Enver Hoxha

'Shokët tanë të Ministrisë së Mbrojtjes, pritën dje delegacionin palestinez të ‘Al Fatahut’, unë i pata porositur…' Ditari i Enver Hoxhës, korrik 1972

20 Tetor 2023, 07:24| Përditesimi: 20 Tetor 2023, 07:29

  • Share

Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore, të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), ku ndodhet edhe arkivi personal i ish-udhëheqësit të Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, i cili në ditarin e tij politik, që i përket një periudhe të gjatë kohe, duke filluar nga maji i vitit 1967,  e deri në dhjetorin e 1983-it, ai ka mbajtur shënime për ngjarjet e Lindjes së Mesme, si; konflikti i gjatë Izrael-Palestinë, luftërat e vazhdueshme ndërmjet Izraelit dhe vendeve arabe, luftën gjashtë ditore në vitin 1967, ku Izraeli mposhti Egjiptin dhe koalicionin e vendeve arabe, e pushtoi lartësitë Golan, luftën e Yom Kippurit në vitin 1973, ku sërish Izraeli, pasi mposhti koalicionin e vendeve arabe, (Egjipti, Algjeria, Siria, Iraku, Jordania, Jemeni, Libani, Maroku, etj.) pushtoi gadishullin e Sinait, të cilin e dorëzoi në vitin 1979, bllokimin e mbylljen e Kanalit të Suezit, (ku Shqipëria kishte interesa jetike, për shkak të ndihmave që i vinin nga Kina në rrugë detare), e deri luftën civile në Liban, në fillimin e viteve ’80-të, etj. Çfarë shkruante diktatori i Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, në ditarin e tij politik ku ka bërë analiza, dhe cili ishte qëndrimi i Tiranës zyrtare, për konfliktin ndërmjet Izraelit dhe vendeve arabe, si dhe shteteve të ndryshme që i mbështesin ata, si; Bashkimi Sovjetik, SHBA-ës, Britania e Madhe, Republika Popullore e Kinës, Republika Federative e Jugosllavisë, etj.?! A ishte i vërtetë informacioni që kishte Enver Hoxha në qershorin e vitit 1967, sipas të cilit, Moska zyrtare, do i ofronte ndihmë Egjiptit, duke sjellë Flotën e saj Ushtarake Detare në Mesdhe, në rast se Tirana zyrtare, do pranonte që anijet sovjetike, të ankoroheshin në portet e Durrësit, Vlorës, Shëngjinit etj., apo ajo ishte një paranojë e Hoxhës, gjë e cila bëri që Ushtria Shqiptare, të kalonte në gatishmëri luftarake nr. 1, madje duke mobilizuar edhe forcat rezerviste e ato të çetave vullnetare?! Lidhur me këtë, etj., na njeh ditari politik i ish-udhëheqësit kryesor të Shqipërisë komuniste, i cili do publikohet në disa numra nga Memorie.al

GJENDJA NE LINDJEN E MESME, KA QENE DHE MBETET E TURBULLT

Fjalimi i presidentit egjiptian Sadat, vazhdon të bëjë jehonë në botë. Pritej reagimi i sovjetikëve, i cili nuk mungoi të jepej me anë të një komunikate të agjencisë TASS. Natyrisht, reagimi ishte sikur nuk kishte ngjarë asgjë alarmuese për ta, se kjo ndodhi “ishte një gjë e zakonshme, e rregullt”, një marrëveshje “e përzemërt”, që më parë në mes të dy shteteve.

Kishin shkuar specialistë sovjetikë në Egjipt, për të instruktuar egjiptianët, tash ata e kryen me sukses detyrën dhe kthehen në atdhe, urtë e butë. Asgjë nuk ka ndryshuar në miqësinë aq të thellë e aq të sinqertë, në mes Egjiptit dhe Bashkimit Sovjetik. Ky i fundit, do të vazhdojë ta ndihmojë Egjiptin në mënyrë vëllazërore kundër Izraelit, për çlirimin e tokave të pushtuara prej tij, etj., etj.

