Talat Xhaferi pranon mandatin për formimin e Qeverisë Teknike

Maqedonia e Veriut me kryeministër shqiptar! Talat Xhaferi pranon mandatin për formimin e Qeverisë Teknike

26 Janar, 17:12| Përditesimi: 26 Janar, 17:19

  • Share

Presidenti Stevo Pendarovski, i dorëzoi pasditen e sotme mandatin Talat Xhaferit për përbërjen e re të Qeverisë kalimtare që ka për detyrë t`i organizojë zgjedhjet e dyfishta në vend.

“Në bazë të nenit 84 alinea 1 të Kushtetutës së RMV-së kurse në pajtim me nenin 43 të Ligjit për Qeveri dhe me propozim të partisë më të madhe që përbën koalicionin qeveritar, për mandatar për përbërjen e qeverisë kalimtare për zbatimin e zgjedhjeve për deputetë, e përcaktoj z.Talat Xhaferi”, deklaroi Pendarovski.

Talat Xhaferi si Kryeministër i ardhshëm, pritet që nesër në Kuvend t`i dorëzojë propozimet për përbërjen e re qeveritare dhe programin e qeverisë së tij. Votimi pritet të jetë të dielën më 28 janar në seancë plenare.

Pas marrjes së mandatit, Talat Xhaferi, premtoi se e gjithë procedura për formimin e qeverisë teknike do të zhvillohet në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së vendit.

“Me kënaqësi dhe përgjegjësi të plotë pranoj mandatin nga Presidenti i vendit, duke premtuar se me ndërgjegje dhe në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës, përbërja qeveritare dhe negociatat për Qeverinë do të zhvilohen konform nevojës politike dhe situatës në vend”, shprehet Talat Xhaferi.

Por, jo vetëm kaq. Talat Xhaferi, përmes një postimi në Facebook është zotuar se edhe si Kryeministër do të vazhdojë të punojë me përkushtim.

“Me krenari dhe nder të veçantë e pranova Mandatin për formimin e Qeverisë. Edhe nga pozita e Kryeministrit do të vazhdoj të punoj me përkushtim, me përgjegjësi dhe transparencë, duke i pasur gjithmonë parasysh mirëqenien, përparimin dhe përfitimet e qytetarëve dhe shtetit” – shkruan Talat Xhaferi në Facebook.

Procedurat që nisën dje me dorëheqjet e Kryeministrit Kovaçevski dhe Kryeparlamentarit Talat Xhaferi, paraqesin hyrje në procesin zgjedhor pranveror në vend.

Më 8 maj, krahas zgjedhjeve parlamentare do të votohet edhe në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, kurse rrethi i parë do të mbahet më 24 prill.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?