Shkupi synon miratimin me procedurë të shpejtuar të Ligjit për kazinotë

5 Tetor 2023, 19:51
  • Share

Shumica parlamentare në Maqedoninë e Veriut vazhdon me miratimin e ligjeve me procedurë të veçantë apo me “yllin evropian”, pavarësisht kritikave jo vetëm nga opozita, por edhe nga zyrtarë të Bashkimit Evropian.

Pas miratimit të pesë ligjeve për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10-D, me “yll evropian” tani në procedurë parlamentare është futur edhe ligji për lojërat online, kazinotë dhe bastoret sportive.

Nevojën për miratimin e këtij ligji partitë në pushtet e kanë arsyetuar veç tjerash edhe me rregullimin me ligj të hapjes së pikave të bixhozit larg institucioneve arsimore, që sipas tyre, është një kërkesë e kamotshme e shoqatave të ndryshme si dhe e opozitës.

Por, seanca e Komisionit për çështjeve evropiane është bllokuar nga opozita. Ajo vlerëson se miratimi i këtij ligji me “yllin evropian” paraqet keqpërdorim, pasi bëhet fjalë për interesat e partive të lidhura me biznese të caktuara, disa prej të cilave, sipas partive opozitare Lëvizja Demokratike dhe VMRO –DPMNE, janë të lidhura edhe me mbështetës të regjimit rus.

“Kjo është edhe një përpjekje për të keqpërdorur 'yllin evropian'. Këtë e kanë një lloj kamuflazhi gjoja se po i luftojnë kazinotë apo se po i largojnë nga qyteti dhe në anën tjetër drejtorinë e parë që e kanë marrë është pikërisht ‘Lotaria e Maqedonisë’... Po ashtu, brengosëse janë edhe informatat që kanë dalë në opinion se një nga zinxhirët e lojërave të fatit veçse ka nënshkruar kontratë me një oligark problematik lidhjet e të cilit arrijnë deri te Prigozhini, deri te Wagner-i i Rusisë”.

“Ka gjithashtu informata se dy, tre kazino tjera janë kompani serbe. Pra, përmes kazinove po e sjellin edhe nëntokën ruso-serbe në Maqedoninë e Veriut”, ka deklaruar Izet Mexhiti, kryetar i Lëvizjes Demokratike.

Për keqpërdorimin e "yllit evropian" në miratimin e këtij ligj dhe favorizimin e personave pro-rusë, flet edhe Antonio Milloshkoski, deputet i VMRO DPMNE-së.

“Ky është edhe një keqpërdorim i 'yllit' evropian për një ligj që nuk ka asnjë lidhje me Bashkimin Evropian, por për një ligj që ka të bëjë me vendimet e zëvendëskryeministrit Artan Grubi për lotaritë e tij, ku partnerë kryesorë ka të punësuar në kabinetin e tij dhe personalitete kundërthënëse nga Bullgaria, siç është edhe Vasil Boshkov-Çerepot bizneset e të cilit ndodhen në listën zezë amerikane”, thotë Milloshoski.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim, kanë hedhur poshtë akuzat duke theksuar se qëllimi është rregullimi i lojërave të fatit, në veçanti zhvendosja e tyre larg objekteve arsimore.

“Të gjithë qytetarët janë dëshmitarë se kush është kundër që të diskutohet në Kuvend për projektligjin, i cili parasheh që kazinotë të jenë larg objekteve shkollore. Deri kur duhet t’i presim ata që të përcaktohen për të mbrojtur interesin publik? A duhet ta mbrojnë interesin publik, apo duhet edhe më tej t’i mbrojnë kazinotë dhe lojërat e fatit”, thotë Arbër Ademi, deputet nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Njohësit e çështjeve ndërkombëtare, thonë se politika duhet të heqë dorë nga praktika e keqpërdorimit të procedurave për miratimin e ligjeve, pasi kjo mund të ketë pasoja në procesin e integrimit evropian.

“Miratimi i ligjeve me 'yll evropian' më së shumti përdoret te ne në krahasim me vendet tjera të rajonit. Kemi keqpërdorime të shumta, andaj edhe kritikat janë në rritje e sipër. Por, politika sikur nuk dëshiron t’i dëgjojë ato. Keqpërdorime kemi, si nga kjo qeverisje, ashtu edhe nga ato të mëparshmet pasi politika sikur ka gjetur një mekanizëm për të shtyrë para agjendat e saj politike. Kjo është në kundërshtim me synimet tona për miratim të ligjeve evropiane dhe vendosjen e standardeve evropiane këtu te ne”, thotë Malinka Jordanova, nga Instituti për Politika Evropiane.

Kjo formë e miratimit të ligjeve është kritikuar kohë më parë nga ambasadori evropian, David Geer, pas miratimit të ligjeve për ndërtimin e dy autostradave të korridoreve 8 dhe 10-D. Ai pati thënë se ligjet me "yll evropian" miratohen vetëm në rast se kanë të bëjnë me harmonizimin e tyre me ligjet e BE-së.

“Ju mund të përdorni 'yll evropian' kur përafroni legjislacionin tuaj me legjislacionin dhe standardet e BE-së. "Ne jemi të shqetësuar për shënimin e ligjeve në lidhje me korridoret 8 dhe 10D me 'yll evropian', pasi këtu nuk kemi të bëjnë me harmonizim të këtyre ligjeve me standardet e BE-së”, pati deklaruar ambasadori Geer.

Më herët, me propozim të Qeverisë, me "yll evropian" ishin miratuar edhe ndryshimet në Ligjin për shtetësinë, ndryshimet në Kodin Penal e zgjidhje tjera ligjore që nuk kishin të bëjnë me nevojën për harmonizimin e tyre me legjislaturën evropiane./REL

S.S/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?