Shoqëroi Ervis Martinajn dhe ishte kontakti i fundit para zhdukjes! Prokuroria bën rekurs në Gjykatën e Lartë dënimin me 2 vite e 10 muaj burg të Jeton Lamit

29 Qershor, 10:13| Përditesimi: 29 Qershor, 13:38

  • Share

Lezhe- Ish-agjenti i Forcës së Posaçme Operacionale dhe njëherësh miku i biznesmenit të basteve Ervis Martinaj, Jeton Lami ka përfunduar në Gjykatën e Lartë.

Prokuroria e Lezhës ka bërë rekurs dhe nuk ka pranuar vendimin për dënimin me 2 vite e 10 muaj burg.

Jeton Lami shoqëronte biznesmenin Ervis Martinaj gjatë kohës që ishte në detyrë si agjent i Operacionales, duke bërë që i shumëkërkuari i drejtësisë t'i shmangej armiqve dhe kontrolleve që bëheshin për lokalizimin e tij.

Çështja është hedhur në short dhe do të gjykohet nga anëtari i Gjykatës së Lartë, Ilir Panda.Ai është shpallur fajor pasi u akuzua se kishte shpërdoruar detyrën, sepse në vend që t'i hidhte prangat Ervis Martinaj, ishte bërë shofer dhe truproja e tij.

Në fakt, edhe vetë Jeton Lami ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë dhe kërkon pafajësi për këtë vepër penale.

Ai pretendon se nuk ishte në dijeni që Ervis Martinaj ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, pasi faktin e dinin vetëm eprorët por jo ai dhe agjentët e tjerë të Forcës Operacionale.

Jeton Lami rezulton se është personi i fundit që ka parë Ervis Martinaj, pasi e ka marrë me makinën Audi A8 dhe e ka dërguar në një hotel në Durrës, bashkë me të dashurën e tij. Pamjet e kamerave të sigurisë të datës 7 Gusht 2022 dhe të dytëve më pas, 9 Gusht janë të vetmet ku shfaqet personazhi i cilësuar si "mbreti i kumarit".

Prej datës 10 Gusht 2022, Ervis Martinaj rezulton i zhdukur pa gjurmë dhe për këtë fakt, familja ka bërë në të njëjtën datë kallëzim në Policinë e Kurbinit. Ishin vetë ata që gjetën pamjet e kamerave të sigurisë ditë më pas, duke i dorëzuar pranë autoriteteve dhe aty u identifikua dhe Jeton Lami.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?