Me këtë gjuhë flet TASS-i, përpara shuplakës që Bashkimi Sovjetik, hëngri botërisht nga Egjipti. Këtë disfatë revizionistëve sovjetikë, u duhet ta zbutin dhe arsyet që dha Sadati, për dëbimin e sovjetikëve janë aq të qarta, që nuk lënë aspak të kuptohet, se kanë qenë dakord për largimin e specialistëve, misioni i të cilëve, sipas deklaratave të Sadatit, s’ka qenë vetëm “të mësojnë ushtarët egjiptianë me armët e reja”, por edhe të komandonin e të drejtonin shtetin egjiptian.

Pas komunikatës së TASS-it duhet “të kenë arritur dhe rublat e shumta sovjetike për Egjiptin”, pse filloi “zbutja egjiptiane”, qoftë nga komunikata e ambasadës egjiptiane në Moskë, qoftë nga kryeartikulli i “Al Ahramit”, që “ekzaltojnë miqësinë sovjetike, ndihmën sovjetike, etj.”, që duan të thonë “rreshtohemi me tonin e TASS-it”.

Siç duket, udhëheqësit egjiptianë pritnin një reaksion të fortë nga sovjetikët, por u qetësuan dhe tash që shantazhet kaluan, ata po veprojnë duke biseduar edhe me sovjetikët, edhe me amerikanët, edhe me francezët, por edhe me izraelitët, prapa skenës. Sadati në këto situata po noton “lirisht”, popullit e opinionit me fjalimin e tij, i tha se “sulmi mbi Izraelin nuk u bë, se rusët s’na dhanë armë, kështu që duhet të gjejmë gjetkë, prandaj pritni sa të rregullohen burimet e tjera”.

Specialistët sovjetikë, thuhet se kanë filluar të ikin, por sa do të ikin, kush do të ikë dhe kur, nuk dihet, të shohim. Gjendja në Lindjen e Mesme, ka qenë dhe mbetet e turbullt. Atje ka futur këmbët imperializmi amerikan dhe social-imperializmi sovjetik. Ata zor të largohen që andej me p … e Sadatit. Sado të zhurmshme që të jenë, ato janë dhe mbeten prapë p …!

E DIEL, 7 TETOR 197

LUFTE E RE MIDIS EGJIPTIANËVE, SIRIANEVE DHE IZRAELITEVE

Që dje filloi lufta e egjiptianëve dhe e sirianëve kundër Izraelit. Siç po duket, sido që kjo nuk ka rëndësi pse arabët, janë në të drejtën e tyre, janë këta që kanë sulmuar të parët dhe Izraeli, sikur u gjend në befasi. Egjiptianët kaluan Kanalin e Suezit dhe, sipas tyre, u vendosën në bregun e djathtë të tij, duke pushtuar fortifikatat izraelite, të vijës “Barlev”.

Sirianët po ashtu, sulmuan lartësitë e Golanit e të Hebronit dhe pushtuan pozitat izraelite. Dueli i aviacionit është i madh. Komunikatave nuk mund t’u zësh shumë besë. Çështja deri tash qëndron kështu: arabët kanë avantazhe. A do t’i ruajnë dhe a do t’i zhvillojnë ato dhe si? Lufta prej 6 ditësh e 1967-ës u është bërë vallë mësim

Deri tash Izraeli nuk i ka zënë në befasi si më parë. Ç’do të ngjasë më vonë, do të shohim. Do të shohim po ashtu shkallën e përgatitjes së arabëve, taktikën dhe strategjinë e tyre, si dhe atë të Izraelit. Arabët duken si pak të atamuar, izraelitët më shumë. Mos vallë luhet këtu ndonjë manovër e madhe e përbashkët dhe e koordinuar? Arabët bënë një ofensivë për të fituar disa pozita nga të cilat të rikthehen pastaj në “vallen e OKB-së”, dhe të bien në kurthet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të sovjetikëve.

