Ish-sulmuesi i Manchester United, Wayne Rooney, ka folur hapur për betejën e tij me alkoolin, duke pranuar se gruaja Coleen e shpëtoi gjatë periudhës së tij më të errët. Deklarimi u bë gjatë një bisede në podcast me ish-shokun e skuadrës, Rio Ferdinand.
Rooney tha se kishte hyrë në një fazë të rrezikshme të jetës së tij dhe nuk donte t’i ngarkonte të tjerët me problemet e tij personale.
“Erdhi një kohë kur po e teproja. Ishte një periudhë kur po luftoja me alkoolin. Nuk mund të flisja me askënd, nuk doja që askush të mbante barrën time. Besoj vërtet se nëse nuk do të ishte ajo pranë meje (bashkëshortja), do të isha i vdekur,” deklaroi legjenda e sulmit.
Fjalë që vijnë nga një prej emrave më të mëdhenj të futbollit britanik dhe hedh dritë mbi presionin psikologjik që shpesh shoqëron karrierat e elitës sportive.
Rooney, i njohur për karrierën e tij te Everton, Manchester United dhe kombëtarja e Anglisë, ka qenë përherë figurë publike me ndikim dhe rrëfimi i tij rikthen vëmendjen te rëndësia e mbështetjes familjare dhe ndihmës profesionale për sportistët që përballen me varësitë.
Komente
