“Shoqata e Filmit Audiovizual, Artistik dhe Dokumentar-F.A.A.D” shprehet e indinjuar dhe e shqetësuar për atë që ajo e cilëson vendim absurd dhe dashakeqës nga ana e Këshillit Kombëtar për të Drejtat e Autorit (KKDA) për përcaktimin e përqindjes së ndarjes së shpërblimeve të mbledhura për agjencitë e administrimit kolektiv: FAAD dhe Albautor.
Në një deklaratë për shtyp, ata bëjnë me dije se vendimi (i marrë në 21 gusht 2025) “tregon mungesë të plotë njohurish ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare dhe cenon rëndë të drejtat e autorëve të veprave audiovizuale: regjisorëve, skenaristëve dhe bashkautorëve të tjerë”.
Pas kërkesës së paraqitur nga Agjencia e Administrimit Kolektiv në fushën e të drejtave të autorëve dhe producentëve të veprave audiovizuale (FAAD) u vendos që shpërblimet t’i kalojnë zyrës së “Albautor”, ndërsa F.A.A.D nuk merr asnjë përqindje nga këto shpërblime.
(Tabela e përcaktimit të përqindjes së ndarjes së shpërblimeve të mbledhura ndërmjet agjencive të administrimit kolektiv "F.A.A.D" dhe "Albautor")
“Ky vendim i KKDA-së bie ndesh me çdo praktikë kombëtare dhe ndërkombëtare. Nuk mund të shfaqet një film vetëm me autorizimin e kompozitorit dhe të hiqen të drejtat e regjisorëve, skenaristëve e bashkautorëve. FAAD do të përdorë çdo mjet ligjor për të mbrojtur autorët audiovizualë”, vërehet mes të tjerash.
Sipas tyre, shembuj praktikë të vendimit absurd janë filmat që shfaqen në kinema lëvizëse, ku regjisorët dhe skenaristët nuk kanë të drejtë shpërblimi, ndërsa të drejtën e marrin vetëm kompozitorët dhe interpretuesit.
Ndërkohë, lidhur me transmetime televizive në platforma të ndryshme regjisori nuk gëzon të drejtën e shpërblimit sipas vendimit të KKDA-së.
Sa i përket ritransmetimit të veprave audiovizuale për dokumentarët dhe filmat e animuar parashikohet ndarja e të ardhurave 50% mes regjisorëve, skenaristëve dhe bashkautorëve me kompozitorët, sipas përfaqësuesve të F.A.A.D, “një praktikë e padëgjuar në nivel kombëtar e ndërkombëtar.”
Ata theksojnë se ky vendim përbën abuzim me detyrën nga ana e KKDA-së dhe FAAD deklaron se do të përdorë të gjitha mjetet ligjore, përfshirë pezullimin e mbledhjes së të ardhurave nga SUADA (Sporteli Unik për Administrimin e të Drejtës së Autorit), për të mbrojtur të drejtat e autorëve të veprave audiovizuale.
Shoqata i bën thirrje SUADA-s dhe anëtarëve të saj të mos prekin të ardhurat që u takojnë regjisorëve, skenaristëve dhe bashkautorëve të tjerë, pasi çdo përfitim pa shkak do të konsiderohet paligjshmëri.
(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)
Komente