Të tërë fitojnë nga një çikë; për të mos humbur gjithçka, të gjithë të humbasin nga një çikë dhe të vazhdojnë përsëri gjendjen “as luftë, as paqe”, të vazhdojnë diskutimet! Këtë do ta shikojmë, po e ndjekim me vigjilencë. Ne do t’i mbrojmë arabët, me të gjitha mjetet tona propagandistike dhe do të demaskojmë Izraelin, sovjetikët dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhashë urdhër që forcat e bregdetit, të Marinës dhe të Aviacionit, të jenë në gatishmëri të plotë, pse këto situata janë të mbarsura me rreziqe.

E PREMTE, 12 TETOR 1973

LUFTA NË LINDJEN E MESME VAZHDON

Egjiptianët po përparojnë duke luftuar në Sinai dhe deri tash, nuk duket ndonjë lëkundje në ta. Sirianët po luftojnë edhe ata mirë me sulme, me zmbrapsje dhe kundërsulme. Thuhet nga të dyja palët, se luftohet në Golan. (nga sirianët), në afërsi të Damaskut (45 km. larg nga ana e Izraelit). Por e vërteta duhet të jetë se sirianët, kanë zënë vijën e parë të tyre të mbrojtjes dhe nuk e lëshojnë. Izraeli po mburret se “do ta marrë Damaskun, se shkatërroi ushtrinë siriane. etj.”, po asnjë nga këta objektiva nuk ka arritur dhe po pëson humbje të rënda, në tanke dhe në avionë.

Miti i “luftës rrufe”, “i pathyeshmërisë” së tij, dështoi. Izraeli gjendet në vështirësi dhe këtë e tregon ndihma e hapët që kanë filluar t’i japin Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Uniteti i vendeve arabe, duket më i mirë, aq sa mund të jetë një unitet mbretërish, feudalësh dhe borgjezësh kapitalistë. Këtu qëndron rreziku. Agjenturat e imperializmit amerikan dhe të atij sovjetik, punojnë brenda radhëve të tyre. Këta përpiqen të shuajnë zjarrin, që nuk u leverdis, se cenon interesat e tyre dominues dhe shfrytëzues.

Të dyja superfuqitë ndodhen keq dhe kanë frikë mos ndërlikohet gjendja, se mos fitorja e arabëve ose, e izraelitëve, vë në rrezik dominimin e amerikanëve, ose të sovjetikëve. Prandaj që të dyja bëjnë sikur ndihmojnë, por përgatitin “pompat e mëdha të shuarjes së zjarrit”, pse kështu ruajnë statukuonë “as paqe, as luftë” dhe forcojnë dominimin. Çka po bëjnë arabët tash është pozitive, revolucionare. Të tërë, Brezhnjev e Tito dhe të gjithë llojet e tyre, gjithë bota kapitaliste, janë kundër popujve arabë. Prandaj Kina, ne dhe gjithë revolucionarët në botë, duhet ta ndihmojnë luftën e këtyre popujve

E ENJTE 25 TETOR 1973

ARMIQTË ME TË MËDHENJ TE, POPUJVE ARABE

Gazeta “Zëri i popullit” do të botojë nesër artikullin tonë demaskues për dy superfuqitë, me titull: “Imperializmi amerikan e social-imperializmi sovjetik – armiqtë më të mëdhenj të popujve arabë”.

E ENJTE, 31 JANAR 1974

NE VENDIN TONE VJEN NJË DELEGACION I “AL FATAHUT”

Sot në vendin tonë, vjen një delegacion i miqësisë i Lëvizjes Nacionalçlirimtare Palestineze, “Al Fatah”.

E MËRKURE, 13 SHKURT 1974

PALESTINEZET DUHET TE VAZHDOJNË LUFTËN E TYRE

Sot u vura në dijeni për bisedimet që shokët tanë të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, patën me delegacionin palestinez të “A1 Fatahut”. Bisedimet kanë qenë të përzemërta. Palestinezët bënë disa kërkesa ushtarake, por unë i pata porositur shokët më parë, që t’u përgjigjeshin se këto çështje, do t’i shikojmë më vonë. Palestinezët duhet të vazhdojnë të luftojnë pareshtur dhe në kushte shumë të vështira, për shumë arsye: Ata, megjithëse luftojnë për një çështje të përbashkët, janë të përçarë.

