Në Shqipëri, është e vështirë që dita të mbyllet pa u shënuar aksidente rrugore. Shkaktarët shpesh i gjen tek drejtuesit e automjeteve, infrastruktura rrugore e pse jo dhe sjellja e vetë këmbësorëve. E sigurt është që tek cilido shofer që ka paguar për të pasur një patentë në dorë, do të gjesh gabime. Për ekspertët, ata quhen një “bombë” në rrugë.
“Një njeri i cili e merr lejen e drejtimit pa njohur rregullat minimale të qarkullimit në rrugë, ai është bombë në rrugë. Ai nuk di se si duhet të veprojë, autodidact ai di të drejtojë mjetin, ta mbajë në drejtim, por nuk di si të veprojë përpara semaforit, kur t’i kalojë një fëmijë para, kur pret në vizat e bardha, në kryqëzime, në degëzime e më gjerë”, tha eksperti rrugor, Arben Luzi
Të enjten në Tiranë policia zbuloi një skemë të përfitimit të lejeve të drejtimit përmes raporteve të falsifikuara mjekësore. Që do të thotë se edhe nëse dikush nuk shikon mirë dhe nuk mban syze, apo nuk dëgjon mirë dhe nuk mban aparaturë, mund ta siguronte deri dje patentën.
Megjithatë, ekspertët e sigurisë rrugore, mendojnë se fenomeni, është i izoluar.
“Mund të jenë edhe probleme shëndetësore, por mendoj se janë shumë pak, pasi ata do të kalojnë detyrimisht në komision dhe kuptohen. Këto mendoj jashtë thjeshtë për shpejtësi veprimi. Duke përfituar nga sorollatjet që kanë në poliklinika tona, jo do shkojnë paradite për vizitën e veshëve, pasdite tek okulisti, pastaj do shkoj tek neurologu, kardiologu. Qytetarët i bien shkurt me lehtësira", vijoi Luzi.
Por, a ka abuzime me marrjen e lejeve të drejtimit? Sa janë ndërgjegjësuar qytetarët në këtë drejtim?
“Iku ajo uria e viteve ’90 kur njerëzit kërkonin të gjithë të merrnin një leje drejtimi, edhe mund të ketë edhe tek-tuk abuzime me njohje, nuk përjashtohet asnjëherë në punë kjo, njohja dhe miqësia. E përgjithshmja është se është eleminuar sepse janë ndërgjegjësuar njerëzit", thotë ndër të tjera Arben Luzi, ekspert rrugor.
Përtej një tendence në rritje të përgjegjshmërisë për t’u pajisur me leje drejtimi si një mënyrë jetese tashmë, problem mbetet kultura për të respektuar rregullat gjatë qarkullimit.