Shkrimtari Nasho Jorgaqi rrëfen publicistin Arben Xoxa, si ish-student dhe krijues: La pas një krijimtari të çmuar

25 Shkurt 2019, 16:24| Përditesimi: 25 Shkurt 2019, 16:50

  • Share

Në një orë, para se të përcillej për në banesën e fundit, publicisti Arben Xoxa (1952-2019) u nderua në hollin e Librit Akademik, pranë Akademisë së Shkencave. Familja, gruaja Valbona dhe vajza e tij, Ajola që ai i la pas, ishin aty, por nuk e lanë pa nderuar as të afërmit, miqtë dhe kolegët. “Report TV” sjell rrëfimin e shkrimtarit Nasho Jorgaqi, i cili e njihte Arben Xoxen jo vetëm, si të birin e Jakov Xoxës, por edhe si ish-studentë të tij dhe intelektual me vlera.

Zoti Jorgaqi, si e keni njohur ju publicistin Arben Xoxa?
E kam të vështirë që të shprehem sot, në këtë ditë tepër të dhimbshme, që na iku papritur një nga studiuesit dhe publicistët më të mirë të brezit të tij. Unë kam pasur fatin dhe nderin që të kem edhe lidhje farefisnore, por më shumë se kaq është miqësia ime, që kam pasur me babanë e Arbenit, shkrimtarin tonë të shquar Jakov Xoxa. Edhe përse kemi pasur një farë diference në moshë, pasi ai ishte i një brezi tjetër, ne kishim një miqësi të ngushtë për vite të tëra me radhë. Kështu që unë e kam për nderë, që të evokojë kujtimet që më ka lënë kjo miqësi me Jakovin, si një nga shkrimtarët më të shquar të letërsisë sonë, një nga ata shkrimtarë që përbëjnë elitën e letërsisë shqipe të shekullit XX-të, nga etrit e romanit shqiptar. Jakovi ka pasur dy djem, Agronin dhe Arbenin. Arbeni vazhdoi studimet për letërsi në Fakultetin e Histori Filologjisë. Ndërsa, Agroni studioi për muzikë, për piano. Lidhjet unë i kam pasur me Arbenin, të cilin e kam pasur studentë gjatë studimeve të tij. Kështu që isha në kontakt me të, jo vetëm si student, por edhe si djalë i Jakovit. Ajo që binte në sy tek Arbeni është që ai ndiqte me sukses rrugën e të atit. Do të merrej me problemet teorike të letërsisë, por do të merrej edhe ai me letërsi. Po kështu edhe në fushën e krijimtarisë.

Dy janë fushat që ka lëvruar Arben Xoxa, fushën e studimeve letrare dhe të krijimtarisë. Çfarë mund të na thoni ju për këtë?
Në fushën e studimeve letrare, unë kam pasur fatin që të jem udhëheqësi i temës së tij të diplomës, që për herë të parë trajtohej në studimet tona, një vepër, siç ishte drama ““Israilitë dhe Filsitinë”” e Fan Nolit. Një vepër me thelb filozofik, me një gjuhë pak a shumë alegorike, me ide edhe iluzione, ku subjekti ishte biblik. Noli e mori këtë subjekt edhe nëpërmjet tij shprehu shqetësimet e tij që kishin lidhje me lëvizjen kombëtare shqiptare. Jo rastësisht ja dhashë Benit këtë temë të vështirë, sepse gjatë seminareve që zhvilloheshin në kursin tim ai ishte i përgatitur, shkëlqente. Kjo i detyrohej edhe faktit që kishte një baba, si Jakovi, por edhe interesave të tij për t’u marrë me vlerat teorike-letrare. Unë kisha besim tek ai, prandaj ja dhashë këtë vepër, për të cilën ishte shkruar vetëm një artikull në vitin 1944 nga Arshi Pipa. Kishte mbetur jashtë vëmendjes së kritikës, për vështirësitë që paraqiste. Unë mbeta i kënaqur nga tema e shtjelluar prej tij, me njohje të problematikës, që nxirrte vepra dhe me shtjellimin e problematikës që paraqiste vepra.

Gjatë gjithë kohës që Arbeni punonte për temën Jakovi tregohej shumë i vëmendshëm, donte që Beni ta kryente me sukses detyrën. Interesohej gjithmonë për vlerat e të birit. Kjo ishte një provë, sepse ai mbyllte studimet e tij letrare dhe Jakovi donte që i biri të kishte bërë një studim vërtet të çmuar. Nuk ishte një punë e përciptë, por e thelluar. E këshillova, që këtë temë mos ta linte me kaq. Fati bëri që ai të merrej përsëri dhe të botonte një studim të mëtejshëm për këtë vepër. Kur studiuesit e Kosovës nisën që të merren me Fan Nolin dhe me këtë  dramë, do t’i referoheshin edhe studimeve të tij për këtë vepër. Kjo është një provë tjetër për vlerat e Arbenit, si studiues dhe kritik letrar në këtë fushë.

Por një fushë tjetër ku Arbeni do të tregonte talentin e tij letrar do të ishte proza, ai do të botonte tre novele, që janë mirëpritur nga lexuesi...
Unë do ta nxisja për vlerën që kishte talenti i tij letrar, në gjini të prozës, pikërisht novelën. Por ajo që vija re tek ai ishte një njeri që nuk mburrej me punën  e tij, kishte një ekuilibër edhe nuk nxitohej.

Para viteve ’90 ishte shef redaksie në shtëpinë botuese “8 Nëntori”. Pas viteve ’90, ai u bë drejtor i kësaj shtëpie drejtore, që mori emrin Shtëpia Botuese Enciklopedike... Si e kujtoni këtë periudhë?
Gjatë kësaj periudhe do të botonte vepra me vlerë. Them vepra me vlerë se nëse shtëpitë e tjera botuese botonin çdo vepër që u dërgonin për të botuar, kjo nuk ndodhte me të, sepse ai botonte vepra cilësore. Unë kam pasur rastin që të botoj një vepër të rëndësishme bashkë me profesor Xhevat Lloshin, “Antologji e njerëzve të mençur”. Ka edhe një meritë tjetër, meqenëse ishte i biri i një shkrimtari të madh siç qe Jakovi. Ai bëri një punë të madhe për të ribotuar dhe botua veprat e tij, si “Lumi i vdekur” apo “Lulja e Kripës”, që u botua për herë të parë. Po kështu ai ka përgatitur edhe poezi të tij, që Jakovi i ka lënë në dorëshkrim.

Është për të ardhur shumë keq, që Beni po ikën në moshën e pjekurisë, kur kishte edhe planet e tij. Kur mësova se vuante nga një sëmundje e rëndë u trishtova shumë, kisha shpresë së do ta kapërcente këtë rrezik fatal, por kur pashë lajmin se ai ishte ndarë nga jeta u ndjeva shumë keq. Është një dhimbje, si djali i mikut tim, Jakovit, dhimbje si ish- studenti im, dhimbje si një nga intelektualët e shquar të brezit të tij. Por, Arben Xoxa la pas një emër shumë të mirë, la pas një krijimtari të çmuar dhe emri i tij do të kujtohet edhe do të nderohet.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?