Të gjitha shoqatat e biznesit dhe dhomat e tregtisë do të shkrihen, për tu bashkuar në një të vetme: Dhoma Ekonomike Kombëtare.
“Të gjitha subjektet tregtare të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit do të jenë anëtare të Dhomës Ekonomike Kombëtare, me përjashtim të subjekteve që janë anëtarë në dhoma apo urdhra profesionalë të krijuar me ligj të veçantë”, thuhet në relacionin e projektligjit të qeverisë të hedhur në konsultim publik.
Në projektligj, thuhet se subjektet tregtare dhe bizneset e vogla janë të detyruara të regjistrohen në dhomë duke paguar një tarifë vjetore 1 mijë lekë. Vetëm për vitin e parë të krijimit të dhomës që është 2025-a, nuk do të paguhet tarifë pasi është periudhë tranzitore dhe mbështetet nga buxheti i shtetit.
Sipas relacionit kostoja për krijimin dhe funksionimin e dhomës në dy vitet e para përllogaritet në 140 milionë lekë.
Ndërsa në vitet e tjera, të ardhurat e dhomës do të sigurohen nga tarifat e anëtarësisë, tarifat e shërbimeve që ofron, kontributet të donatorëve apo burimeve të tjera, të cilat nuk bien ndesh me legjislacionin.
Më bashkimin e shoqatave dhe Dhomave në një të vetme, synohet sipas projektligjit që të krijohet një organ publik që lobon për politikat në fushën e ekonomisë, përcjellë zërin e anëtarëve të saj në proceset e hartimit të legjislacionit, ndihmon në rritjen e kapaciteteve të bizneseve, nxit konkurrencën në vend dhe shërben si një urë lidhëse për të bashkërenduar nismat me aktorët e tjerë që veprojnë në këtë fushë.
Kjo nismë e propozuar nga Ministria për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit është kundërshtuar nga 19 shoqata biznesi e Dhoma Tregtie, të cilat pak javë më parë në një letër drejtuar këtij institucioni i shprehen kundër anëtarësimit me detyrim në dhomën kombëtare. Po ashtu ata pohojnë se nuk ka ndonjë argumentim se përse bëhet kjo lëvizje dhe as nuk ka një analizë mbi produktivitetin e dhomave e shoqatave aktuale të sipërmarrjes.