Gjyqtari i ndjerë Astrit Kalaja

Kronikë

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve: Vrasja e gjyqtarit Kalaja, në kufijtë e aktit terrorist

6 Tetor, 19:46| Përditesimi: 6 Tetor, 19:48

  • Share

1759758771_astritkalaja.jpg

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Shqipërisë e konsideron të rëndë vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, ngjarje që siç shprehet kjo shoqatë, është në kufijtë e aktit terrorist.

Kjo shoqatë evidenton gjithashtu edhe gjuhën e urrejtjes ndaj gjyqtarëve që ka ndikuar në polarizimin e klimës.

Reagimi i Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve:

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë shpreh hidhërimin e madh dhe revoltën e thellë për ngjarjen tragjike dhe tepër të rëndë që ndodhi sot në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Me këtë rast, ajo i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes së gjyqtarit Astrit Kalaja.

Një veprim i tillë barbar, në kufijtë e aktit terrorist, tregon pasigurinë e madhe në të cilën gjyqtarët e republikës duhet të punojnë dhe mungesën tërësore të infrastrukturës në një nga gjykatat më të rëndësishme të vendit, sikurse në shumë tjera. Në të njëjtën kohë ajo është një këmbanë alarmi për polarizimin e thellë të shoqërisë, që ushqehet nga arroganca e segmenteve të ndryshëm politikë ndaj pushtetit gjyqësor dhe balta mediatike e hedhur mbi ta nga portale të caktuara online.

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë jep mbështetjen e pakursyer për të gjithë gjyqtarët e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm por jo vetëm, duke i inkurajuar për të vazhduar të paepur misionin e tyre fisnik të dhënies së drejtësisë, pavarësisht tronditjes për humbjen e kolegut të shtrenjtë gjatë ushtrimit të detyrës.

Një ngjarje e tillë na bën të kuptojmë se gjuha e urrejtjes ndaj pushtetit gjyqësor në përgjithësi dhe  gjyqtarëve në veçanti mund të sjellë pasoja të paparashikueshme. Autorët e akteve të tillë monstruozë mund të arrestohen, por nxitësit e pëçmimit dhe dhunës ndaj gjyqësorit janë organizatorët e vërtetë të tyre. Le të shërbejë kjo ngjarje si një paralajmërim për të giithë institucionet shtetërore për të kuptuar gjendjen mjerane të sigurisë në gjykata dhe vulnerabilitetine e jetës së gjyqtarëve.


Lajmi kryesor:

REAGIMET për vrasjen e Kalasë/ Drejtësia: Alarm për sigurinë e gjyqtarëve! Begaj: Akt makabër! Rama: Përgjigje ekstreme autorit! Opozita: Tronditëse


V.GJ /ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Sa të sigurt janë për jetën gjyqtarët dhe prokurorët?