Në Maqedoninë e Veriut kanë filluar përgatitjet për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare qe zhvillohen në fund të prillit dhe fillim të majit. Nga partitë politike shqiptare do të ketë dy kandidatë për zgjedhjet presidenciale.
Nga koalicioni i opozitës shqiptare kandidat do jetë zoti Arben Taravari, ndërsa të enjten, Partia Bashkimi Demokratik për Integrim shpalli se kandidat i saj do jetë Bujar Osmani, i cili mban detyrën e Ministrit të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Osmani tha se kandidatura e tij ishte "një referendum” në mbështetje të idesë që presidenti të zgjidhet nga parlamenti. “Një mbështetje plebishitare për idenë që presidenti të zgjidhet në Parlament me dy të tretat e votave dhe me shumicë të dyfishtë, ku edhe shumica e deputetëve shqiptarë do të jetë përcaktuese për zgjedhjen e presidentit”, u shpreh ai, duke shtuar se presidenti duhet të jetë një figurë që bashkon qytetarët e vendit.
Zoti Osmani tha se priste që qeveria e re të miratonte ndryshimet në kushtetutën e vendit, si dëshmi e synimeve për integrimin europian të Maqedonisë së Veriut.
Zëri i Amerikës: Zoti Osmani, në sesionin e sotëm plenar të OKB-së, ku u diskutua mbi mbështetjen ndaj Ukrainës, ju mbajtët dhe fjalën e rastit. Cilat qenë qëndrimet tuaja kryesore?
Bujar Osmani: Mendoj që ky përvjetor i dytë i fillimit të agresionit rus ishte një mundësi e mirë që një grup i ministrave të jashtëm, të cilët kemi qenë më të zëshëm në alarmin se Federata Ruse paraqet rrezikun më të madh për sigurinë e kontinentit, por natyrisht nga perspektiva ime dhe për Ballkanin Perëndimor dhe Maqedoninë e Veriut, që edhe sot të rikujtojmë bëmat e Federatës Ruse në Ukrainë dhe rrezikun që paraqet për të gjithë ne. Përveç fjalës time në Asamblenë e Përgjithshme, unë pata mundësi të kem një takim edhe me Ministrin e Jashtëm të Ukrainës, zotin Dmytro Kuleba, duke konfirmuar edhe një herë mbështetjen e vazhdueshme të Maqedonisë së Veriut për luftën e drejtë të Ukrainës. Unë besoj se po qe se Federata Ruse fiton në Ukrainë, caku i radhës do të jenë rajonet e tjera vulnerabile, veçanërisht Ballkani Perëndimor dhe këtu përfshihet natyrisht edhe Maqedonia e Veriut multietnike. Prandaj është shumë me rëndësi që të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën që ta fitojë këtë luftë të drejtë, por edhe ne ta ruajmë qartësinë strategjike dhe rezistencën tonë për t’u ballafaquar me ndikimet hibride ruse, të cilat janë futur në çdo pore të sistemit dhe prandaj ishte mesazhi këtu që t’i themi jo Rusisë, por povazhdimit të integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor dhe Maqedonisë së Veriut, në veçanti.
Zëri i Amerikës: Zoti Osmani, dje, ju u shpallët zyrtarisht si kandidat i Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim për President. Cila do jetë oferta juaj për elektoratin?
Bujar Osmani: Ishte një rastësi që nominimi për kandidat për President të shtetit nga Bashkimi Demokratik për Integrim të më gjejë këtu në SHBA, në Kombet e Bashkuara dhe shfrytëzoj këtë mundësi, për shkak se është dhe paraqitja ime e parë pas nominimit, të falendëroj të gjithë ata të cilët më dhanë përkrahje të madhe gjatë ditës së djeshme, por natyrisht kryetarit Ali Ahmeti i cili vendosi që një pjesë të misionit të madh të tij historik mbi supet e mia. Për shkak se kandidatura ime nuk është vetëm kandidaturë e një politikani që ka një përvojë unike vendore institucionale dhe ndërkombëtare. Duke qenë se vitin e kaluar isha kryesues i organizatës më të madhe botërore të sigurisë të OSBE-së me 57 shtete dhe 1.3 miliardë njerëz, por më tepër kandidatura ime është një referendum për një ide të barazisë së plotë të të gjitha komuniteteve në Maqedoninë e Veriut, për shkak se ne dalim me ide për një plebishit, një mbështetje plebishitare për idenë që presidenti të zgjidhet në Parlament me dy të tretat e votave dhe me shumicë të dyfishtë, ku edhe shumica e deputetëve shqiptarë do të jetë përcaktuese për zgjedhjen e presidentit. Për shkak se presidenti duhet të jetë një figurë unifikuese, indi lidhës, indi koheziv që mban bashkë narracionet e ndryshme në vend; në një ind, në një harmoni multietnike dhe shoqërore. Prandaj, kjo kandidaturë e imja është një mesazh i madh se ka ardhur koha që të gjitha monopolet etnike që janë krijuar në shtet të rrënohen dhe të krijohet një shtet i barazisë së plotë për të gjithë inidvidët dhe për të gjitha komunitetet tjera.
