Rrjeti elektrik djeg shtëpitë! 6 familje mbeten pa strehë në Burrel e Pogradec! Me lot në sy banorja kërkon ndihmë: Kemi fëmijët jashtë

13 Janar, 09:23| Përditesimi: 13 Janar, 14:09

  • Share

Pesë shtëpi janë shkrumbuar nga zjarri në qytetin e Burrelit mbrëmjen e së premtes.  Flakët ranë fillimisht në banesën e Sokol Skillës dhe u përhapën me shpejtësi në banesat e tjera që janë ngjitur me njëra-tjetren. Me lot në sy, Dallendyshe Skilla bëri thirrje për ndihmë pasi mbetën në qiell të hapur me tre fëmijë të vegjël.

‘Kam dalë në 19 pa 20 te puna. Kam lënë fëmijët brenda dhe kur më kanë marrë në telefon po të digjet shtëpia. Ka ndodhur nga ora 6 e 30 në orën 7 të darkës. Fëmijët kanë qenë tek tezja e vet. Nuk e di se cili ka qenë shkaku i zjarrit vetëm më kanë thënë se banesat janë djegur. Kanë ardhur mbrëmë përfaqësues të bashkisë. Sot me kanë thënë se do vijnë serish. Kërkojmë ndihmë të strehojmë fëmijët.’- tha ajo.

Pavarësisht ndërhyrjes së zjarrfikëse, nga banesat nuk ka ngelur thuajse asgjë, pasi u shkrumbuan me gjithë orendi. Mendohet se shkak i zjarrit është një shkëndije elektrike, ndërsa 18 anëtarët e pesë familjeve e kanë kaluar natën tek të afërmit. Nezir Sinani, drejtor i Emergjencave Civile pranë Bashkisë Mat, tha për Report Tv tha se po punohet për strehimin e tyre.

‘Janë objekte pa leje, magazina të vjetra jo ndërtesa, pra me ndërtim solide por të adoptuara. Me këtë familje do të zbatojmë të gjitha procedurat për strehimin e tyre. Aktualisht janë 5 familje. Ne thirrëm dhe biseduam me familjet. Aktualisht mbrëmë kanë qëndruar tek të afërmit e tyre ndërsa sot do të bëjmë verifikimin e situatës. Kemi ngritur grupin e punës. Shkaku i zjarrit akoma nuk ka dalë. Mund të jetë nga ndonjë shkëndijë elektrike, pasi familjarët përdorin për ndonjë sistemin elektrik.’- tha Sinani.

Një tjetër banesë u dogj në Leshnicë të Pogradecit mbrëmjen e së premtes.

Vëllai i kryefamiljarit, Hamdi Aliaj tha se do t'i strehojë në shtëpinë e tij, teksa i bëri thirrje bashkisë të ndihmojë për rindërtimin e shtëpisë së shkrumbuar. 

“Për 30 sekonda u shkatërrua komplet shtëpia nga masa e korentit. Për 30 sekonda nuk mbeti as nam as nishan. U shpëtuan të pestë vetat që ishin brenda edhe lekët që kishin brenda. Unë skam vdekur, është xhaxhai gjallë, kam unë shtëpi, do i mbaj derisa t’u rregullohet shtëpia. Shteti po t’u japë ndihmë do bënte gjë të madhe. Edhe bashkia edhe komuna kush të mundet të ndihmojë. Janë 3 të sëmurë”- u shpreh ai.

Si në Burrel ashtu dhe në Pogradec shkak i zjarrit mendohet shkëndija elektrike si pasojë e rrjetit të amortizuar elektrik. Bashkia e Pogradecit tha se është ngritur grupi i vlerësimit dhe brenda 5 ditësh në këshillin bashkiak do miratohet fondi për riparimin e dëmeve në banesë.

FAMILJET E PASTREHA NË BURREL

Sokol Skilla 5 anëtarë, 3 janë fëmijë

Elton Pjetri 5 anëtarë, 3 janë fëmijë

Dava Zenelcanaj, 4 anëtarë

Fatmir Bushati 2 anëtarë

Isen Lika, 2 anëtarë

FAMILJE E PASTREHË NË POGRADEC

Hamdi Halilaj, 4 anëtarë

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?