Edi Harxhi

Politikë

'Shkrirja' e PD-së në Korçë, Edith Harxhi: Alarmi i fundit për Bashën, opozita është shterur dhe bjerrur nga lojërat e tij

28 Korrik 2021, 10:27| Përditesimi: 28 Korrik 2021, 10:31

  • Share

Edit Harxhi, një prej kritikeve më të ashpra ndaj Lulzim Bashës në Partinë Demokratike, e cila ishte edhe kandidate për kryetare e kësaj force politike në zgjedhjet e 13 qershorit, ka reaguar në lidhje vendimin e thuajse të gjithë drejtuesve të PD-së në Korçë për të tu larguar nga pozicionet.

Harxhi e konsideron këtë zhvillim si një sinjal të fundit alarmi ndaj Bashës për situatën në të cilën ndodhet PD-ja.

"Dorëheqja e 14 anëtarëve të PD-së në Korçë me në krye Sekretarin e Përgjithshëm Devi Osmani dhe ish Kryetarin e PD-së në Korçë Andrea Mano, janë sinjali i fundit i alarmit për situatën në të cilën ndodhet sot PD-ja. Pakënaqësia dhe dorëheqja masive e disa prej anëtarëve të kryesisë së degës Korçë, disa prej të cilëve qëndrestarë që prej vitit 1991, tregon edhe një herë se PD-ja është kapur në çdo segment të saj dhe se anëtarët e saj nuk munden më të bëhen pjesë e lojrave të kryetarit në detyrë Basha. Të atij kryetari, i cili vetëm një vit më parë u kish premtuar demokratëve të Korçës se do të kandidonte në listat e deputetëve të Korçës vetëm të zgjedhurit e tyre dhe jo ata të përcjellë me urdhër politik nga Tirana. Ndodhi e kundërta dhe nuk është çudi, sepse Kryetari në detyrë kudo premton, por ka problem me mbajtjen e premtimit. Çfarë aksioni opozitar do të bëjë ky kryetar në detyrë në shtator për mbrojtjen e votës, kur nuk do ketë më mbështetjen e demokratëve më të përkushtuar?", shkruan Harxhi.

Sipas saj në Korçë PD-ja ka pasur në zgjedhjet e 25 prillit 3000 anëtarë aktivë, ndërkohë në zgjedhjet për Kryetar Partie në 13 qershor, në listat e përgatitura nga Tirana ishin vetëm 2000 anëtarë, nga të cilët votuan vetëm 630 anëtarë.

"Pjesa tjetër nuk u la të votojë, sepse gjoja nuk kishin dokument identifikimi si anëtarë të PD-së. Rasti i degës së Korçës, një nga më të vjetrat dhe më të mëdhatë të Shqipërisë është flagrant, por jo i vetëm. Përgëzoj demokratët e Korçës për vendimin e tyre të përgjegjshëm. Ka qenë dhe mbetet bindja ime dhe e kam shprehur publikisht se ndryshimi do të vijë nga Korça. Situata paraqitet po aq dramatike me dorëheqje edhe në degë të tjera si Durrësi, Fieri, Shkodra, Saranda dhe të tjera. Tirana është rast i veçantë, sepse që prej vitit 2014 kryetari në detyrë Basha e ka shuar degën më të madhe të gjithë Shqipërisë, Tiranën. Tirana nuk ka degë të veçantë, dhe afërsisht 900 mijë banorë dhe afërsisht 200 mijë demokratë i komandon “lideri suprem” i opozitës nga selia qëndrore e kapur prej tij.

Kjo është situata aktuale në vend! Në Shqipëri, ku korrupsioni është një me shtetin dhe kur opozita është bërë një me shumicën qeverisëse, shqiptarët janë në rrugë të madhe. Opozita është shterur dhe bjerrur dhe është reduktuar vetëm në disa numra në parlamentin e ardhshëm. Prandaj vendi ka nevojë urgjente për një opozitë të fortë, për një PD të madhe dhe të bashkuar, për një forcë opozitare që thërret një aksion politik disa dimensional. Duke filluar nga fitimi i besimit të popullit opozitar, që përbën shumicën sot për karshi një qeverie të korruptuar dhe një opozite të kapur. Ngritja e vetëdijes dhe besimit të popullit opozitar është parësore në këtë rast. Nuk është e thënë të jesh në forume të Partisë për të bërë opozitën. Ajo do të ringrihet e fuqishme dhe tejet e vendosur dhe e përkushtuar jashtë kulisave të tenderave abuzivë të qeverisë dhe opozitës të kapur nga kryetari në detyrë. Pa ringritjen e opozitës nuk do të ketë çlirim nga e keqja aktuale", shkruan ish-kandidatja për kryetare e PD, Edit Harxhi.

Ditën e djeshme ish-Kryetari i degës së PD në Korçë, aktualisht anëtar i Këshillit Kombëtar Andrea Mano, Sekretari i Përgjithshëm, Devis Osmani dhe 13 anëtarë të Kryesisë kanë dhënë dorëheqjen nga pozicionet drejtuese duke hedhur edhe akuza të forta në drejtim të lidershipit të partisë. Ata thotë se zgjedhin që të japin dorëheqjen pasi kjo PD-ja në drejtimin e Lulzim Bashës është kthyer në një parti klienteliste për interesa të kryetarit, një parti ku mbizotëron arroganca, shpërfillja, nepotizmi dhe papërgjegjshmëria e lidershipit të PD.

Në ndryshim nga Lulzim Basha, që fajtor për humbjen në zgjedhjet e 25 prillit bëri qeverinë Rama, në deklaratën e dorëheqjes, të larguarit shprehen se faji ishte i vetë kryedemokratit i cili sipas tyre vunë në krye të listës emra që nuk përfaqësojnë vlerat dhe moralin  e qytetarisë. Humbja në 25 prill ka emër dhe sipas tyre është Lulzim Basha dhe Edmond Spaho, ky i fundit si drejtues politik në qarkun e Korçës, e për këtë theksojnë se do duhet të marrin përgjegjësitë. Mano, Osmani dhe 13 anëtarët e larguar rreshtohen krah zërave kritik të lidershipit aktual të PD duke thënë se kjo parti nuk më ajo e vlerave politike që lindi nga studentë të dhjetorit ’90, por “po merren këmbë vlerat e demokracisë”.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?