Shkrumboi 50 hektarë me pemë frutore dhe ullinj teksa po digjte mbeturinat, arrestohet piromani 70-vjeçar në Lushnjë! U rrezikuan edhe banesat

15 Gusht, 14:03| Përditesimi: 15 Gusht, 14:08

  • Share

Lushnjë- Shkrumboi 50 hektarë tokë kryesisht të mbjellë me pemë frutore dhe ullinj në Lushnjë, arrestohet për piromani i moshuari.

Policia vendore njoftoi sot se pas hetimeve për ngjarjen e ndodhur në lagjen “Xhevdet Nepravishta” pasditen e djeshme (14 Gusht), ku u rrezikuan të digjeshin edhe disa banesa, identifikoi dhe prangosi për zjarrvënie nga pakujdesia të dyshuarin R.S., 70 vjeç, banues në Karbunarë.

Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë edhe D.C., 37 vjeç, banues në lagjen ku ndodhi ngjarja, pasi kundërshtoi Policinë gjatë operacionit për shoqërimin e personave të dyshuar.

Sipas dinamikës nga hetimet paraprake për ngjarjen që shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale, i moshuari ka qenë duke djegur mbeturinat në tokën e tij, kur situata dhe vatra i doli jashtë kontrollit, për shkak të erës së fortë. Sipërfaqja e djegur u zgjerua shumë shpejt, duke rrafshuar edhe qindra pemë frutore të mbjella dhe bilanci i të cilave po inventarizohet ende, në pronësi të familjeve të ndryshme.

“Ky shtetas dyshohet se nga pakujdesia, ka ndezur zjarr në tokën e tij, në lagjen "Xhevdet Nepravishta", për të djegur mbeturinat dhe si pasojë e erës zjarri ka dalë jashtë kontrollit duke djegur rreth 50 ha tokë të mbjellë me pemë frutore dhe ullishte, si dhe u rrezikuan disa banesa përreth”, bëri me dije Komisariati.

Falë ndërhyrjes së menjëhershme të forcave të Policisë, Zjarrfikëses, Emergjencave Civile dhe të Bashkisë, është bërë i mundur evakuimi i banorëve nga zona e rrezikuar, si dhe shuarja e vatrave të zjarrit.

“Për këtë rast u procedua penalisht edhe shtetasi D. C., 37 vjeç, banues në lagjen "Xhevdet Nepravishta", Lushnjë, pasi ka tentuar të pengojë punonjësit e Policisë për shoqërimin e banorëve të pranishëm në vendngjarje, në momentin e rënies së zjarrit”, sqaroi grupi hetimor. Ngjarja po vijon të hetohet nga prokuroria vendore.

A.Q//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?