Natyrisht, korrentet e ndryshme që ekzistojnë në gjirin e tyre, nuk arrijnë të koordinojnë, as programin e tyre minimal të përbashkët, për këtë luftë dhe për qëllimet e saj. Programi i tyre, me sa dëgjojmë, se asgjë të botuar nuk kanë, është çlirimi i Palestinës nga çifutët. Po çifutët dhe shteti i Izraelit, ç’do të bëhen? Aktualisht palestinezët, luftojnë nga tokat e të tjerëve, derisa këta të tjerë, janë në luftë me Izraelin.

Megjithëkëtë, edhe tash, ata nuk luftojnë dot si duhet dhe si duan. Duhet t’i nënshtrohen politikës së shtetit arab, nga territori i të cilit veprojnë. Por kur këto shtete arabe.do ta pushojnë luftën kundër Izraelit, dhe me siguri që do ta pushojnë si Egjipti, edhe Siria, ç’do të bëjnë palestinezët? Perspektivë e errët dhe luftë e vështirë, që duhet të vazhdohet në kushte të reja.

E ENJTE, 5 QERSHOR 1975

U RIHAP KANALI I SUEZIT

Sot u njoftua rihapja e Kanalit të Suezit, që ishte mbyllur më 5 qershor të vitit 1967, për shkak të agresionit ushtarak izraelit. Që Kanali u rihap, u bë mirë, sepse do të përfitojmë edhe ne: anijeve tona do t’u shkurtohet rruga për në Oqeanin Indian. Por, konditat në të cilat u bë kjo rihapje, janë të rënda, në dëm të interesave të luftës së popujve arabë, në favor të Izraelit dhe të dy superfuqive

E HËNË, 19 SHTATOR 1977

TE DEMASKOHEN FORT ARMIQTË E POPUJVE ARABE

Teza për artikullin, për vizitën që Anvar el Sadati do të bëjë pas disa kohësh në Izrael. Bisedova me Ramizin, për vizitën që Anvar el Sadati, do të bëjë pas disa kohësh në Izrael. Është rasti që; t’u bëjmë një demaskim të fortë armiqve të popujve arabë e, në mënyrë të veçantë, të popullit palestinez, imperialistëve amerikanë, social-imperialistëve sovjetikë dhe qarqeve reaksionare arabe. Udhëtimi i Sadatit në Izrael, është pjesë e komplotit të përbashkët, imperialisto-sionist dhe i reaksionit arab, kundër interesave dhe të drejtave të popujve arabë.

Për këtë çështje, i dhashë Ramizit udhëzime të hollësishme dhe teza të zgjeruara për një artikull, në të cilin të demaskohen edhe vepra e politika kapitulluese e Sadatit, por pa e përmendur atë me emër. Agresorët duhen izoluar, ata duhen demaskuar e duhen luftuar. Një agresor i tillë, kundër popujve arabë, kundër lirisë, pavarësisë dhe tërësisë territoriale të tyre është Izraeli. Ky i ka gjakosur popujt vëllezër arabë, ka pushtuar tokat e tyre.

Izraeli, çdo ditë e vazhdimisht, godet, vret e pret, një popull të lavdishëm, siç është populli vëlla palestinez, të cilin sionistët, të mbështetur nga imperialistët amerikanë, e kanë lënë pa atdhe. Populli heroik palestinez, tani është shpërndarë dhe jeton i mjeruar si muhaxhir, si mik në shtëpitë e vëllezërve të tij arabë. Megjithëse i vrarë e i copëtuar, ky popull ka një frymë e një ndërgjegje të lartë luftarake. Ai kurrë ndonjëherë, nuk i ka ulur armët, për të fituar lirinë, të drejtat dhe atdheun e vet.

