‘Shoku Feçor nuk duhej të lejonte që sekretari i tij të bënte akt-ekspertimin jashtë laboratorit’, relacioni i Rexhep Kollit për ‘Thikat’ e ambasadave

6 Shkurt 2022, 07:59| Përditesimi: 6 Shkurt 2022, 08:03

  • Share

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), që janë shkëputur nga një dosje voluminoze me siglën “Tepër sekret” e cila i përket viteve 1980-1982.

Bëhet fjalë për ngjarjen e bujshme të çarjes së gomave të disa prej automjeteve të trupit të huaj diplomatik të akredituara në Tiranë, e cila shqetësoi deri udhëheqësin kryesor të Partisë, Enver Hoxhën, që i telefonoi menjëherë ministrit të Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, ku, në kulmin e zemërimit, “Komandanti” i tha:

“Nëse për 24 orë nuk e gjeni se kush dhe përse i ka dëmtuar automjetet e ambasadave të huaja në Tiranë, gjej vrimë dhe futu”! Alarmi i ministrit të Brendshëm Feçor Shehu, i cili thirri në një mbledhje urgjente, të gjithë drejtorët kryesorë të dikasterit që drejtonte dhe pasi iu bëri të qartë shqetësimin e madh të “Komandantit”, se mos ajo ngjarje do krijonte incident diplomatik me disa shtete, organet e Sigurimit të Shtetit dhe struktura të tjera të Ministrisë së Punëve të Brendshme, brenda 24 orësh, arritën të zbulonin autoren e “krimit”, Prendushme Deda, punëtore e Ndërmarrjes Komunale të kryeqytetit, që punonte në pastrimin e rrugëve, e cila u kap në flagrancë përpara Hotel “Dajtit” teksa çante gomat e disa prej automjeteve, të trupit diplomatik në Tiranë. Dëshmia e rrallë e ish-Drejtorit të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Neshat Tozaj, të dhënë pak kohë para se ai të ndahej nga jeta, lidhur me debatet e ashpra e përplasjen e tij, më ministrin Feçor Shehu, pasi ai, si titullar i laboratorit që drejtonte, nuk pranoi të firmoste akt-ekspertimin, për të konsideruar “armë të ftohtë” mjetin prerës, me të cilën punëtorja e pastrimit, kishte çarë gomat e disa prej automjeteve me targa “CD”! Kërcënimi i Feçor Shehut, për vartësin e tij që e shkarkoi menjëherë nga detyra, duke e dërguar si skenarist në Kinostudion “Shqipëria e Re” dhe odiseja e gjatë e Tozajt, për të vënë në vend nderin dhe dinjitetin e tij, duke i dërguar letra ankesash kryeministrit Mehmet Shehu dhe më pas Enver Hoxhës, gjë e cila u bë shkak e solli dhe ftohjen e përplasjen e parë midis dy krerëve më të lartë të Shqipërisë komuniste, të asaj kohe!

Akuzat e Enverit ndaj Mehmet Shehut, se: përse ai e kishte mbajtur të fshehtë ngjarjen e bujshme, që tronditi Tiranën zyrtare, (nga frika e ndonjë incidenti diplomatik me disa shtete), ku pas vdekjes së tij dhe arrestimit të Kadri Hazbiut e Feçor Shehut, ajo ngjarje ridoli “në skenë” dhe si rezultat, u liruan nga burgu e internimi të gjithë pjesëtarët e “grupit armiqësor”, që ishin akuzuar për dëmtimin e automjeteve të ambasadave të huaja (me përjashtim të Prendushe Dedës, që u lirua me amnistinë e vitit 1986), e kthimin në vendin e punës së Neshat Tozajt, (si Drejtor i Laboratorit Qendror Kriminalistik pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme) i cili disa vite më pas, shkroi romanin “Thikat”, që asokohe do të bënte një bujë të madhe, duke u ribotuar disa herë!

Dokumenti sekret me relacionin e hartuar nga Rexhep Kolli, funksionar i lartë në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH-së për organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, dërguar eprorëve të tij, lidhur me problemin e “Grupit kriminal armiqësor”, që ishin arrestuar e dënuar për dëmtimin e automjeteve të ambasadave të huaja në Tiranë!

DISA PROBLEME PËR T’I THEKSUAR NË KOMITETIN E PARTISË TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME

Së dyti: do rritur kujdesi për njohjen, zbatimin dhe mbrojtjen e vijës së Partisë, të shprehur në Platformën e punës operative, në ligjet dhe aktet e tjera normative.

E themi këtë, pasi nga veprimet e kryera del qartë se; disa kuadro nuk kanë patur koncept të drejtë për direktivat, ligjet dhe aktet normative. Si mund të thuash: “U nisa nga qëllimi i mirë dhe shkela ligjet”?! Po norma ligjore apo ajo e Platformës nuk e kanë qëllimin e mirë? Jo shokë, këto gjykime nuk janë të partishme, bien erë anarkizmi.

