Politikë

Shndërrimi i hyrjes së Durrësit, Rama inspekton kantierin në Shkozet: I jep pamje tjetër portës hyrëse të qytetit, edhe korsi biçikletash! Sako: Zgjidh përmbytjet e zonës së plazhit

21 Prill, 16:36| Përditesimi: 21 Prill, 16:49

  • Share

Kryeministri Edi Rama ishte sot edhe në kantierin e sapohapur të hyrjes së Durrësit, një aks 1,3 km i gjatë që do të rindërtohet tërësisht, duke nisur nga nyja e Shkozetit, deri te stacioni i trenit në qendër të qytetit.

Kjo sjell edhe ndryshimin e ‘fytyrës’ së kësaj zone, nga një infrastrukturë vetëm rrugore, lidhëse e autostradës, në një hyrje moderne urbane për qytetin e Durrësit, me gjelbërim, trotuare, korsi biçikletash dhe hapësira të dedikuara.

“Projekti parashikon të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës rrugore; shtresat asfaltike; ndriçim, brez i gjelbër; korsi biçikletash, korsi për lëvizjen e mjeteve, duke i dhënë një pamje krejt tjetër portës tokësore të Durrësit”, shprehet kryesocialisti Rama.

I shoqëruar nga kryebashkiakja Emiriana Sako, kreu i qeverisë u informua për ecurinë e punimeve dhe teknikalitetet e projektit në fjalë.

“Sapo e kemi nisur te Ura e Dajlanit, do rikonceptohet komplet aksi, gati 1,3 kilometra. Nga rotondo e Shkozetit, e deri te stacioni i trenit në qendër të qytetit. Kjo do zgjidhë edhe një problematikë që ka me përmbytjet zona e plazhit. Kemi menduar bashkë me përfaqësuesit e projektit dhe firmës që të marrim edhe ujërat e zonës së plazhit në rastet kur ka reshje të shumta. Do të ketë edhe një rehabilitim të pjesës së ndriçimit, pasi asfalti është në rregull. Do shtohen korsitë e biçikletave dhe gjelbërimi. Do bëhet ndryshimi komplet i aksit, sepse kjo është hyrja kryesore e qytetit të Durrësit. Ishte projekt i domosdoshëm jo vetëm për të zgjidhur problematikat e rrugës, ato teknike, por edhe për pamjen e qytetit”, tha Sako.

Kurse drejtuesit e projektit dhe punimeve u shprehën se nga një hyrje autostrade, kjo zonë do shndërrohet në një hyrje urbane, ku do ketë park, korsi biçikletash, trotuare dhe hapësira të tjera për qytetarët.

“Duhet vënë kufi, duhet ndarë. Me korsitë, me rrugën e makinave, trotuaret, të jetë e ndarë, duhet të ndahet edhe me mure. Ça është e njerëzve është e njerëzve, ça është e makinave e makinave, të ndara. Të pastrohet edhe kjo pjesa”, u shpreh kryeministri.

Xh.D/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Diaspora po vendos, sa përcaktuese do jetë vota nga jashtë më 11 maj?