Afro 1.3 milionë euro do të shpenzohen gjatë këtij viti për të rehabilituar 5 diga në bashkinë Rrogozhinë, Lushnjë, Dropull, Mat dhe Tropojë. Vendimi për financimin e këtyre projekteve është miratuar nga qeveria dhe ka hyrë në fuqi menjëherë pas publikimit në fletoren zyrtare.
Rehabilitimi dhe rikonstruksioni i digave është një projekt i parashikuar edhe në buxhetin e shtetit si një mekanizëm financiar që ka si synim parandalimin dhe menaxhimin e fatkeqësive natyrore.
Konkretisht do të rehabilitohet diga e ujëmbledhësit Shqefën në Bashkinë Mat, e ndërtuar prej vitit 1984 me lartësi 42 metra. Fondi për vitin 2025 për rehabilitimin e kësaj dige për të garantuar parametrat e sigurisë është afro 400 mijë euro. Ndërsa i gjithë projekti në total që do të financohet edhe në vitet e ardhshme arrin në 904 mijë euro.
Projekti i dytë më i kushtueshëm është në Bashkinë e Dropull, ku rehabilitimi i Digës Pepel 1, do të kushtojë 337 mijë euro gjatë këtij viti, ndërsa vlera totale e gjithë projektit arrin në 764 mijë euro.
Diga e tretë është në Bashkinë e Rrogozhinës, rikonstruksioni i digës së rezervuarit të Domes, ka kosto për këtë vit 265 mijë euro, ndjekur nga rehabilitimi i rezervuarit Kasharaj në Bashkinë Lushnje me fond 176 mijë euro. Kjo digë është ndërtuar në vitin 1986 dhe ka lartësi 42 metra.
I fundit është projekti i rehabilitimit të ujëmbledhësit TPLA me fond 145 mijë euro. Ky ujëmbledhës është ndërtuar në vitin 1970 dhe ka lartësi 25 metra. Këto projekte do të zbatohen nga vetë bashkitë, ndërkohë për vitin 2025 buxheti i planifikuar për digat dhe rezervuarët është 3 milionë euro.
Brenda këtij viti pritet të nisë edhe projekti i Bankës Botërore me vlerë 1.6 milionë euro për bërjen e studimeve të fizibilitetit për 431 digat që ka Shqipëria për sigurinë e tyre.
Komente