Shoku Elham dhe disa të tjerë u nisën nga koncepti “të arrestojmë, se kemi bindje që gjatë proçesit do e zbërthejmë, do i’a vërtetojmë veprimtarinë armiqësore”. Pse shokë, kështu thotë ligja, që po u bind hetuesi mund të arrestojë një person? Ligji kërkon të administrohen prova dhe vetëm mbi bazën e analizës të tyre të formohet bindja nëse duhet apo jo arrestuar. Në sistemin borgjez vepron koncepti: “qëllimi justifikon veprimin”, por jo në sistemin tonë socialist.

Si mund të themi ka koncept të qartë për normat, kur mendimi i Laboratorit Qendror nuk u përfill nën pretekstin se Neshat Tozaj, “nuk është objektiv, nuk gjykon për situatën”. Po duke ndryshuar vendimin e hetuesit, për të zhdukur gjurmët e akteve të ekspertimit që thonin se thikat nuk janë armë të ftohta, a është gjykim me objektivitet? Mirë rregullorja e Laboratorit Qendror nuk njihej nga këta shokë dhe mendonin se ajo s’ka fuqi për hetuesi, por urdhëri i Ministrit Nr.01-4 datë 29.2.1980 “Mbi mënyrën e zbatimit të dispozitave të reja të Kodit të Procedurës Penale të RPSSH-së”, pse nuk njihej nga këta shokë dhe pse nuk kish fuqi për këta?!

Ligjet dhe aktet normative nuk u zbatuan, sepse i shkelën vetë kuadrot kryesore, duke filluar nga drejtori i Hetuesisë. Pse nuk veproi dega që merret me kontrollin e ligjshmërisë? Si të vepronte ajo, kur kryetari i saj, shoku Reshat Leskaj, tha në mbledhje e parë të organizatës bazë: “Jam i mendimit të mos thellohemi në masat, ta mbyllim me kaq”?! Të vepronte kjo degë, do të thoshte të vinte para përgjegjësisë ligjore shokët: Elham Gjika, Faraudin Poçari e Sokol Kolekën. Këtë, shoku Reshat Leskaj nuk e bënte pa urdhër të drejtorit, aq më shumë kur çështja ishte kundër drejtorit. Pra familjariteti i sëmurë në dëm të ligjshmërisë.

Shoku Enver në Kongresin e 8-të të Partisë, midis të tjerash theksoi: “Njohja gjithnjë e më mirë, në thellësi e gjerësi, e vijës së Partisë, e politikës dhe e normave të saj, e ligjeve të shtetit dhe zbatimi me disiplinë të lartë i tyre janë kushte të domosdoshme për të rritur veprimtarinë e këtyre organeve, për të forcuar më tej frymën klasore, partishmërinë dhe objektivitetin në ushtrimin e funksioneve”. Ky mësim i shokut Enver, do përvetësuar thellë nga çdo komunist e kuadër.

Së treti: Nga sa pamë del se metoda e punës në aparatin e ministrisë ka të meta e shfaqje burokratizmi. Prandaj, komiteti i Partisë dhe organizatat bazë, duhet të shtojnë kujdesin e tyre në këtë drejtim. Këtu edhe shoku Feçor duhet të rris kërkesën.

Nuk është aspak metodë pune revolucionare, ajo që ndodhi një shkelje kaq e rëndë dhe nuk u bë asnjë analizë në drejtori. Nuk është metodë pune revolucionare, ajo që përgjithësimin për këtë shkelje e bëri ai që ishte përgjegjës dhe për më tepër pa analizuar problemin, aq më keq edhe kur e bën përgjithësimin, nuk e punuan fare me efektivin e drejtorisë. Komiteti i Partisë duhet të nxjerrë konkluzione për ato që tha organizata, se shoku Elham si drejtor nuk merrte mendimin e oficerëve të drejtimit e të kryetarëve të degëve për planet, për kuadrot dhe për çështje hetimore, se ai kishte shfaqje të prepotencës e të arrogancës ndaj kuadrove etj.

Shoku Feçor, kemi mendimin se nuk duhej të lejonte që sekretari i tij, të bënte akt ekspertimi jashtë Laboratorit Qendror. Nga ana tjetër, shoku Feçor drejt veproi që dha porosi të analizohet, të nxirren konkluzione e t’i raportohet, por do ishte më e drejtë që t’i thoshte shokut Elham, që me tre-katër shokë që nuk ishin investuar në çështje, të përgatitej analiza, t’i jepej atij dhe të vente vetë në këtë analizë ose të dërgonte një nga zv/Ministrat. Veç kësaj do bënte mirë t’i kërkonte shokëve, si u zbatuan porositë e tij, pse siç doli ato nuk u zbatuan dhe analiza nuk u bë e konkluzione nuk u nxuarën.

