TIRANË- Nga 1 shkurti do të nisë shkrirja e gjykatave të Apelit, ndërsa për Gjykatat e Shkallës së Parë do të nisë më 1 maj. Kryetarja e Komitetit të Helsinkit, Erinda Skëndaj foli në Report Tv për hartën e re gjyqësore që do të nisë implementimin nga ky vit.
Në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj, Skëndaj ngriti shqetësimin se me shkrirjen e këtyre gjykatave aksesi i qytetarëve në drejtësi do të vështirësohet, kjo për shkak se do të mbetet vetëm 1 gjykatë Apeli në Tiranë. Ndërkohë, ajo thekson se shkrirja e gjykatave do të kthehet në një kosto të shtuar për qytetarët, pasi shpenzimet e tyre për të ndjekur një çështje gjyqësore do të rriten.
“Deri diku mund t’iu shërbejë, por mbetet për t’u parë sesi do jetë zbatimi i hartës pasi numri i dosjeve është i konsiderueshëm. Shqetësimi ynë është shkrirja e gjykatave në nivel apeli. Në parim nuk jemi kundër shkrirjes së gjykatave, veçanërisht gjykata që janë të vogla, që kanë numër të konsiderueshëm çështjes. Në këtë kontekst është mirë që të ketë gjykata që janë në afërsi territoriale më gjykata që shkrihen, shqetësimet tona kryesore kanë të bëjnë më shkrirjen e gjykatave të apelit, do kemi vetëm 1. Shqetësimi ynë ka të bëjë me aksesin në drejtësi, veçanërisht të grupeve në nevojë. Që janë në pamundësi ekonomike për të paguar kostot e konsiderueshme që do iu imponohen si rezultat i shkrirjeve të gjykatave. Aksesi i qytetarëve në drejtësi do vështirësohet si rezultat i distancave të konsiderueshme gjeografike”, tha Skendaj.
Si zgjidhje, Skëndaj thotë se duhej të ishte para plotësimi i vakancave që u krijua për shkak të vettingut dhe mos të merrej direkt vendimi për shkrirjen e pesë apeleve, pasi e gjithë ngarkesa do t’i kalojë Apelit të Tiranës, ku pritet të shqyrtohen rreth 30 mijë dosje.
“KLGj nuk e pranon se kjo hartë është shkak i vakancave të krijuara nga vettingu. Në vlerësimin tim emergjenca më e madhe në sistemin e drejtësisë duhej të ishte gjetja e zgjidhjeve efektive sesi këto vakanca të plotësoheshin. Gjykata e lartë, e Apelit, administrative dhe e Tiranës kanë një numër të lartë të dosjeve. Në Apel do jenë rreth 30 mijë doje që do duhen të shqyrtohen nga një trupë prej 78 gjyqtarësh”, tha Skëndaj.
Por për avokatin Alban Duraj harta e re gjyqësore ishte një domosdoshmëri, pasi sipas tij disa gjykata kishim dalë jashtë funksioni pasi shqyrtonin një numër shumë të vogël çështjes, por ishin kosto për buxhetin e shtetit.
“Kjo është jo një justifikim lidhur me ngërçin, shqyrtimin e dosjeve për shkak të vakancave, por kjo është një vazhdueshmëri e reformës në drejtësi. Kjo është një domosdoshmëri, kemi pas gjykatat që nuk funksionin, kemi pasur kosto shtesë në buxhetin e shtetit dhe KLGJ. Do bëjmë të mundur që stafi pranë këtyre gjykatave dhe prokurorive do plotësojnë gjykata që kanë numër më të lartë kostosh”, u shpreh Duraj.
Qeveria shqiptare ka miratuar hartën e re gjyqësore e cila shkrin 18 gjykata në rang vendi dhe pritet të nis implementimin duke filluar nga 1 shkurti. Shqipëria ka 6 apele në të gjithë vendin dhe reduktohet në një Apel kombëtar. Ndërsa 13 do të jetë numri i gjykatave të shkallës së parë nga 22 që është aktualisht. Me vendimin e ri shkrihen gjykatat në Tropojë, Krujë, Lushnje, Pogradec, Mat, Përmet, Kurbin, Kavajë, Pukë.
/Lereni paten te gatuhet ne yndyren e saj/-thuhet ne nje shprehje te famshme.E gjitha kjo //qethje// qe ju be gjykatave ishte nje gabim i cmendur qe do t'i dalin pasojat shpejt.Pastaj do te filloje tregimi me gisht,fajesimi dhe kuptohet qe dikush do te mbetet ne fund te mbaje te gjithe pergjegjesine ligjore e penale per kete budallallek.
Përgjigju