Pullat fiskale nuk do të prodhohen nga Shtypshkronja e Letrave me Vlerë, por nga një shoqëri që po krijohet në bashkëpunim me Emirateve të Bashkuara Arabe.
Ministria e Financave njofton se shoqëria e re do të funksionojë nën administrimin e Shtypshkronjës së Letrave me Vlerë, dhe do të ketë si qëllim fuqizimin e kapaciteteve të saj në menaxhimin e proceseve të prodhimit dhe shpërndarjes së pullave fiskale. Prej janarit të këtij viti, pullat fiskale janë monopol shtetëror dhe prodhimi i tyre është detyrë e Shtypshkronjës së Letrave me Vlerë.
Në përgjigje të shqetësimit të bizneseve që mund të përballen me mungesë të pullave pas përfundimit të koncesionit të ‘pullave fiskale’ në 31 dhjetor 2024, Ministria e Financave thotë se shoqëria e re do të fillojë veprimtarinë gjatë muajit Mars 2025, duke siguruar një sistem të sigurt, si dhe një cilësi në procesin e prodhimit dhe kontrollit të pullave fiskale.
Ministria sqaron bizneset se ata kanë të drejtën të përdorin pullat e porositura tek kompania që ka pasur këtë koncesion deri më 31 mars 2025. Tarifa e pullave fiskale për produktet e akcizës (cigare, alkool, karburant...) ka qenë 22,4 USD për 1,000 copë, që është konsideruar çmimi më i lartë në Evropë.
Prej vitit 2012 deri në fund të vitit 2024 prodhimi, shpërndarja dhe monitorimi i pullave fiskale të akcizës është kryer nga shoqëria koncesionare “SICPA Security Solutions S.A” dhe “SICPA Security Solutions Albania sh.p.k që e kishin fituar të drejtën e koncesionit përmes një propozimi të pakërkuar në vitin 2011.
Komente