Së katërti: Ngjarja nxori mirë në pah faktin që ka mjaft shfaqje e koncepte të huaja, siç janë fryma e familjaritetit, mendjemadhësia, tërheqja pas interesit vetjak, mos përfillja e mendimit të shokëve, mbytja e kritikës etj. Mos i shikoni këto si diçka që ndodhën vetëm tek shoku Elham, tek komunistët e kuadrot e drejtorisë të Hetuesisë, si diçka që dualën rastësisht, por ashtu siç porositi Kongresi i 8-të i Partisë, të shikohen si aspekte të luftës së klasave në gjirin tonë, si presion i ideologjisë borgjeze e mikroborgjeze mbi ne dhe që gjallërohen nga puna e jonë e pamjaftueshme politiko – ideologjike.

Prandaj, duke marrë shkas nga kjo ngjarje e nga ato që nxori kjo organizatë bazë, të reflektonin thellë për të luftuar më mirë e më me forcë këto shfaqje. Mbani parasysh atë që theksoi shoku Enver në Kongresin e 8-të të Parisë, se: “Lufta kundër mbeturinave dhe shfaqjeve të ideologjive të huaja, të vjetra e të reja, për edukimin komunist të punonjësve, përbën frontin më të gjerë e më kompleks të luftës së klasave që zhvillohet në vendin tonë…” dhe më tej: “të zhvillosh drejt luftën e klasave, do të thotë të zbatosh drejt vijën marksiste – leniniste të Partisë, të pranosh me vetë dije e bindje të thellë parimet e socializmit, të punosh kurdoherë për të mirën e popullit e të atdheut, të ruash e të mbrosh socializmin”.

Së pesti: Të bëjmë më shumë kujdes për konceptimin e drejtë të marrëdhënieve të organeve të Hetuesisë me organet e Prokurorisë e të Gjykatës. Ato janë organe të Partisë si dhe organet e Punëve të Brendshme. Prandaj, s’është aspak e drejt t’ua fshehësh atyre të vërtetën. Kur ato zbulojnë shkeljet tona, jo t’u përgjigjemi cekët, pa përgjegjësi, por t’u japim shpjegimet e plota, të qarta e me frymë llogaridhënëse. S’është e drejtë gjithashtu që t’u ndërhyjmë vend e pa vend, kohë e pa kohë për ta dënuar lehtë apo rëndë këtë apo atë person. Detyra e Hetuesisë është të zhvillojmë një hetim me objektivitet dhe gjithçka t’ia dërgojë gjykatës të bazuar.

E ngremë këtë, pasi shokët në organizatën bazë dhanë shembuj të qëndrimeve jo të drejta në këtë drejtim.

Së gjashti: Mendojmë se do bërë më shumë kujdes lidhur me pafajësitë. Gjithë puna është që hetuesit të fillojnë e të zhvillojnë hetime me objektivitet, frymë partishmërie dhe kurdoherë të bazuar në ligjet dhe në administrimin e kujdesshëm të provave. Kur hetuesit veprojnë kështu, s’ka pse të alarmohen në se Gjykata në Shkallë të Parë apo të Dytë, jep pafajësinë.

Pafajësitë që mund të jepen nga organet e gjykatës, të mos krijojnë atë ndjenjë frike tek hetuesit, sepse ajo mund t’i çojë disa hetues në dy gabime të rënda: ose t’i pezullojë dhe pushojë këto çështje, ose të manipulojnë provat për t’i çuar padrejtësisht në gjyq. Shikojeni këtë me kujdes pa u ndikuar nga mendimi ynë, por dijeni se shokët e gjykatës e kanë këtë shqetësim për hetuesinë.

Ndoshta dhe në rastin konkret, një nga shkaqet që më vonë nuk u reflektua për të korrigjuar gabimet e bëra në fillimin e çështjes penale, është edhe kjo që “sitë na dalin të pafajshëm, ne i mbajtëm këta tre muaj në burg”?

***

Këto çështje kishim shokë të komitetit për të thënë, tani i analizoni e gjykoni ju në dritën e mësimeve të Partisë e të shokut Enver, me synimin që të nxirren konkluzionet për t’a përmirësuar tërë punën e Partisë në këtë drejtim.

