Foto ilustruese

Bota

Shkurtimi i fondeve ndërkombëtare/ UNHCR: 11.6 mln njerëz rrezikojnë do të mbeten pa ndihma këtë vit

18 Korrik, 15:02| Përditesimi: 18 Korrik, 15:09

  • Share

Më pak fonde do të thotë më pak ndihmë, që do të thotë se 11.6 milionë njerëz rrezikojnë të mbeten pa asnjë lloj ndihme dhe mbështetjeje këtë vit. Ky është paralajmërimi i UNHCR, agjencia e OKB-së për refugjatët, dhe përbën pasojën e ndërprerjeve drastike të ndihmës ndërkombëtare, duke nisur nga anulimi i USAID dhe programeve të saj të financimit, të kombinuara me rritjen e numrit të refugjatëve në botë, të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të konflikteve dhe krizave klimatike, duke arritur sot në 122 milionë.

Deficiti i parashikuar në vitin 2025: 8.1 miliardë dollarë

“Pavarësisht kontributeve bujare dhe të menjëhershme prej 2.5 miliardë dollarësh deri në qershor 2025, që përfaqësojnë 23% të nevojave globale të UNHCR, deficiti i parashikuar prej 8.1 miliardë dollarësh në raport me një buxhet prej 10.6 miliardësh – thuhet në një raport tronditës të UNHCR – e bën situatën të paqëndrueshme.” Aktualisht, agjencia parashikon të mbledhë jo më shumë se 3.5 miliardë dollarë, “afërsisht në të njëjtin nivel si dhjetë vite më parë”.

Kjo do të thotë se do të mungojnë dy të tretat e fondeve të nevojshme për të mbuluar projektet thelbësore. Dhe në një botë ku luftërat e reja, emergjencat humanitare, sociale dhe mjedisore shtohen mbi vështirësitë strukturore, kjo nënkupton të detyrohesh të zgjedhësh ku, si, kur dhe me çfarë shpejtësie të ndërhysh.

Shkurtime drastike në të gjitha sektorët – bie ndihma shëndetësore

Kjo përkthehet në shkurtime: 50% e ndihmës jo ushqimore dhe për strehim e mbrojtje, 35% e programeve shëndetësore, 34% e atyre arsimore, 25% e asistencës ligjore, 23% e programeve kundër dhunës me bazë gjinore dhe për mbështetjen e viktimave, 7% e programeve për rikthim vullnetar. “Bëhet fjalë për njerëz, jo për numra në një tabelë,” theksojnë nga UNHCR.

Në këtë moment, nuk ka zonë të globit që të mos jetë prekur nga shkurtimet e buxhetit dhe tkurrja e ndërhyrjeve, me pasojë të pashmangshme mijëra njerëz që mbeten pa ndihmë. Në botë, nuk ekziston asnjë zonë ndërhyrjeje që të ketë buxhet të mbuluar plotësisht nga financimet dhe donacionet – dhe sa më larg të jesh nga Evropa (34% mbulim), aq më i madh është hendeku (në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut – vetëm 20%).

Harta e shkurtimeve është harta e eksodeve të ardhshme

Por tërheqja ndërkombëtare që ka lënë agjencinë me arkat bosh, ndërsa shpërthejnë vatra të reja krizash, nuk është pa pasoja. Instinkti për mbijetesë është më i fortë se çdo mur dhe harta e prerjeve rrezikon të jetë ajo e emergjencave të ardhshme dhe eksodeve të reja – duke nisur nga Libani dhe Afganistani, ku përkatësisht 433 mijë dhe 251 mijë persona rrezikojnë të zhvendosen sërish në kërkim të ndihmës që nuk e marrin më aty ku janë.

Libani në prag shpërthimi

Strehë për dhjetëra mijëra sirianë gjatë luftës civile, pastaj nga regjimi, dhe së fundmi nga lufta rrufe që e goditi, Libani – prej vitesh i zhytur në një krizë të zgjatur ekonomike dhe sociale, e përkeqësuar nga shkatërrimet e shkaktuara nga sulmi izraelit – është një vlim që rrezikon të shpërthejë.

Vlerësohet se në vend ndodhen rreth 1.4 milionë refugjatë sirianë, gjysma e të cilëve të regjistruar në listat e UNHCR, dhe të paktën 400 mijë palestinezë, por agjencia ka qenë e detyruar të shkurtojë 47% të programeve të ndihmës.

Vetëm në muajt e fundit, më shumë se njëqind mijë persona janë larguar nga “Siria e re” e Al Sharaa, por mungojnë fondet për “t’u siguruar atyre akomodimin bazik, mbrojtje dhe artikuj të domosdoshëm”, ashtu si edhe për të mbështetur ata që duan të kthehen, apo vetë institucionet libaneze.

Projektet e mbështetjes komunitare të menduara për të nxitur kohezionin social janë ndërprerë “duke minuar stabilitetin e brishtë të komuniteteve pritëse, ndërsa Libani vijon të përballet me efektet afatgjata të konfliktit të fundit”.

Alarmi nga Afganistani

Në Afganistanin e talebanëve situata është edhe më e ndërlikuar. Emergjenca sociale prej dekadash tashmë e strukturuar, dhe e përkeqësuar nga rikthimi i islamistëve në pushtet, rrezikon të arrijë nivele të papara më parë për shkak të kthimit të detyruar të më shumë se 1.5 milionë afganëve nga Irani dhe Pakistani.

Shifra të përafërta, që pritet të rriten, nëse është e vërtetë se Teherani ka njoftuar tashmë se dëshiron të nxjerrë jashtë kufijve të tij më shumë se 4 milionë persona që i konsideron, apo i ka shpallur “të parregullt”. Shumë prej tyre janë të cenueshëm: fëmijë dhe gra të vetme – një status që sot në Afganistan nuk të lejon as të udhëtosh dhe i ka shtyrë mijëra njerëz në harresë.

“Veprimtaritë e mbrojtjes – shpjegojnë nga UNHCR – janë reduktuar me më shumë se 50%, duke dobësuar programet për fuqizimin e grave, shëndetin mendor dhe parandalimin dhe reagimin ndaj dhunës me bazë gjinore.” Një prerje që ndodh pikërisht në kohën kur kapacitetet për ndërhyrje janë tkurrur ndjeshëm: në vitin 2025, agjencia do të arrijë të mbështesë jo më shumë se 45,000 gra – më pak se gjysma e 108,000 të vitit 2024. “Edhe ndihmat financiare për refugjatët e kthyer janë shkurtuar – tani vetëm 156 dollarë për familje dhe 40 dollarë për person për transport – mjaftueshëm vetëm për ushqim, për të mos përmendur qiranë.”

Rezultati është një ekspozim më i madh ndaj plagëve endemike të vendit si martesa e hershme, puna e fëmijëve dhe shfrytëzimi.

Luftërat e harruara

Një tablo që premton eksode të reja – të ligjshme dhe të paligjshme – si ato që po përgatiten në heshtje në zona të harruara: Sudani i Jugut, Uganda, Çadi. “Angazhimi i UNHCR mbetet i palëkundur. Ne kemi njohuritë, strukturat dhe shtrirjen e nevojshme për të ofruar mbrojtje dhe ndihmë atje ku nevojitet më shumë. Por pa një valë të re solidariteti ndërkombëtar dhe financime të reja – paralajmëron agjencia – dekada të tëra suksesi mund të shuhen.”/La Repubblica

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Akademi për trajnimin e administratës lokale, si e vlerësoni?