Ndryshe nga një vit më parë, këtë vit akademik degët si matematika, fizika dhe kimia nuk rrezikojnë të mbyllen.
Për Report Tv kreu i Rrjetit Akademik Shqiptarë Arjan Xhelaj thotë se riorganizimi i degëve duke shtuar programet e reja studimi ka rritur interesin e maturantëve. Por, efekt duket se ka pasur edhe shpallja e tyre si degë prioritare nga qeveria, shoqëruar me mbështetje financiare sa paga minimale.
“Kombinimi i degëve që përveç fizikës klasike futi dhe Shkenca Kompjuterike, përveç matematikës ka dhe Shkencat Kompjuterike edhe 3 degët e kimisë është shtuar edhe një degë që është kimia dhe Kimi Farmaceutika dhe këto kombinime sollën interesa. Në kimi rreth 50 maturantë në të 4 degët, matematika rreth 70 maturantë. Raundi i dytë akoma një ecuri më të madhe”, u shpreh Xhelaj.
Deri më tani rreth 82% e maturantëve janë regjistruar në një nga degët e universiteteve, duke ezauruar pothuajse plotësisht kuotat e degëve më të preferuara nga të rinjtë si ato të Mjekësisë dhe Teknologjisë.
Me 21 shtator u mbyll faza e dytë e aplikimit për maturantët në universitetet në portalin UAlbania, ndërsa regjistrimet për këtë fazë nisin më 28 shtator deir më 7 tetor.
Ndërsa maturantët të cilët nuk janë regjistruar në fazën e parë dhe të dytë, mund të regjistrohen në fazën e fundit duke shkuar fizikisht pranë universiteteve.