Shkrirja e Bordit të Karburanteve nuk do të sjellë ulje të çmimeve të hidrokarbureve. Kështu nënvizon në një deklaratë për mediat Konfindustria, e thekson se mungesa e qartë e standardeve të konkurrencës vërehen sidomos në pjesë të caktuara të zinxhirit tregtar si shërbimet portuale, të depozitimit dhe të tregtisë me shumicë të karburanteve.
Konfindustria kërkon krijimin e Entit Rregullator të Karburanteve sipas modeleve të ngjashme të suksesshme në Rajon.
‘Konfindustria, duke marrë shkak nga shfuqizimi i Bordit të Transparencës vlerëson, se vendimi nuk pritet të sjellë asnjë ulje të çmimeve të karburanteve në treg,
përkundrazi mund të përkeqësohet më tej. Arsyeja e përfundimit të mësipërm është mungesa e konkurrencës së lirë në tregun e karburanteve, si pasojë e pranisë së oligopoleve dhe marrëveshjeve të tipit kartel.Mungesë e qartë e standardeve të konkurrencës vërehen sidomos në pjesë të caktuara të zinxhirit tregtar si shërbimet portuale, të depozitimit dhe të tregtisë me shumicë të karburanteve. Konfindustria përsërit kërkesën për krijimin e Entit Rregullator të Karburanteve sipas modeleve të ngjashme të sukseshme në Rajon.’- thekson Konfindustria.
Një ditë më parë ministrja e Financave njoftoi se Bordi për caktimin e çmimit të Karburantëve nuk do të funksionojë më! Bordi i Transparencës u ngrit në 12 mars të vitit të kaluar me qëllimin për të shmangur abuzimet nga ana e kompanive që tregtojnë karburante. Ai u ngrit në një kohë kur si pasojë e luftës në Ukrainë, 1 litër naftë shkoi rreth 300 lekë. Çmimi më i lartë që Bordi ka vendosur ka qenë 265 lekë litri për naftën, ndërsa më i ulëti 169 lekë për litër. Teksa opozita e ka sulmuar si Bord klientelist, mazhoranca e ka cilësuar si mekanizmin e vetëm për të mbajtur në kontroll çmimet. Bordi i Karburanteve u ngrit paralelisht me atë të përcaktimit të çmimit të ushqimeve, që u shkri nga Kushtetuesja 22 shkurtin e kaluar.