Shoqata Ndërkombëtare e Gazetarëve Evropiane, dega e Shqipërisë ka dënuar sulmin e deputetit demokrat Flamur Noka ndaj gazetarit dhe botuesit Carlo Bollino në Kuvend.
AEJ Albania, në reagimin e saj, thotë se përdorimi i institucionit më të lartë përfaqësues në vend për të sulmuar personalisht dhe profesionalisht një gazetar është i papranueshëm si dhe dëmton fjalën e lirë dhe të drejtën e publikuar për t’u informuar.
“Të përdorësh institucionin më të lartë përfaqësues të vendit për të sulmuar personalisht dhe profesionalisht një gazetar është një praktikë e papranueshme dhe e rrezikshme për lirinë e shtypit dhe demokracinë. Etiketimet fyese, linçimet publike dhe sulmet verbale ndaj përfaqësuesve të medias krijojnë një klimë presioni dhe frike që dëmton rëndë fjalën e lirë dhe të drejtën e publikut për t’u informuar.”, thekson AEJ Albania.
Shoqata i bën apel drejtuesve të opozitës dhe maxhorancës që të distancohen nga sulme të tilla dhe të kontribuojnë ta kthejnë parlamentin në një hapësirë debati demokratik. AEJ dënon gjithashtu sulmet e drejtuesve të Partisë së Lirisë ndaj gazetarëve të kronikës.
Sulmi i Nokës erdhi pasi deputeti socialist Erion Braçe, teksa po fliste në Kuvend për Strategjinë Kombëtare për Dezinformimin dhe Ndërhyrjet e Huaja, falenderoi pjesëmarrësit dhe kontribuuesit në punën e Komisionit të Posaçëm, përfshirë gazetarë dhe botues të njohur, njëri prej të cilëve edhe Carlo Bollino. Socialistët dënuan sjelljen e Nokës, duke theksuar se kjo gjuhë nuk i shkon një deputeti.
Reagimi i plotë i AEJ Albania:
Shoqata Ndërkombëtare e Gazetarëve Evropianë – Seksioni Shqiptar (AEJ Albania) dënon gjuhën linçuese të përdorur në foltoren e Kuvendit të Shqipërisë nga deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka ndaj gazetarit dhe botuesit Carlo Bollino, si dhe ndaj grupit mediatik Report TV.
Të përdorësh institucionin më të lartë përfaqësues të vendit për të sulmuar personalisht dhe profesionalisht një gazetar është një praktikë e papranueshme dhe e rrezikshme për lirinë e shtypit dhe demokracinë. Etiketimet fyese, linçimet publike dhe sulmet verbale ndaj përfaqësuesve të medias krijojnë një klimë presioni dhe frike që dëmton rëndë fjalën e lirë dhe të drejtën e publikut për t’u informuar.
AEJ Albania i bën thirrje drejtuesve të opozitës dhe maxhorancës të distancohen nga kjo gjuhë dhe Kuvendin e Shqipërisë ta kthejnë në shembull të debatit civil dhe demokratik, jo sulmeve personale dhe baltosjes së mediave dhe gazetarëve.
AEJ dënon gjithashtu sulmet ndaj gazetarëve te kronikës nga drejtues të Partisë së Lirisë, si një e papranueshme e komunikimit publik e demokratik.
Komente
