Ardiana Bera, një prej gjyqtareve të 21 janarit, është përjashtuar përfundimisht nga drejtësia. Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) vendosi sot unanimisht ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Tiranës, Ardiana Bera.
KPK e kishte konfirmuar në detyrë gjyqtaren më datë 26.04.2024, vendim, i cili u ankimua nga institucioni i Komisionerëve Publikë për gjetje në kriterin e pasurisë dhe profesionalizmin.
Gjyqtarja e Tiranës Bera më 8 shkurt 2013 ishte pjesë e trupës gjykuese që shpalli të pafajshëm ish-komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi dhe gardistin Agim Llupo për 4 vrasjet e 21 janarit. Më ketë vendim të KPA, Bera është gjyqtarja e fundit që largohet përfundimisht nga drejtësia, nga 11 në total që kanë pasur në dorë krimin shtetëror të 21 janarit, që tani po hetohet nga SPAK.
Prokurori Adnan Xholi, përfaqësues në këtë çështje i drejtuesit të SPAK Altin Dumani, që ka marrë kompetencat e Komisionerëve Publikë në procesin e Vetingut në KPA, kërkoi shkarkimin e Berës për pamundësi financiare dhe mosjustifikimin me burime të ligjshme të krijimit të pasurisë. Lidhur me aspektin profesional, Xholi veçoi një vendim të marrë nga një trup gjykues ku subjekti ka qenë në cilësinë e anëtares, konkretisht me shpalljen të pafajshëm të gardistëve të akuzuar për vrasjet e protestuesve më 21 janar të vitit 2011.
Në vendimin e sotëm, kryesuesja e trupit gjykues, Rezarta Schuetz deklaroi se Kolegji e ka gjetur të drejtë konkluzionin e Komisionerit Publik se Bera nuk ka pasur burime të mjaftueshme për kryerjen e pagesave për partamentin në Tiranë, si dhe për kursimet cash të deklaruara prej saj. Sipas KPA, subjekti nuk arriti të provojë burimin e ligjshëm të huasë 2 milionë lekë të marrë nga vëllezërit, e deklaruar si burim për krijimin e kësaj pasurie, pasi nuk u vërtetua vlera e të ardhurave nga emigracioni.
KPA, ashtu si Komisioneri, vlerësoi se subjekti nuk ka arritur të provojë mundësinë për krijimin e një llogarie në emër të vajzës, duke marrë në konsideratë dhe deklarimin e subjektit se si burim ka shërbyer shuma 1 milion lekë e dhuruar nga vëllezërit, që ka qenë pjesë e huasë 2 milionë lekë, për krijimin e të cilës u konkludua balancë negative.
Sipas Kolegjit, bilancet negative në disa vite në masën totale prej reth 3.1 milionë lekësh, e pamundësojnë zbatimit e parimit të proporcionalitetit. Për rrjedhojë çmohet se subjekti ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë.
Duke vlerësuar se konkluzioni për pasurinë është i mjaftueshëm për marrjen e vendimit dhe për ekonomi gjyqësore, trupi gjykues i Kolegjit nuk u shpreh lidhur me shkaqet e ngritura nga Komisioneri për aspektin profesional.
Në përfundim, Kolegji vendosi ndryshimin e vendimit të Komisionit dhe shkarkimin nga detyra të gjyqtares Ardiana Bera. Vendimarrja e Kolegjit është përfundimtare dhe ka efekt të menjëhershëm.
Bera e ka filluar karrierën në vitin 1997 dhe deri në vitin 2010 ka ushtruar funksionin si gjyqtare e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë. Në vitin 2010 ajo është transferuar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Bera njihet nga opinioni publik për gjykimin e çështjes kundër oficerëve të gardës, Ndrea Prendi dhe Agim Llupi, të akuzuar për vrasjen e protestuesve gjatë tubimit të 21 Janarit, 2011, të cilët i ka shpallur të pafajshëm.
11 gjyqtarët në tre shkallët e gjyqësorit që kanë marrë pjesë në gjykimin e dosjes së 21 Janarit, disa prej tyre janë shkarkuar ose janë larguar nga sistemi me dorëheqje.
2. Ardiana Bera, shkarkuar me vendim të KPA
3. Ariana Caco, e shkarkuar nga detyra - Me vendim të KPK e KPA
2. Ervin Metalla, i shkarkuar në të dy shkallët e Vetingut për fshehje pasurie dhe përfitim të padrejtë të një kredie të butë.
3. Evjeni Sinojmeri, e shkarkuar nga Komisioni i Vetingut për fshehje pasurie.
2. Artan Zeneli, i shkarkuar nga të dy shkallët e Vetingut, për probleme me pasurinë.
3. Shkëlzen Selimi, i shkarkuar detyra për kontakte të papërshtatshme me krimin.
4. Aleksandër Muskaj, i larguar nga Gjykata e Lartë dhe drejtësia, edhe pse mund të qëndronte në detyrë deri kur të zëvendësohej siç bëri Ardian Dvorani.
5. Guxim Zenelaj, i larguar nga Gjykata e Lartë dhe drejtësia, edhe pse mund të qëndronte në detyrë deri kur të zëvendësohej.
Komente