Zëri i Amerikës: Në garë, janë dy kandidatë nga partitë politike shqiptare, ju dhe zoti Arben Taravari. Ne të kaluarën, kandidatët shqiptarë nuk kanë kaluar në raundin e dytë të zgjedhjeve. Cilat janë pritshmëritë tuaja, çfarë ka ndryshuar këtë herë?
Bujar Osmani: Unë mendoj se situata është paksa ndryshe. Duke mos dashur të flas shumë për veten, mirëpo eksperienca ime ndërkombëtare dhe vendore institucionale më bën shumë kompetitiv në krahasim me të gjithë kandidatët e tjerë përfshirë ata maqedonas apo shqiptarë; një cilësi e re në vendimmarrjen për president në Maqedoninë e Veriut. Unë mendoj se ky referendum për këtë ide të cilës i ka ardhur koha i tejkalon kufijt etnik, për shkak se është ide mbi barazinë, mbi institucionalizimin e barazisë, të dinjitetit të komuniteteve, të thyerjes së monopoleve etnike dhe këtë mbështetje do ta japin jo vetëm shqiptarët me plebishit, por do ta japin edhe maqedonasit, të cilët e dinë se vetëm barazia do të mundësojë një shtet, i cili do të jetë në harmoni dhe progres dhe në integrime evropiane dhe euratlantike.
Komuniteti maqedonas e ka kuptuar se ka qenë pré e stereotipeve ndaj komuniteteve të tjera. Vetëm barazia mundëson vlerë shtesë për të gjitha komunitetet veç e veç, por edhe për shtetin në përgjithësi, prandaj kujtoj se ky referendum për këtë ide të madhe të cilën e paraqiti dje kryetari Ahmeti duke bartur mbi supet e mia këtë mision do të mbështetet nga të gjitha komunitetet, para së gjithash nga shqiptarët me plebishit, por edhe nga të gjitha ata të cilët duan ta shohin Maqedoninë e Veriut si shtet ku qytetarët janë të barabartë në privilegje por dhe përgjegjësi ndaj shtetit dhe ndaj shoqërisë.
Zëri i Amerikës: BDI-ja dhe LSDM-ja, dy parti në koalicion po dalin me kandidat më vete për president. A pritet të ndikojë kjo te dalja me lista të përbashkëta zgjedhore për garën parlamentare?
Bujar Osmani: Unë, edhe pse nuk ka një vendim përfundimtar, kujtoj se BDI do të dalë me një front evropian, ku partitë politike shqiptare të cilat në Maqedoninë e Veriut janë kompasi i orientimit strategjik, ose gardiani i kursit gjeostrategjik të venddit do të bëhen bashkë për shkak se po jetojmë në një udhëkryq të rëndësishëm gjeolpolitik. Rreziku nga Federata Ruse, e cila po shtrihet në të gjitha poret e sistemit, duke u paraqitur si rrezik i drejpërdrejt për sigurinë e Ballkanit Perëndimor, por dhe shtetit tonë, e bën të domosdoshme nevojën për të pasur një qartësi strategjike. Ne nuk guxojmë të lejojmë në këto momente të rëndësishme që të devijojmë nga kursi strategjik duke mbështetur parti politike që mund të jenë ose ‘proxy’ lojtarë të ndikimeve malinje ruse ose të padefinuara në orientimin strategjik. Ajo që i duhet Ballkanint Perëndimor dhe Maqedonisë së Veriut për momentin është një qartësi strategjike, një parashikueshmëri politike, e cila do të krijojë resiztencë të shtetit në tendencën ruse për të destabilizuar proceset në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Ballkanin Perëndimor, në përgjithësi.
