Vlerësimi ndërkombëtar TIMSS 2023

Shpallen rezultatet e vlerësimit ndërkombëtar TIMSS 2023: Shqipëria shënon progres në Matematikë dhe Shkencë, lë pas edhe vende të BE-së

4 Dhjetor, 18:40| Përditesimi: 4 Dhjetor, 18:45

  • Share

Gjatë publikimit të rezultateve të sotme të TIMSS 2023, Shqipëria renditet për herë të parë mbi mesataren ndërkombëtare në Matematikë. 

Shqipëria ka shënuar një progres të dukshëm në vlerësimin ndërkombëtar TIMSS 2023, duke përmirësuar rezultatet në Matematikë dhe Shkencë dhe duke u renditur për herë të parë mbi mesataren ndërkombëtare në Matematikë. Ky vlerësim, i cili përfshiu në vendin tonë 200 shkolla dhe 5143 nxënës të klasës së katërt, u zhvillua për herë të parë në format digjital (CBA).

Shqipëria për herë të parë shënoi një rezultat prej 512 pikësh në Matematikë, ose 9 pikë mbi mesataren ndërkombëtare që është 503 pikë.

Nxënësit shqiptarë e renditën Shqipërinë në vendin e 33-të nga 58 shtete dhe 5 ekonomi pjesëmarrëse, duke lënë pas vende si Kanadaja, Spanja, Belgjika, Franca, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova, Bosnja-Hercegovina, etj.

8% e nxënësve shqiptarë arritën nivelin e avancuar të aftësive, duke tejkaluar mesataren ndërkombëtare (7%). Nga 49 shtete me rezultate të krahasueshme me rezultatet e TIMSS 2019, 14 prej tyre kanë rritje të rezultateve të TIMSS 2023, 22 shtete nuk kanë ndryshim në rezultate, ndërsa 13 shtete kanë rënie të rezultateve.

Shqipëria është në listën e 14 shteteve me rezultate në rritje në Matematikë. Në prezantimin ndërkombëtar të rezultateve, Shqipëria u cilësua si një ndër shtetet me rritjen më të lartë të pikëve në lëndën e Matematikës, me një rritje prej 18 pikësh.

Shqipëria arriti një rezultat prej 491 pikësh në Shkencë, me një rritje prej 2 pikësh krahasuar me 489 pikët e vitit 2019, vetëm 3 pikë nën mesataren ndërkombëtare prej 494 pikësh. Vlen të theksohet se Shqipëria është vendi i parë në renditje, pas mesatares ndërkombëtare të Shkencës.

Shqipëria u rendit në vendin e 34-të për Shkencën, duke lënë pas shtete si Belgjika, Franca, Qiproja, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova, Bosnje-Hercegovina etj,.

Nga 49 shtete me rezultate të krahasueshme, me rezultatet e TIMSS 2019, 15 prej tyre kanë rritje të rezultateve të TIMSS 2023, 21 shtete nuk kanë ndryshim në rezultate, ndërsa 13 shtete kanë rënie të rezultateve. Shqipëria është në listën e 15 shteteve me rezultate në rritje në Shkencë.

TIMSS është një vlerësim ndërkombëtar që realizohet një herë në katër vite dhe organizohet nga Shoqata Ndërkombëtare për Vlerësimin e Arritjeve Arsimore (IEA). Ky vlerësim ndërkombëtar është një instrument kyç për matjen e cilësisë së arsimit në Matematikë dhe Shkencë.

Shqipëria u bë pjesë e TIMSS për herë të parë në vitin 2019 dhe performanca e saj është përmirësuar dukshëm në këtë vlerësim të fundit.

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?