Populli shqiptar, ushqen një dashuri, një respekt e admirim të madh, për këtë popull trim e të shumëvuajtur dhe ka besim të patundur në fitoren e tij përfundimtare. Të bihet në ujdi e të bëhet kompromis me Izraelin, të lihen mënjanë dhe të merren nëpër këmbë interesat e popujve arabë, sidomos interesat e popullit palestinez e, të atij sirian, është e dënueshme.

Populli shqiptar, si mik i ngushtë e besnik i popujve arabë, e konsideron këtë si një veprimtari të drejtuar, kundër interesave të arabëve, si pro-imperialiste e që nxit agresionin imperialisto-izraelit. Gjithë opinioni i shëndoshë arab, që nga vetë palestinezët e sirianët, algjerianët, irakianët, libianët e deri tek egjiptianët, është prononcuar kundër ujdisë, e kundër kompromisit me Izraelin.

Gjithashtu, të gjithë ata që janë luftëtarë të vërtetë kundër imperializmit amerikan e social-imperializmit sovjetik, kundër reaksionit e shtypjes, të gjithë ata që janë për lirinë e popujve dhe për luftën e tyre çlirimtare, e kanë dënuar dhe e kanë kritikuar pa ekuivok gjunjëzimin ndaj Izraelit, kanë mbajtur qëndrim të prerë kundër kompromisit me Izraelin. Por vihet re se nuk po luan fare karta e “të paangazhuarve”. Dhe kjo nuk është e rastit. Falsitetin e “teorive” ose të “lëvizjeve” që janë destinuar për mashtrimin e popujve, e nxjerrin në shesh ngjarjet konkrete, zhvillimi i luftës së klasave.

 

Ç’të thonë partizanët e lëvizjes së «të paangazhuarve», kur protagonistët e kompromiseve të tilla, që janë edhe flamurtarë të “mosangazhimit”, e tregojnë hapur se janë të angazhuar dhe të varur nga imperializmi, se bëjnë lojën e tij, se politika që ndjekin, formalisht është e pavarur, por, në realitet, diktohet nga të tjerët, mbron interesa të huaj për popujt arabë. Nuk po duket, gjithashtu, as veprimtaria e së ashtuquajturës botë e tretë.

Përkrahësit e kësaj teorie, që bërtasin me të madhe dhe përpiqen ta provojnë me citate se ndihmojnë luftën e interesat e popujve të botës, nuk po i shohim që të mbrojnë kauzën e drejtë të popujve arabë, nuk po dalin në mbështetje të tyre. Përse vallë? Mos duhen sakrifikuar interesat e arabëve, tokat e tyre, fati dhe jeta e palestinezëve për hir të aleancës me «botën e dytë» dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Apo ndoshta kështu e duan interesat e lartë të superfuqive imperialiste, që popujt e vegjël dhe njerëzit e thjeshtë nuk arrijnë t’i kuptojnë dot?

Partia jonë e populli shqiptar, i hedhin poshtë me përbuzje, të gjitha llogaritë imperialiste. Populli ynë ka qenë dhe është gjithnjë me kauzën e drejtë të popujve arabë dhe do të jetë përkrah tyre, në çdo situatë, të mirë e të keqe, në gëzime e në fitore, si dhe në hidhërime e në disfata, të përkohshme. Populli ynë, është një popull i vogël, por për ata që luftojnë për liri e për të drejtën, si për popujt arabë e të Afrikës, ai është një vëlla besnik i patundur.

Po konstatojmë se politika e përgjithshme që ndjekin superfuqitë imperialiste, është ndërtuar në përputhje me interesat e tyre, kush të vendosë më mirë e më shpejt hegjemoninë e vet, mbi popujt, mbi kontinentet. Secila nga superfuqitë imperialiste, si kur i ka futur thellë thonjtë, ashtu edhe kur është duke ngulur piketat e para të ekspansionit, lufton t’u imponojë vendeve e grup-vendeve politikën e vet. Social-imperialistët sovjetikë, punojnë që të gënjejnë udhëheqje të vendeve të ndryshme të Afrikës, duke u shtirë si kampionë të lirisë.