Zëri i Amerikës: Vendi juaj pritet të bëjë ndryshime në Kushtetutë, një çështje e ndjeshme për vendin tuaj. A mendoni se pas zgjedhjeve, pavarësisht cila forcë fiton, këto ndryshime do të miratohen?
Bujar Osmani: Duke qenë se theksova se BDI-ja, por edhe opsioni jonë politik në përgjithësi ky front evropian është gardian i kursit euroatlantik të shtetit për ne këto janë vija të kuqe. Kryetari Ahmeti e tha dje se “nuk do ketë qeveri pa ndryshime kushtetuese”, të cilat nënkuptojnë futjen e komunitetit bullgar dhe komuniteteve të tjera në kushtetutën e vendit me qëllim të hapjes së vendit për të gjitha komunitetet duke e shndërruar në shtet të barabartë për të gjithë dhe e dyta: ndryshimi i konceptit të zgjedhjes së presidentit të shtetit me shumicën e 2/3 dhe me shumicë të dyfishtë, përshfirë këtu edhe shumicën e përfaqësuesve shqiptarë. Kujtoj që kjo ide bashkë me ndryshimet kushtetuese që kanë të bejnë me integrimet evropiane krijojnë një ofertë e cila është e parefuzueshme për komunitetin shqiptar, por jam i sigurt edhe për të gjitha komunitetet tjera në Maqedoninë e Veriut.
Zëri i Amerikës: Javët e fundit, shtetasit e vendit tuaj po përballen me pritje të gjatë për marrjen e pasaportave dhe letërnjoftimeve me emrin e ri të vendit “Maqedonia e Veriut. Qytetarë thonë se u është kufizuar liria e lëvizjes. Pse nuk është zgjidhur deri tani kjo çështje dhe kur pritet të marrë udhë?
Bujar Osmani: Unë shpresoj që Ministria e Punëve të Brendshme do të riorganizohet për të rritur kapacitetet e saj për dhënien e pasaporteve. Mënyra më e lehtë është që të kërkoni shtyrje të afateve të marrëveshjeve ndërkombëtare, mirëpo marrëveshjet ndërkombëtare nuk mund të ndryshojnë njëanshëm. Marrëveshjet ndërkombëtare të cilat janë ratifikuar në parlamentin e vendit janë pjesë e rendit të brendshëm ligjor dhe ato nuk mund të ndryshohen me ligj, andaj kujtoj se mënyra më e mirë për t’u dalë në shërbim qytetarëve është një riorganizim. Ashtu siç bëri Ministria e Jashtme në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore. Vendosëm punë në dy turne, vendosëm punë të shtunave dhe të dielave, rritëm kapacitetin e stacioneve bazë për dorëzimin e pasaportave dhe po u dalim në shërbim aq sa mundemi nevojave të njerëzve për ndryshimin e dokumenteve të udhëtimit.
Andaj, kujtoj se opozita e cila tani përkohësisht është pjesë e qeverisë, për 5 vite të tëra ka thirrur qytetarët mos të bëjnë ndryshimin dokumenteve për shkak se “ata kur të vijnë do ta kthejnë emrin e vjeter kushtetues”. Tani rezulton se i kanë manipuluar njerëzit për shkak se një pjesë e madhe i kanë dëgjuar ata duke shpresuar se vërtet kur të vijnë këta në pushtet do ta kthejnë emrin e vjetër. Tani janë bërë pjesë e qeverisë për organizimin e zgjedhjeve dhe ajo çfarë po shohim është vetëm një tentim për gjetjen e alibisë për këtë situatë dhe një çorganizim i cili më tepër është për përfitime politike sesa për t’u vënë në shërbim të qytetarëve. Thirrja ime ishte edhe thirrja e kryeministrit Xhaferi i cili i dha urdhër ministrit të Brendshëm që të organizohen sa më shpejt me të gjitha kapacitetet e veta që t’u dalin në shërbim njerëzve. Mendoj që kjo është mënyra e vetme për ta tejkaluar këtë presion që e kemi përkohësisht deri në rrumbullaksimin e ndryshimit të dokumenteve të udhëtimit./Voa
Maqedonët Ilirët e Epirotët ishin një FareFis,një Cung e Trung Gjuhësor,flisnin Shqipen me dialektet e tyre Geg e Toskë!
Përgjigju