Rexhep Kolli

Tiranë më 12.1.1982

Dokumenti sekret me njoftimin për sqarimin e çështjes së letrës që Neshat Tozaj i kishte dërguar Enver Hoxhës, lidhur me problemin e “Grupit armiqësor të thikave” që kishte dëmtuar automjetet e ambasadave të huaja në Tiranë

16.3.1982 Sekret

NJOFTIM

PËR SQARIMIN E ÇËSHTJES TË NGRITURA NGA ANËTARI I PARTISË NESHAT TOZAJ NË LETRËN DREJTUAR SHOKUT ENVER HOXHA

Nga verifikimet e bëra del se; çështjet që ngre anëtari i Partisë Neshat Tozaj, në letrën drejtuar shokut Enver Hoxha, janë plotësisht të drejta.

Më 26.10.1980, u kap në flagrancë Prendushe Deda, duke çarë gomat e makinave të diplomatëve të huaj. Nga pohimet e saj, implikoheshin edhe 5 persona të tjerë, 3 prej të cilëve femra. Të gjithë me të drejtë u ndaluan.

Gjatë tre ditëve të ndalimit, Hetuesia në mënyrë të sforcuar, siguroi prova për të marrë sanksionimin e arrestit për 4 persona. Problemi ngeli tek Lindita Beka, vajzë e datëlindjes 1959 dhe punëtore në uzinën “Dinamo”, për të cilën u provua vetëm fakti që i ka dhënë thikën Prendushe Dedës, por pa ditur ç’qëllim kishte ajo. Laboratori Qendror i Kriminalistikës, nga dy eksperimentimet e bëra, arriti në përfundimin se thikat nuk ishin armë të ftohta. Prandaj Hetuesia e Tiranës, e liroi Lindita Bekën më 29.10.1980.

Në këto kushte, me urdhër të drejtorit të Hetuesisë, u hoqën nga dosja aktet e Laboratorit Qendror të Kriminalistikës dhe u thirrën si ekspertë, sekretari i ministrit, shoku Farudin Poçari, bashkë me një ekspert të Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë, të cilët thikat i cilësuan si “armë të ftohta” dhe me këtë akt të kundërligjshëm u muar sanksioni i arrestit.

Më 23.1.1981, pas tre muaj hetimesh, u provua se nuk kishim të bënim me grup diversionist. Për këtë arsye, Drejtoria e Hetuesisë arriti në përfundimin që të 6 të pandehurit e arrestuar si grup, të çoheshin në gjyq të ndarë në tre çështje: Çështja e parë me tre të pandehur, nga të cilët vetëm një për krim kundër shtetit dhe dy të tjerët për mos kallëzim krimi, çështja e dytë me dy të pandehur, nga të cilët një për përvetësim të pasurisë socialiste me një vlerë prej 284.40 lekë, e për mbajtjen e thikave, si armë të ftohta pa leje dhe tjetri, vetëm për mbajtje armë të ftohta pa leje, çështja e tretë me një të pandehur për provokim, dështim lindjeje të kundra ligjshme.

Përpara kësaj gjendjeje, shokët e Hetuesisë duhet të ndaleshin e të reflektonin mbi këtë proces që u nis me aq bujë dhe që çoi në shkeljen e të drejtave të disa qytetarëve, sepse një vajzë u arrestua dhe u dënua me 4 muaj heqje lirie me prova të manipuluara, tre familje u internuan padrejtësisht, si dhe kishte vend për dy persona, t’u bëhej politikë penale.

Prokuroria e Përgjithshme dhe Gjykata e Lartë, në prill 1981, bënë ndërhyrjet përkatëse dhe për shkeljet e konstatuara vunë në dijeni shokun Feçor Shehu. Por megjithëkëtë, përsëri nuk u qëndrua për t’u analizuar thellë shkeljet e ligjshmërisë, shkaqet dhe përgjegjësia. Gjithçka u mbyll me një kritikë të cekët në mbledhjen e kolegjiumit, në organizatën bazë të Hetuesisë dhe në Komitetin e Partisë të Ministrisë. Më 12 maj 1981, u bë edhe një përgjithësim formal që ju dërgua degëve në rrethe.

Kur ne më 7 dhjetor 1981, filluam të kërkojmë shpjegime lidhur me shkeljet dhe pasojat e tyre në këtë proces penal, shokët e Drejtorisë së Parë, të Drejtorisë së Hetuesisë, dhe ata të Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, jo vetëm që nuk na i thanë hapur të metat, gabimet, e shkeljet e bëra, por u përpoqën t’i fshehin ato, duke grumbulluar edhe materiale në rrugë të gabuar, për të vërtetuar se “masat e marra ndaj Lindita Bekës dhe familjes së saj, kanë qenë të drejta”. Vetëm pasi bëmë disa ballafaqime me kuadrot, pasi studiuam me kujdes çdo dokument e veprim të kryer, mundëm të zbërthejmë të vërtetën. Konkluzionet mbi verifikimin i shtruam në organizatën bazë përkatëse të Drejtorisë së Hetuesisë e pastaj edhe në Komitetin e Partisë së Ministrisë./Memorie.al

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?