlloj, sa i përket mënyrës institucionale, ia kanë ‘varë’ letërsisë, si në Shqipëri dhe në Kosovë. Këshilli i Librit nuk është për të vendos sesa lekë duhet dhënë njërit e sa tjetrit, por që ta meritojnë atë vlerësim. Në Shqipëri ende kanë mbet me klauzolat e vjetra, Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli. Pra e kam fjalën që është një farë lloj shabllonizmi i institucioneve tona, duke u nis nga universitetet e më tej, që nuk interesohen shumë për gjetjen e talenteve të reja. Pavarësisht sistemit, në kohën e monizmit inkurajoheshin talentet e reja. Ishin brenda kornizave ideologjike, por interesoheshin për të rinjtë”, përfundon Gjakova.
Agim Gjakova u lind në Kavajë. Shkollën fillore edhe të mesme i kreu në Gjakovë. Studimet e larta i kreu në Beograd e më pas në Tiranë për letërsi frënge. Është autor i 22 romaneve edhe përmbledhjeve poetike.