Ata u shesin armë këtyre udhëheqjeve dhe fitojnë të drejtën për të krijuar baza ushtarake, për interesat e vet sundues imperialistë. Kështu ndodhi në Somali. Por, njëkohësisht, një fuqi tjetër imperialiste, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, manovruan me shpejtësi dhe nëpërmjet agjentëve të tyre, kredive, armëve e dollarëve, i luajtën të gjithë gurët, për t’ua ngritur këmbët pas një kohe, social-imperialistëve sovjetikë. Viktima të këtyre lojërave të rrezikshme e të interesave imperialist, bien popujt.

Shohim që popujt e Etiopisë e të Somalisë, dy popuj liridashës e paqedashës, me një kulturë të lashtë dhe që kanë vuajtur të zitë e ullirit nga kolonialistët italianë, kanë hyrë në luftë dhe po vriten me njëri-tjetrin. A e duan këta popuj këtë luftë? Aspak. A mund t’i zgjidhin mosmarrëveshjet që kanë në mes tyre pa qenë nevoja për luftë? Sigurisht, mund t’i zgjidhin e të gjejnë rrugët e përshtatshme. Atëherë pse luftojnë? Është e qartë se këta i shtyjnë në luftë të tjerët, fuqitë e superfuqitë imperialiste, për interesat e vet grabitqarë e hegjemonistë.

Ndërsa derdhet gjaku i popujve të mjeruar dhe rritet urrejtja midis tyre, ka fuqi imperialiste e kapitaliste, që herë marrin anën e njërit, herë të tjetrit, herë duartrokasin njërin vend, herë tjetrin, pa bërë as gjestin më të vogël, për të ndihmuar këta popuj të shumëvuajtur, që të fitojnë paqen dhe mundësinë për të ndërtuar jetën e tyre, në liri e në pavarësi të plotë. Politika e Partisë sonë, është e qartë. Ajo mbështet luftën nacionalçlirimtare të popujve, përkrah interesat e tyre. Ne u flasim popujve vëllezër hapur, ashtu siç i gjykojmë e i mendojmë gjërat.

Ata duhet të ruhen nga intrigat e superfuqive imperialiste, të cilat zakonisht vijnë si miq, si dashamirë, por qëllimi i tyre i vërtetë, është të dominojnë, të hedhin bazat për vendosjen e hegjemonisë së vet. Kjo ngjet në Angola, në Zaire e gjetkë. Kjo po ndodh për një kohë të gjatë në Lindjen e Mesme, ku po luhet një dramë e rëndë, me fatet e popujve vëllezër arabë. Në këtë rajon, superfuqitë imperialiste, luajnë të gjitha fijet, alternojnë njëra-tjetrën, për të plotësuar ambiciet ekspansioniste e shfrytëzuese.

A mund të konsiderohet politikë jo agresive e në tërheqje politika e imperialistëve amerikanë, që mbrojnë dhe mbështetin satelitin e tyre më agresiv, Izraelin? Në kohën e sotme, lufta agresive përgatitet shkallë-shkallë, nëpërmjet luftërave të pjesshme, duke nxitur agresione të veçuara, luftëra lokale. Në qoftë se imperialistët amerikanë, shpallin se janë për statukuonë, kjo nuk do të thotë se kanë hequr dorë nga synimet agresive e ekspansioniste, por se statukuoja u intereson dhe është në favor të interesave të imperializmit amerikan e aleatit të tij, Izraelit.

Ne jem i kundër dhe e demaskojmë këtë maskim që i bën Karteri politikës së tij agresive. Ne i demaskojmë të gjithë ata që duan ta paraqesin politikën e statukuosë si një politikë jo agresive, por mbrojtëse. Imperializmit amerikan akoma s’i kanë rënë dhëmbët dhe as i janë prerë thonjtë. Memorie.al

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?