Skuadra kampione e Maqedonisë së Veriut, Struga luan sot në 17:00 kundër luksemburgasve të Hesperange në Shkup, për ndeshjen e parë në turin e tretë kualifikues të Conference League. Skuadra shqiptare drejtohet nga Shpëtim Duro, me trajnerin që u shpall kampion në vendin fqinj, duke kaluar edhe një tur në Evropë.
Trajneri u shpreh besimplotë se të tijtë do kalojnë më tej, duke u hedhur në sulm. Në konferencën për shtyp para ndeshjes, Duro tha se në grup ka një motivim për të kaluar në zonën play-off të këtij kompeticioni.
"Vazhdojmë ndeshjet e Europës, është e 5-a që do ta zhvillojmë, pas sfidave me Zalgiris dhe Buducnost. Patjetër që këtë takim skuadra jonë e pret me mjaft interes, sepse është moment historik dhe do të tentojmë për të kaluar në play off", tha Duro.
Trajneri tha se të tijtë nuk e diskutojnë motivimin për këtë duel, teksa u shpreh se për një moment e harruan ndeshjen e fundjavës së shkuar në kampionat.
"Motivimi nuk diskutohet, për një skuadër të re si jona. E presim me motivim të madh këtë takim, sepse pretendojmë, siç e thashë, dhe jemi pranë play-off-it. Frika më e madhe e motivimit për mua ishte ndeshja e kampionatit e ditës së diel, duke pasur parasysh se kishim harruar për një çast kampionatin, duke u futur tek ajo atmosfera e Kupave të Europës", vijoi trajneri.
Më fund Duro kishte edhe një falenderim për lojtarët, që zgjidhën ndeshjen dhe fituan në kampionat.
"Unë falenderoj skuadrën, që u përqendrua dhe e zgjidhi me jashtëzakonisht mençuri takimin e parë të kampionatit, për të menduar për këto dy takime shumë të rëndësishme për ne. Motivimi është pa diskutim i madh në gjithë ambientin", tregoi Duro.