Shpallet fituesi 4.1 milionë euro për nënstacionin Akërni-Aeroporti i Vlorës

15 Korrik, 12:30| Përditesimi: 15 Korrik, 14:39

  • Share

Nënstacioni që do të ndërtohet në funksion Aeroportit të Vlorës dhe rritjes së kapaciteteve energjetike në Jug pritet të kushtojnë rreth 4.1 milionë euro.

Drejtoria e Tensionit të Lartë OSSH sh.a, pjesë e OSHEE Group, njoftoi se tashmë është shpallur fituesi për kontratën Ndërtimi i N/Stacionit të ri Akërni 110/35/20 kV dhe zhvillimi i linjës 35 kV Akërni-Aeroporti i Vlorës me një fond limit 426 milionë lekë pa TVSH dhe me një ofertë fituese 411 milionë lekë apo rreth 4.1 milionë euro.

Oferta e përzgjedhur si fituese i përket kompania 4AM.

Sipas dokumenteve, projekti ka të bëjë me ndërtimin dhe vënien në punë të plotë të N.Stacionit elektrik të ri 110/35/20 kV dhe fuqi 1×20/25MVA ONAN/ONAF në Akërni të Vlorës, duke u realizuar me hapësirat e nevojshme dhe të mjaftueshme për t’u fuqizuar në një fazë perspektive edhe traktet e linjave 110kV sipas standardeve të OST, si dhe ndërtimin e linje të veçantë kabllore 35kV, 1x185mm2 për furnizimin e Aeroportit te ri Vlorë nga N.Stacioni i ri Akërni në Aeroport.

Furnizimi me linjë alternative për Aeroportin

Në dokumente OSSH argumenton se ngarkesa që ka zona e Jugut gjatë verës dhe investimi në Aeroport parashtron nevojën për një linjë alternative në funksion të sigurisë.

“Duke parë gjendjen aktuale të rrjetit TM 35kV në zonën bregdetare që furnizon N.Stacionet midis Rajonit Akërni – Aeroport, Vlorë – Vlorë dhe problematikat me furnizimin me energji elektrike në periudhat e ngarkuara të stinës së verës, sidomos në N.Stacionin Kafaraj i cili është nyja kryesore e furnizimit të këtyre N.Stacioneve 35kV si ai i Mifolit, Povelçës, Hoxharës, dhe nga domosdoshmëria që lind për sigurinë e funizimit të Aeroportit të ri Akërni – Vlorë, nga dy burime të pavarura, është menduar ndërtimi i një N.Stacioni te ri 110/35/20kV, 1 x 20/25MVA, në mënyrë që duke u lidhur në linjen 110kV Akërni – Aeroport, Vlorë 220kV TEC – N.Stacioni Vlora 1, mund të furnizoje dhe të sigurojë me energji elektrike me standarde dhe parametra teknik gjithë zonën bregdetare” thuhet në dokument.

Aeroporti i Vlorës

Pak ditë më parë, zëvendëskryeministrja, njëherësh ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë inspektimit të punimeve në Aeroportin e Vlorës tha se deri më tani janë realizuar më shumë se 40% e punimeve fizike.

Aeroporti pritet që të përfundojë brenda 31 dhjetorit 2024 ndërkohë që do të ketë fazat e tij të testimit. Aeroporti ndërkombëtar i Vlorës do të jetë i kategorisë 4E, me një pistë me gjatësi prej 3.2 kilometrash duke mundësuar edhe fluturimet transoqeanike.

Në fillim të vitit 2021 qeveria shpalli fituesin për koncesionin e Aeroportit të Vlorës me një ofertë investimi 103 milionë euro ku bënin pjesë dy kompani Mabco Constructions SA e investitorit Behgjet Pacolli dhe ortaku turk YDA Insaat Sanayi ve Ticaret.

Në dhjetor të 2022-it Mabco mori kontrollin e plotë të aksioneve. Qeveria ka aplikuar për këtë projekt garantimin e trafikut të munguar. Në total të ardhurat e garantuara duhet te jenë rreth 138 milionë euro. Kontrata parashikon që aeroporti të përfundojë në vitin 2024 dhe të nisë operimin në vitin 2025./Monitor

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?